Durrës / Shkëmbim zjarri me armë në plazh, plagoset roja i lokalit

Sonila Mesareja

Arrestohen 4 persona, mes të cilëve edhe i plagosuri. Pronarit të lokalit i gjenden municione në banesë

 

skene-krimi-mos-kalo2Një 38-vjeçar ka kërcënuar me armë rojën dhe pronarin e një lokali me muzikë live në zonën e Plazhit në Durrës, por situata ka degjeneruar, pasi është kthyer me shkëmbim zjarri mes palëve. Nga përplasja me armë ka mbetur i plagosur roja i lokalit, ndërkohë që policia, e njoftuar për ngjarjen, ka bërë arrestimin e personave të përfshirë në konflikt. Mes të arrestuarve, sipas policisë së qytetit bregdetar, është edhe roja i lokalit, i cili rihet nga policia në ambientet e spitalit. Pas ngjarjes, shtetasi Pëllumb Tuda, pronar i lokalit me muzikë live ku ndodhi ngjarja i ka dhënë pistoletën Ivan Tudës, me qëllim fshehjen. Ndërkohë që gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e pronarit të lokalit, policia gjeti një sasi të konsiderueshme municionesh.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, në lagjen numër 13, ndërsa policia arrestoi të katërt personat e përfshirë në këtë konflikt. Sipas burimeve policore, 38-vjeçari Shpëtim Mema, banues në fshatin Pjezë Shijak ka kërcënuar me armë rojën e lokalit Besnik Ruçi dhe pronarin Pëllumb Tuda dhe më pas ka qëlluar në drejtim të tyre. Por, pronari ka qenë i pajisur me pistoletë dhe i është kundërpërgjigjur me plumba. Nga ky shkëmbim zjarri mbeti i plagosur roja i lokalit, i cili ndodhet nën arrest në spitalin e Durrësit. Policia e qytetit bregdetar ka vënë në pranga dhe Ivan Tudën, të afërmin e pronarit të lokalit, i cili pas ngjarjes fshehu armën, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e Pëllumb Tuda janë gjetur 88 copë fishekë të kalibrit 9 mm. Ndërkohë që gjatë kontrollit në banesën e Shpëtim Memës, policia gjeti një “Mercedes-Benz” me targa AZ 144 HY me xhamin e pasëm të thyer dhe më vrimë në pjesën e bagazhit. Nga hetimet hidhen dyshime se pronari i lokalit duke se e ka qëlluar me armë edhe ndërsa 38-vjeçari Mema ka qenë duke u larguar nga lokali. Shtetasit e arrestuar akuzohen për katër vepra penale, konkretisht atë të “Vrasjes në rrethana cilësuese mbetur ne tentativë”, “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje te armeve luftarake”, “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Moskallëzimit të krimit”.

 

Të arrestuarit

Shpëtim Mema, 38 vjeç, banues në fshatin Pjezë, Shijak

Besnik Ruçi, 34 vjeç, banues në Durrës

Ivan Tuda, 36 vjeç, banues në Durrës

Pëllumb Tuda, 45 vjeç, banues në Durrës

 

 

Itali

Vritet nga fqinji i tij shqiptari 23-vjeçar Kaçorri

Një 23-vjeçar shqiptar është vrarë mizorisht nga fqinji i tij në Broni të Italisë, gjithashtu shqiptar, duke e therur me thikë në gjoks në hollin e banesës ku jetonte. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e dy netëve më parë pas një grindje të dhunshme mes tyre. I riu, Novi Kaçorri, u transportua me urgjencë për në spital, por me gjithë kujdesin mjekësor, shqiptari nuk mundi t’i shpëtonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë. Sipas mediave italiane, dy shqiptarët kanë debatuar për një çështje të vjetër mes tyre, dhe kjo është një nga pistat mbi të cilat policia po përqendron hetimet e saj. Autori u largua menjëherë pas krimit, ndërsa karabinierët thonë se është bërë identifikimi i autorit të vrasjes dhe po punohet për kapjen e tij. Policia ka marrë deri më tani dëshminë e të dashurës dhe motrës të të riut të vrarë, dhe gjithashtu po punon dhe për të rindërtuar ngjarjen për të zbuluar kështu motivin e këtij sulmi të dhunshëm që i mori jetën të riut shqiptar.

 

 

 

Reforma në drejtësi  Avokatët: Jemi aktorë të këtij sistemi, duhet të përfshihemi edhe ne

Reformimi i drejtësisë duhet bërë duke përfshirë brenda saj dhe aktorët e këtij sistemi, siç janë dhe avokatët. Kjo thirrje u bë nga kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë Shqiptarë, Saimir Visha, gjatë konferencës së 2-të ndërkombëtare të avokatëve penalistë shqiptarë dhe atyre të rajonit, ndërsa festohej edhe 5-vjetori i themelimit të saj. “Ne do bëhemi pjesë e çdo reforme në drejtësi. Ne e përkrahim atë, sepse e ndjejmë se duhet një ndryshim rrënjësor jo vetëm sipas rekomandimit të BE, por sepse ne jemi ata që prekin problemet që ka drejtësia”, – deklaroi Visha. Po ashtu Visha tha se për sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit ajo mbështet nga avokatët, ku një grup prej tyre janë duke kontribuar nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë në ngritjen e saj. Ndërkaq, për avokatët të cilët jo pak herë janë bërë pengesë për shtyrjen e proceseve gjyqësore. “Faji nuk është gjithmonë i tyre”, – deklaroi Visha, pasi janë instancat përgjegjëse ato të cilat pagesat e proceseve ku avokatët marrin pjesë. Shpeshherë këto bëhen me vonesë, vonesa të cilat arrijnë në 2 vite. Zoti Visha ngriti sërish shqetësimin e mos pagimit të avokatëve kryesisht nga gjykatat dhe prokuroria. “Një problem tjetër është kur avokatët punojnë në kushte mizerabël dhe kanë 3 vjet që nuk paguhen. Imagjinoni ç’bëhet. Kjo, edhe kur shifrat që paguan ministria janë minimale”, – nënvizoi Visha.

 

Share it :