Prefekti i Tiranës, në mbledhjen e sotme të Task Forcës për kontrollin e Tregjeve Ushqimorë, vendosi mbylljen e dy tregjeve në kryeqytet, të Ish-Uzinës Dinamo, por edhe në tregun e rrugës “Hamdi Pepa”.
Prefekti Sadi Vorpsi tha se nga kontrolli i ushtruar pranë tregjeve, gjendja është e papranueshme duke sjellë një sërë problematikash për cilësinë e shëndetit të qytetarëve. Sipas tij, shitja në dyqane realizohet me mangësi të theksuara në struktura, shitja bëhet në ambiente të hapura, ka mungesë të theksuar shoqëruese të produkteve ushqimore, mungesë totale të kushteve higjieno-sanitare. “Në tregun Hamdi Pepa shumica e objekteve janë kioska shitjeje të cilat nuk realizojnë kushtet minimale për tregtim të produkteve ushqimore, të cilat mund të sjellin ndotje dhe epidemi të ndryshme për qytetarët, por edhe paralizojnë segmente kryesore të qarkullimit të transportit publik dhe urgjencave të Kryeqytetit”, deklaroi Vorpsi. Shumë shpesh në këto tregje lulëzon edhe shkelja e ligjshmërisë fiskale të cilat janë një sfidë e hapur e punës së Institucioneve të administratës shtetërore. Prefekti, falënderoi dhe vlerësoi maksimalisht mbështetjen dhe bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës, në grupin e kësaj Task – Force si shembullin më të mirë të bashkëpunimit të nivelit vendor me atë qendror si dhe mbështetjen e policisë së Qarkut të Tiranës dhe atë Bashkiake.





