Një nga rrëfimet e rralla të shkrimtarit të hershëm osman për Ali Pashën, si Mehmet Sulltani II e vendos komandant të një prej betejave më të ashpra kundër Princit të Moldavisë. Himne dhe adhurim për vezirin e Shqipërisë nga kronikani turk
Kronikat e Tursun Beut, botim në shqip, përkthyer nga Edvin Cami, përfshin ngjarje dhe dëshmi të kronikanit të Sulltan Mehmetit II, pushtuesit të Kostandinopojës, Ballkanit dhe Shqipërisë. Tursun Beu njohur si shkrimtari më i rëndësishëm turk i kohës së vet, me kronikat e tij ka sjellë dëshmi të rëndësishme thuajse për të gjitha fushatat që ndërmori sulltani i ri në Evropë, Azi duke i dhënë fund edhe pushtimit pas gati njëqind vjetësh luftërash të ashpra e të përgjakshme. Ndonëse dëshmitë e Tursun Beut mbushen me tone moralizuese, çfarë është pranuar prej studiuesve lidhet me realizmin dhe objektivitetin e tij mbizotërues. Këto kronika përfaqësojnë po ashtu një nga monumentet e nga literatura e hershme osmane. Për historinë shqiptare sigurisht, merren faktet e ardhura për profilin e Skënderbeut, por më vonë, në paradoks, dhe për ngritjen deri në vezir, si dhe vlerësimi më i lartë për Ali Pashë Tepelenën. Mehmet Pushtuesi i beson një nga betejat më të ashpra të kryera nga Perandoria Osmane, kundër Princit të Moldavisë. Pjesa e shkëputur më poshtë është një përshkrim sa romantik, realist, por dhe plot patos për figurën e Ali Pashës, në këtë betejë. Më poshtë shkëpusim kapitullin e fundit nga botimi “Kronikat e Tursun Beut”.
***
Ngarkimi me detyrë e Karagjoz Beut për mbretërinë e arabëve si dhe dërgimi i Ali Pashait, lavdi e vezirëve, kundër Princit të Moldavisë
Meqenëse ky përfundim shërbeu për të shtuar prestigjin mbretëror, zelli i fuqishëm i Sundimtarit fitimtar u përqendrua në sa vijon. Shkeljet e kryera – siç kemi bërë fjalë – prej kreut të çerkezëve, domethënë Sulltanit të Egjiptit, do të zhdëmtoheshin me këtë vendim: Dënimi i së keqes të jetë një e keqe e barabartë me të (Kurani 42:40). Kështu, nisi faza përgatitore. Zefiri i pranverës së vitit tetëqind e nëntëdhjetë (1485) po fillonte t’i ofronte ndihmë butësisë së ajrit për të pushtuar mbretërinë e dimrit. I udhëhequr prej mendimit të përhapur, sipas të cilit të gjitha shtëpitë e kanë një derë, ndaj “hyni në shtëpi nga dera (Kurani, 2:189)”, Sulltani fitimtar caktoi disa trupa nën komandën e Karagjoz Beut, mësues shtëpie i Princit Sulltan Shahnishah – dritë e syve të tij – që gjendej në krahinën e Kramanit dhe i dërgoi kundër tokave të arabëve.
Gjatë rrugës, ai pushtoi Adananë, Tarsusin, Gjylekun, Alankushin e të tjera fortesa dhe futi në darën e kontrollit pjesën tjetër të vendit. Shpartalloi e nënshtroi aradhët e fiseve të kushtimurlinjve, të kosunlinjve e karaisalinjve.
Ndodhi që në atë vit të bekuar edhe princi i Moldavisë – burim rebelimi – që ushqente me gënjeshtra e mashtrim synime ndaj fortesës së Kilisë, mblodhi ushtrinë dhe duke mbërritur përpara saj shfaqi gjithë pabesinë dhe dhelpërinë e tij. Por siç thotë vargu: “Dhelpëria e ligë nuk zë tjetërkënd përveç atyre që e ushtrojnë (Kurani 35:43)”, banorët e fortesës e kishin marrë vesh me kohë dhe e larguan rrezikun.
