Vorpsi: Gjendja është e papranueshme, duke sjellë një sërë problematikash për cilësinë e shëndetit të qytetarëve
Kreu i Shoqatës së Mbrojtjes së të Drejtave të Tregtarëve, Alfred Bozhiqi: Tregtarët janë të tronditur nga ky vendim
Task-forca e ngritur nga prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, ka marrë vendimin që të mbyllen dy nga tregjet kryesore të Tiranës, tregun tek ish-uzina “Dinamo” dhe tregun tek ish-shkolla teknologjike “Hamdi Pepa”. Një komision prej 9 vetash, kryesuar nga prefekti i Tiranës, ka firmosur mbylljen e tregjeve. “Ashtu siç e pamë të gjithë, nëpërmjet relacioneve të ardhura pranë institucionit të prefektit të Qarkut të Tiranës, u vu re se nga kontrolli i ushtruar pranë tregjeve të ish-uzinës “Dinamo”, por edhe në tregun e rrugës “Hamdi Pepa”, gjendja është e papranueshme, duke sjellë një sërë problematikash për cilësinë e shëndetit të qytetarëve. Është vënë re se shitja në dyqane realizohet me mangësi të theksuara në struktura. Shitja bëhet në ambiente të hapura; ka mungesë të theksuar shoqëruese të produkteve ushqimore, mungesë totale të kushteve higjieno-sanitare. Në tregun “Hamdi Pepa” shumica e objekteve janë kioska shitjeje, të cilat nuk realizojnë kushtet minimale për tregtim të produkteve ushqimore, të cilat mund të sjellin ndotje dhe epidemi të ndryshme për qytetarët, por edhe paralizojnë segmente kryesore të qarkullimit të transportit publik dhe urgjencave të kryeqytetit. Shumë shpesh në këto tregje lulëzon shkelja e ligjshmërisë fiskale, të cilat janë një sfidë e hapur e punës së institucioneve të administratës shtetërore”, – u shpreh prefekti Sadi Vorpsi gjatë mbledhjes së task-forcës. Prefekti ka falënderuar edhe Bashkinë e Tiranës për bashkëpunim, duke theksuar se kjo masë ishte e vetmja mënyrë për të rregulluar tregjet në kryeqytet. “Për të gjithë këto parregullsi e për të vendosur standardet bashkëkohore që meritojmë të gjithë së bashku si përfaqësues të qeverisë vendore e qendrore, por mbi të gjitha si qytetarë të thjeshtë, jam dakord me propozimet tuaja për të dalë sot nga kjo mbledhje me një vendim të përbashkët për mbylljen e këtyre tregjeve”, – theksoi Vorpsi gjatë mbledhjes së task-forcës.
Unioni i Tregtarëve
Unioni i Tregtarëve Agroushqimorë e ka cilësuar të paligjshëm vendimin për të mbyllur tregun te ish-uzina “Dinamo”. Sipas këtij Unioni, vendimi cenon rëndë të drejtat e punësimit, konsumatorëve, tregut të lirë. “Funksioni i tregut, i përcaktuar në Planin Rregullues të Tiranës”, – shprehet Unioni i Tregtarëve. Ndërkohë, kreu i Shoqatës së Mbrojtjes së të Drejtave të Tregtarëve, Alfred Bozhiqi, tha se tregtarët janë të tronditur nga ky vendim. Bozhiqi tha se do ta ndjekë ligjërisht çështjen, por në anën tjetër tregtarët do të reagojnë në të gjithë mënyrat.
Komisioni/ Çdo qytet mbi 100 mijë banorë, do të ketë varrezë private
Çdo qytet që ka mbi 100 mijë banorë do të ketë një varrezë private me sipërfaqe mbi 10 hektarë. Ky është vendimi i ri që komisioni parlamentar i veprimtarisë prodhuese miratoi në mbledhjen e djeshme. Rregullat për ngritjen e këtyre varrezave pritet të përcaktohen nga vendimi i Këshillit të Ministrave, duke marrë parasysh këto dy kritere numerike. “Për të shmangur ngritjen e varrezave të shumta në numër rreth zonave të banuara u propozuan disa elemente. Kriteri i 10 hektarëve u vendos duke parë popullsinë, sipërfaqen”, – deklaroi Eduard Shalsi. Këto ndryshime u votuan vetëm me votat e mazhorancës, sipas deputetëve u bënë për të frenuar ndërtimin e varrezave të shumta me sipërfaqe të vogla, në qytetet e mëdha si Tirana dhe Durrësi.
Nisma/ Fëmijët rom do të shkojnë në kopësht
Çdo fëmijë rom do të regjistrohet në kopsht, pavarësisht nëse në momentin e regjistrimit e ka certifikatën e lindjes dhe certifikatën e vaksinimit. Kjo nuk do të thotë se do të heqim dorë nga ky detyrim, ai do t’i kalojë MAS-it. Kështu u shpreh Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla gjatë formuit “Çdo fëmijë rom në kopsht”. Ministrja deklaroi se do të ndryshojë sjellja edhe në drejtim të qasjes së institucioneve përballë komunitetit rom, që do të thotë se do të jenë kopshtet dhe shkollat që do të trokasin në shtëpitë e fëmijëve rom, për t’i integruar ata në sistemin arsimor. “Ne nuk do të presim që nënat rome të trokasin në dyert e institucioneve, por do të jenë edukatorët, mësuesit, do të jem unë që do të trokas pranë familjeve të komunitetit rom për të sqaruar se sa e rëndësishme është pjesëmarrja dhe regjistrimi i fëmijëve në kopshte. Është e rëndësishme sepse ua lehtëson detyrën nënave për edukimin e fëmijëve si dhe lehtëson pjesëmarrjen e tyre në punë. Çka është më e rëndësishmja edukimi që në moshë të hershme, është domethënëse për fëmijët, për të ardhmen e tyre dhe për integrimin në tregun e punës”- , tha Ministrja Nikolla.




