Florenc Drizari
“Parlamenti duhet të përmbushë detyrimet e veta në zgjedhjen e organeve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura”
Rreth një javë pas letrës publike që dy krerët e grupeve parlamentare Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili i bënë Presidentit të Republikës, ky i fundit i është përgjigjur shkresës duke theksuar se duhet të shmangen praktikat bllokuese dhe se bllokimi nuk është në nderin e Parlamentit. Presidenti Nishani ka theksuar se Parlamenti nuk duhet të ndikohet nga asnjë krah politik. Sipas Presidentit Nishani, bllokimet e Parlamentit janë të paargumentuara. Ndërkohë, në letrën e tyre, Ruçi dhe Vasili theksojnë se konsultat me kreun e shtetit për anëtar të Gjykatës së Lartë nuk kanë funksionuar dhe se kandidaturat e sjella prej ti në Kuvend nuk kanë përmbushur kushtet. Të dy përfaqësuesit e mazhorancës kanë kërkuar rihapjen e procesit të rikandidimit.
Ndërkohë, kreu i shtetit ka cilësuar të pa vërteta dhe të pabazuara në ligj konstatimet e bëra nga dy grupet parlamentare. Sipas Presidentit pretendimi për heqje kompetencash Kuvendit është absurd. “Që në fillim dëshiroj të them se me marrjen e statusit Vend Kandidat për në Bashkimin Evropian kërkohet një qasje e re në veprimtarinë parlamentare në raport me detyrimet ndaj institucioneve të tjera kushtetuese dhe të pavarura. Në këtë konkluzion, arrij pas një analize të punës së deritanishme të bërë midis dy institucioneve tona dhe atyre të pavarura, që jo rrallë herë me keqardhje konstatoj se lënë për të dëshiruar. Praktika të tilla, bllokuese dhe të paargumentuara ligjërisht, siç janë vendimmarrjet parlamentare për mosdhënien e pëlqimit në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nuk janë në nderin e Parlamentit dhe as në interesin e demokracisë në vend. Në gjykimin tim si dhe në gjykimin tonë të përbashkët, Parlamenti duhet të përmbushë detyrimet e veta në zgjedhjen e organeve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, pavarësisht ndarjes partiake, apo interesit afatshkurtër apo afatgjatë politik”, – shkruan Nishani.
Presidenti
“E gjithë praktika e deritanishme e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nga institucioni i Presidentit të Republikës, është konsideruar që në fillim dhe në mënyrë të padiskutueshme si një proces bashkëpunimi midis Gjykatës së Lartë (me bërjen e njoftimit për vakancë), Presidentit të Republikës (me shpalljen e konkurrimit, verifikimin e dokumentacionit të konkurrentëve, publikimin e listës së kandidatëve, konsultimet me grupet parlamentare deri në dekretet e emërimit) dhe Kuvendit (nëpërmjet konsultimit dhe dhënies së pëlqimit), një tërësi procedurash të vërtetuara dhe të njohura nga çdo deputet dhe të bëra publike për mbarë opinionin qytetar”, – thuhet në përgjigjen e kreut të shtetit.
Sipas Presidentit Nishani, është absurde që krerët e dy grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së të pretendojnë se Kuvendit i është hequr kompetenca për vendimmarrjen mbi dhënien e pëlqimit. “Parë me syrin e dorëzanësit të Kushtetutës dhe ligjit, në këtë proçes janë përfshirë edhe ekspertë konstitucionalistë dhe të botës akademike, të cilët me ekspertizën e tyre kanë kontribuar në vendimmarrjen për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të bëra tashmë publike.
Letra e Nishanit
Të nderuar Kryetarë të grupeve parlamentare PS, LSI, pavarësisht qëndrimit të pajustifikuar dhe të pambështetur në ligj të deputetëve të grupeve tuaja parlamentare për të mos miratuar dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, pavarësisht pretendimeve të paargumentuara dhe jo të drejta të letrës suaj, unë, si Kryetar i Shtetit Shqiptar, mbetem me besimin se në Kuvendin e Shqipërisë, do të rikthehet praktika ligjore dhe kushtetuese duke respektuar jo vetëm pushtetet dhe institucionet kushtetuese të vendit, por edhe praktikën e konsoliduar prej shumë legjislaturash të këtij Kuvendi në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.