Çështja iu paraqit fronit qiellor. Në atë kohë bej i Rumelisë ishte komandanti i komandantëve Ali Pasha – Zot ia lehtësoi suksesin. Sulltani fitimtar i nxiti zellin, vuri nën urdhrat e tij një apo dy kontigjente të kapuhalkut dhe e dërgoi kundër Princit të Moldavisë. Me të mbërritur, e para gjë që duhej të bënte ishte të riparonte të çarat në fortesë, duke e përforcuar atë, por më pas edhe të mposhtte e të nënshtronte atë të mallkuar faqezi, nëse do arrinte ta gjente; përndryshe, në rast se nuk gjendej, do të duhej të vinte nën zjarr e hekur vendin e tij.
Sipas porosive të urdhrit të lartë, nga ana e tij Ali Pasha grumbulloi ushtarët e Rumelisë, secili syresh përkrenare në kryet e vlerës. Ushtarët e çdo krahine u paraqitën të gatshëm e të përgatitur, në shalë të kalit, të mbuluar me çelik nga kryet gjer tek këmbët.
Një mëngjes në një ditë të mbarë e në një orë të bekuar.
Ali Pasha puthi dorën e bujarisë oqeanike të Madhërisë së Tij, Sundimtarit të zellshëm e luftarak, dhe u nis. U nis me vargun: “Për atë që ka besim te Zoti, Zoti është ndihmues i mjaftë (Kurani 65:3)”, që dukej në përshtatje me lëvizjen e atyre flamujve, emblema të fitores. Rreshtoi ushtrinë për fushatat. Pastaj pa vonesë veproi kundër armiqve të fesë e të sovranitetit. Erdhën ushtarë nga çdo zonë dhe, si lumenj që së bashku rrjedhin në det, u bashkuan në ushtrinë fitimtare.
Kur mbërritën në Danub, u përgatit një flotë e pamatë dhe ushtria fitimtare kaloi lumin. Pasi arritën në fortesë, Ali Pashai siguroi gjithçka të nevojshme, siç e kërkonin mençuria dhe situata, dhe përforcoi fortesën. Pas kësaj, marshoi në brendësi të vendit të Moldavisë.
Meqë komandanti i të pafeve mëkatarë pa se nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë kësaj ushtrie dërrmuese, mendoi se ishte më e dobishme të zhdukej e t’ia mbathte nga sytë këmbët.
Duke ndjekur shembullin e sjelljes së Kanaanit pagan, tha: “Do të strehohem mbi një mal!” (Kurani 11:43) dhe u ngjit në male gjithë ngut.
Kur vendi mbeti i zbrazur, ushtarët fitimtarë u nisën frelëshuar: vërshuan të grabisnin e plaçkitnin, ashtu si shikimi grabitqar i një palë syve magjepsës bënë kërdi në të dashuruarit. Ranë në verigën e robërisë plot djelmosha e vashëza moldave, të ngjashme me krijesat e këndshme të Kashmirit. U vunë përpara kaq shumë dele e kafshë të tjera pre çetimesh, sa s’mund të numëroheshin. I vunë zjarrin Fronit dhe Pallatit të atij fatziu. Ali Pasha u kthye fitimtar dhe fërkoi fytyrën mbi Fronin e Sundimtarit. U nderua me vlerësime të ndryshme dashamirëse të Sundimtarit si shpërblim për përpjekjet e tij të lavdërueshme, kështu që, falë ngritjes së tij në rang, detyra e vezirit gjeti lavdi të ripërtërirë në personin e tij bujar.
Ali Pashai, njeri i rrahur me jetën, me gjykim të matur
U bë vezir i atij Shahu të pashoq.
Shkëlqesi, pasi personi yt që rifreskim për Mbretërinë,
I vërteti – më i larti – të mbrojttë përgjithnjë!
