“Sot do të ishte 17 vjeç, por Mateo Bejaj është zhdukur 3 vjet më parë në fshatin Fitore, nga ku dhe sot e kësaj ditë nuk dihet asgjë për fatin e tij”. Familja e Mateo Bejajt, adoleshentit nga fshati Fitore i Vlorës, që prej tri vitesh rezulton i zhdukur, gjithnjë e më shumë po i humbet shpresat për gjetjen e tij. Mateo në atë kohë 14 vjeç u zhduk pa lënë gjurmë mbrëmjen e 16 korrikut të vitit 2011, ndërsa kërkimet nga ana e policisë dhe banorëve të fshatit rezultuan të kota. Familjarët e tij të zhvendosur së fundmi në qytetin e Vlorës, teksa shtojnë së nuk dinë asgjë për fatin e të birit, gishtin e drejtojnë tek halla e tij, më të cilën familja Bejaj ka pasur një konflikt pronësie të pazgjidhur. Kërkimet për të riun vijojnë edhe nga Interpoli, ndërsa prindërit e Mateos tashmë shpresojnë vetëm në një mrekulli, teksa besimi tek strukturat e shtetit për ta ka shteruar me kohë. Prindërit e tij, me lot në sy, tregojnë se i mituri është cilësuar i rrëmbyer nga Prokuroria, madje ngrenë dhe akuza konkrete, duke kërkuar vëmendje që të mund të hidhet dritë mbi atë që realisht ka ndodhur 3 vjet më parë. “Edhe pse kemi prova të pakontestueshme që nuk bëhet fjalë fare kemi shkuar në të gjitha instancat, në të gjitha zyrat, na thonë po punojmë, po punojmë tani ne nuk e dimë se çfarë bëhet. Unë nuk dua të zgjatem, dua t’i bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm, ministrit të Brendshëm, të gjitha instancave shtetërore të nxjerrin në dritë çështjen e djalit tim. Djali im është rrëmbyer dhe arsyeja është rrëmbyer për lekë, sepse halla, momentin e parë, shkëndijën e parë që ka lëshuar, ka thënë që djali është marrë peng për lekë”, – tha babai i Mateos. Mateo Bejaj është larguar nga banesa e tij në fshatin Fitore më 16 korrik të vitit 2011, rreth orës 16:20. Për herë të fundit është parë rreth orës 21:00 në fshat, por më pas nuk ka asnjë të dhënë për të. Policia ka kontrolluar asokohe gjithë zonën pa gjetur gjurmë të 14-vjeçarit. Prindërit akuzojnë hallën e djalit, që fshihet pas zhdukjes, për shkak të çështjes së një apartamenti për të cilin palët pretendojnë pronësinë.
Policia/ Dosje në Prokurori kundër Gjin Gjonit për deklarim të rremë pasurie
Polica e Shtetit ka referuar në Prokurori materiale procedurale kundër gjyqtarit Gjin Gjoni për akuzën e pastrimit të elementëve të veprës penale. Në reagimin e policisë thuhet se ndaj Gjin Gjonit janë referuar materiale për deklarim të rremë të pasurisë dhe këto materiale janë dorëzuar në datën 8 korrik në Prokurorinë e Përgjithshme. “Nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, më datë 8 korrik 2014, janë referuar materialet në Prokurorinë e Përgjithshme, për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në ngarkim të shtetasit Gjin Gjoni, Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, – thuhet në reagim. Më tej theksohet se si indice për këtë referim ka shërbyer kallëzimi penal i ILDKP-së ndaj këtij shtetasi, për veprat penale të deklarimit të rremë të pasurisë dhe falsifikimit të dokumenteve. “Nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, referuar shumave relativisht të larta të investuara në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që disponon ky shtetas, ku të krahasuara me të ardhurat nga paga apo bizneset e tij dhe të bashkëshortes së tij, dyshohet se ka një pasuri të pajustifikuar, të dyshimtë, e cila ka burimin financiar nga aktivitete të paligjshme. Në këtë referim janë pasur parasysh: Pasuritë që disponon shtetasi Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij; Të ardhurat që vijnë nga paga e punësimit në vite të këtij shtetasi; Të ardhurat që ka pasur bashkëshortja e tij; Dokumentacioni lidhur me shoqëritë që disponon ky shtetas dhe bashkëshortja e tij; Si dhe është marrë informacion nga strukturat tatimore lidhur me detyrimet. Materialet procedurale ndaj këtij shtetasi i janë referuar Prokurorisë së Përgjithshme për veprën penale parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal”, – sqaron Policia e Shtetit.
Fier/ Aksidentohet çifti, vdes bashkëshortja, burri në gjendje të rëndë
Një çift bashkëshortësh janë aksidentuar dje, pasi automjeti me të cilin po udhëtonin ka dalë nga rruga. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Qarr në Fier. Nga aksidenti ka humbur jetën gruaja, ndërsa burri ka mbetur i plagosur rëndë. Burime nga policia bëjnë me dije se mjeti tip “Mercedes-Benz” me targë FR 1747 D, në të cilin ndodhej çifti doli nga rruga dhe përfundoi në kanal. Viktima është Qanie Troka, 54 vjeçe, ndërsa i plagosur është bashkëshorti i saj, Tajar Troka, 56 vjeç. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe rruga me kalldrëm. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj.
Divjakë/ Hyn në det për t’u larë, mbytet 16-vjeçari
Deti i trazuar i ditës së djeshme i ka marrë jetën një 16-vjeçari në plazhin Divjakës. Policia bën me dije se i riu së bashku me tre shokë kanë hyrë për t’u larë në det, por ndërsa tre djemtë e tjerë kanë dalë 16-vjeçari nuk ka mundur dot. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, në një kohë kur deti ka qenë i trazuar. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e trupit të të riut, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije.
Tiranë/ Iu dogj shtëpia, humb jetën në spital e plagosura
Ka ndërruar jetë në spital një nga personat që mbeti e plagosur pas zjarrit në banesë disa ditë më parë. Viktima është Silvana Cullhaj. Ajo së bashku me bashkëshortin Arian Cullhaj pësuan djegie pas një zjarri që përfshiu banesën e tyre. Ngjarja ndodhi në rrugën “3 Vëllezërit Kondi”. Banesa ku jetonte çifti Cullhaj u përfshi nga flakët për shkaqe ende të panjohura.




