Gëzim Saliu
Deputeti i PD-së: Decentralizimi duhet të jetë parësor për reformën, duhet konsensus në Kuvend
Mazhoranca po synon me reformën administrative-territoriale të marrë garancitë e duhura për fitoren e zgjedhjeve vendore të 2015-ës. Kështu deklaroi dje eksperti ligjor i PD-së, deputeti Oerd Bylykbashi, duke theksuar se përmes këtij nxitimi, të majtët po krijojnë një kosto të paprecedentë në 10 vitet e fundit në vend, bërjen e një reforme elektorale në mënyrë të njëanshme. “Së paku ne do të kemi nevojë që për shkak të një ndryshimi qoftë edhe me konsensus të hartës të riorganizojmë të gjithë hartën e zonave të administrimit zgjedhor. Sot janë 89 dhe kthimi tek koncepti i rrethit si bazë e ndarjes territoriale që do qeveria do të na detyrojë ta çojmë nga 89 në 36 ose 40 zona të administrimit zgjedhor, do të duhet që për të evituar ndarjen e njësive të caktuara nga kufijtë e zonës se administrimit zgjedhor, sepse kodi zgjedhor e ndalon ndarjen e njësive në dy pjesë të ndryshojmë kriteret në kodin zgjedhor dhe kjo kërkon ndryshim në një ligj tjetër dhe nuk ka të bëjë me ligjin që kërkon të miratoje zoti Fino, Meta e Rama”, – tha ai për TV “Klan”.
Reforma, Kodi e KQZ
Sipas deputetit demokrat, një hartë e re territori ka një lidhje zinxhir në procesin e administrimit zgjedhor, madje në pikën me delikate të tij. “Jemi prapa ndryshimit të hartës elektorale për zgjedhjet vendore, më pak se një vit nga mbajtja e tyre, në mënyrë të njëanshme, duke shfrytëzuar forcën e kartonit. Një riorganizim i hartës pa konsensus bëhet me një qëllim politik të vetëm fitoren në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke tretur njësi të caktuara që janë fituar nga opozita ose fitohen prej nesh brenda njësish më të mëdha ku mund të kenë dominancën partitë në mazhorancë”. Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se reduktimi drastik i zonave zgjedhore pa prekur 12 qarqet është i cunguar dhe pa kuptim. Sipas Bylykbashit, kjo ndikon edhe në mënyrën se si do të funksionojë sistemi i ardhshëm zgjedhor: “Sepse me 47 njësi që propozon mazhoranca, numri i qarqeve nuk ka më kuptim të qëndrojë 12 dhe ose do të zvogëlohet e për pasojë do të ndryshojë sistemi zgjedhor, ose do të kemi 12 qarqe që do jenë më pak të fuqishëm në kundërshtim me atë që kërkon kushtetuta. Sot qarqet kanë më pak kompetenca nga çfarë kërkon Kushtetuta, nëse i bëjmë me të parëndësishëm jemi duke bërë nul një dispozitë kushtetuese dhe këtë nuk ka tagër ta bëjë as Rama, as Meta dhe as Çuçi”. Po ashtu, ligjvënësi se krahas Kodit po synohet të ndryshohet edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Një sinjal që e dha ministri Celibashi, ku në mënyrë të njëanshme të imponojnë modelin e tyre për KQZ, të bëjnë të gjitha ndryshimet e tjera, pa asnjë konsensus me opozitën. Impakti do te jete tmerrësisht negativ jo vetëm ne aspektin politik, por do na kthejë hapa pas, do na çojë në vitin 2000, kur Kodi Zgjedhor u miratua me forcën e kartonëve të PS”, – u shpreh Bylykbashi. Ndërsa, në emër të PD-së, ai kërkoi konsensus të plotë për reformën territoriale, e cila sipas tij ka dhe një tjetër kërkesë kushtetuese, të drejtën të komuniteteve për referendum. Dhe nëse mazhoranca sipas do të jetë e e vendosur ta kalojë pa opozitën në fund të muajit, do të krijohet precedenti më i rrezikshëm në politikën shqiptare, ai i bërjes së reformave të mëdha pa konsensus. “Ecja në rruge të njëanshme shkon ndesh me këtë kriter kushtetues qe nuk plotësohet, ky kriter deri ne fundin e korrikut që sigurisht e bën të dobët këtë farsë qeveritare që ka për qellim zgjedhjet e 2015 dhe mundësisht edhe ato të 2017. Nuk ka asnjë afat urgjence as nga BE as nga Këshilli i Evropës por kërkohet vetëm një reforme konsensuale e bërë mirë, e cila do të ndihmojë Shqipërinë në 15-20-apo 30 vitet e ardhshme”, – pohoi deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi.
Përgjigje Finos: Reforma s’mund të jetë libër vizatimi i bazuar na harta e show mediatik
Në reagimin e tij lidhur me reformën administrative territoriale, deputeti demokrat i është përgjigjur edhe deklaratave të dhëna nga kryetari i komisionit të posaçëm për këtë reformë, Bashkim Fino, i cili u shpreh disa ditë më parë se ishte zhgënjyer nga rezoluta e vendorëve e mbështetur nga PD. Sipas Bylykbashi, reforma nuk mund të jetë një libër vizatimi i bazuar në harta e aq më pak një show mediatik. “Unë nuk e di pse është zhgënjyer kryetari dhe jo më bashkëkryetari i komisionit në Parlament, sepse s’ka pasur një hartë. Reforma territoriale nuk është një libër vizatimi për fëmijët, është një reformë nga më themelorët që mund të bëhet në një shtet, është një nga themelet bazë, ashtu siç është reforma zgjedhore, ajo në gjyqësor, që duan konsensus të mirëfillta që ti qëndrojnë kohës. Objektivi i vetëm është një hartë që ndryshon skemën elektorale për vitin 2015. Dhe një rezolutë si ajo q u paraqit i shqetëson skajshëm në momentin kur ata menduan se po e mbyllin reformën vetëm me dy opsione hartash me ngjyra në fund të korrikut”, – deklaroi deputeti i PD-së.
Ministri i pushtetit vendor
Çuçi: Rezoluta e opozitës, pa propozime, afati nuk shtyhet
Ministrit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, deklaroi dje se rezoluta e vendorëve e mbështetur nga Partia Demokratike për reformën administrative territorial nuk ka propozime konkrete për ligjin. Faktikisht nuk pamë një propozim konkret për reformën administrative territoriale, por merreshin me parimet që duhen për këtë reformë, të cilat ne i kemi respektuar një për një që prej tetorit të vitit të kaluar. Sipas tij, kreu aktual i opozitës, në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së Bashkive ka bërë publike dy qëndrime të ndryshme brenda një harku kohor 2- vjeçar, sa i takon domosdoshmërisë së reformës administrative-territoriale. Ndërkaq edhe pse shprehu vullnetin e shumicës për ta miratuar reformën me konsensusin e opozitës, Çuçi theksoi se afati i vendosur në 31- Korrik për ta miratuar atë nuk do të shkelet. “Them se në fund të këtij sezoni do të kemi miratuar ligjin për reformën administrative territoriale. Gjithsesi unë jam i bindur që Shqipëria në zgjedhjet e ardhshme vendore do të shkojë me hartën e re administrative territoriale, kjo është e padiskutueshme”, – tha ministri për Pushteti Vendor.