Shkurt, tani që princi i Moldavisë qe dërrmuar dhe Zoti kishte lejuar të merreshin aq shumë troje e fortesa të arabëve, situata kërkonte që Sundimtari të zgjidhte rrugën e paraardhësve të tij fisnikë dhe t’u drejtohej vetë trojeve të arabëve. Ishte e padyshimtë që pushtimi i vendit të arabëve varej nga mbërritja e Sundimtarit fitimtar, por autoriteti sipëror dhe dinjiteti i lartë i monarkut – Hije e Zotit – bënin që ai armik të çmohej si i padenjë. Prandaj nuk e gjykoi të arsyeshme t’u kundërvinte çerkezëve personin e vet të madhërishëm. Skllavit iu gjegj me skllav. Dhe njëri pas tjetrit, skllavi iu kundërvu skllavit dhe nga përballja skllav me skllav patën pikënisjen shumë luftime e beteja.
As samanidët, s’kishin parë të tillë ushtri.
As sasanidët s’kishin zhvilluar beteja si ato
Përplasje me aq shumë vringëllima shpatash
Saqë pluhuri ngrihej gjer në qiell
Sa më shumë grupet ndesheshin, aq më shumë rridhte
Gjaku lumë prej të dyja palëve
Hingëllima e kuajve dhe britma njerëzore
Çonin në dalldi luftëtarët në luftë
Sa koka u ndanë prej trupave!
Sa shpirtra ikën prej kafazeve të tyre!
Për herë të fundit i kalli ashk Ali Pashait, më fisnikut ndër vezirët – Zoti ia lehtësoftë përmbushjen e dëshirave – dhe dërgoi. Shkoi me një ushtri fitimtare, së cilës i shmangeshin armiqtë e zonës.
Në atë çast mbi lëndinën e zonave lumore të pranverës së vitit tetëqind e nëntëdhjetë e tre (1488) po fillonte të përvijohej shkrimi i të dashuruarit të sinqertë, kalorësia – strehë e fitores – vërshoi si det kundër Mbretërisë Arabe.
Nëse milingonat një numër e kanë, kjo armatë nuk ka
Në armatim çfarëdo që të besosh, është edhe më shumë se aq!
Do të besoje se ishte det: ishte në stuhi
Pluhuri e flamuri i saj: kupë qiellore me yje
Urdhëroi të përgatitej edhe flota mbi det: koka e mauna, direket e të cilëve maten me qiellin; galera të shpejta, që nëse u lëshojë një shigjetë përpara, shigjeta do të binte përherë pas tyre prej forcës së padukshme të shpejtësisë’ dhe kaike “të pasura” që lëviznin shpejt.
Anije më të shpejta edhe se zogjtë
Ishin të gjitha plot me trima të armatosur
Koka, maja e të cilave prekte qiellin
Vela e tyre ishte triumf, vazhda e tyre fitore.
Kur goditja e shkrepur prej topit prekte ujin
Peshqit kërcenin e binin mbi stere
Ngarkuan anije të pafundme me veçori të tilla me azebë detarë e luftëtare heroike, me topa, kolubrina e armatime të tjera. Sulltani caktoi si komandant Lavdinë e Komandantëve, Hersekzade Ahmet Pashain, dhe e dërgoi nga deti. Pra, ushtria – e udhëhequr prej fitores – përparoi nga deti e nga toka.
Kur kalorësia e Ali Pashës shkeli toka te arabëve me thundrat e kuajve, nga armiku s’kishte mbetur gjurmë. Menjëherë, me ndihmën e një përdorimi të gjerë mjetesh, u rindërtuan e përforcuan fortesat e Adanasë e të Tarsusit, ashtu siç ishte planifikuar, ndërsa fortesa e Kozanit, që për nga lartësia hahet me yjet Simak, ra në duart e ushtrisë së fuqishme. Përveç kësaj, u pushtuan me forcë pesë a gjashtë fortesa e Ajasë. Pastaj e dogji me zjarr e hekur zonën e Tripolit. Pasi detyra e rindërtimit të fortesave dhe e trojeve të tyre u çua në vend, në çastin e kthimit u duk armiku.
Ndodhi që prej klimës së dëmshme për shëndetin të atyre tokave dhe prej punës së tepërt në ndërtim, pati një mungesë kafshësh dhe rraskapitja u ndie ndër ushtarët fitimtarë. Ishte, pra rasti për një këshillim.
Disa bejlerë, këshillues të arsyeshëm, thanë: “Pasi shërbimi që ishte urdhëruar u krye, t’i vihemi rrugës së “kthimit, më e lavdishmja e gjërave”. Atij zhgani tradhtarësh i çojmë paralajmërimin që vijon: “Nëse armiku do të dojë të bëjë qëndresë, mos e ktheni fytyrën! Po nëse do t’ia mbathë nga fusha, atëherë përfundoni ndërtimin e fortesës dhe kthehuni në Portën time”. Kështu, meqë ju s’erdhët, ne kryem shërbimin që na qe ngarkuar dhe jemi nisur për t’u kthyer pranë Fronit të Lartë. Po nëse synimi juaj, në dashtë Zoti, do të jetë beteja, bëhuni gati dhe ta dini se edhe ne gati na keni”.
Të tjerë komandantë të mençur pohuan: “Më e mira është të rreshtohemi në mbrojtje të nderi të Sundimtarit, dhe ta mposhtim armikun”.
-Përherë i lartë sikurse dhe “I Lartë” ka emrin,
Vezir me mençuri të përsosur e bujare-
Ali Pashai duke nuhatur në propozimin e parë njëfarë ere arratie, parapëlqeu të dytën. Ndaj rreshtoi siç e kërkonte gjendja, sipas skemës së betejës sulltanore, krahun e djathtë dhe krahun e majtë të ushtrisë së tij me bejlerët e Anadollit e të Rumelisë.
O guximtar, ta dish se armiku është i fortë
Në daltë i dobët, atëherë ke pasur fat
Sado të jetë i mençur udhëheqësi i trupave,
Fitorja nuk i përket mençurisë, por fatit
O vezir, pasi ndezulli i Shahut të shoqëron gjatë rrugëtimit
Thuaj armikut, mblidhe përsëri qilimin e fatit tënd!
Në betejë mbushet plot kanistra e shpërblimit
Fati yt, perla të djersës së kalit të luftës
Ai vetë bashkë me regjimentin e kapuhalkut, shkoi të formonte frontin qendror të ushtrisë dhe marshoi kundër armikut “si mal i pamasë” (Kurani 26:63)
Në e quajtsh secilin prej tyre regjiment, ke thënë të vërtetën
Shpata e tyre çan më dysh malin
Sipas asaj çka pohon fjala e urtë: “Lufta e dhelprës në strofkën e saj vlen më shumë se lufta e luanit në fushën e huaj”, çerkezët nuk e kursyen veten në luftë. Po kur e panë se të ndesheshin ballë për ballë për ta ishte e rrezikshme, nuk e goditën pjesën qendrore të ushtrisë fitimtare, por mësynë e u ndeshën me krahun e djathtë e të majtë. Dhe meqenëse prej ndërtimit të fortesës dhe prej klimës jo të shëndetshme një lloj stërmundimi ishte ndier ndër ushtarët fitimtarë, ata nuk gjetën forca për t’u bërë qëndresë çerkezëve.
Njëfarë ligështimi i pushtoi dy krahët e ushtrisë fitimtare. Pikërisht në atë çast, Ali Pashai goditi pjesën ballore të rreshtimit armik. Me ndihmën e Zotit- të Lartësuarit, – sa hap e mbyll sytë e bëri armikun të kthejë shpinën dhe e hodhi në Këzël Ërmak
Kur Ali Pasha i grahu kalit në fushë,
Beteja e madhe u bë dhe më e bukur
Turma ndesheshin njëra me tjetrën
Ndihma i mbërrinte herë njërës, herë tjetrës
Ashtu si dhelpra që nis betejë në strofkën e vet
Dhe leopardi nuk fiton në atë fushë të huaj
Po ashtu çerkezët kishin nisur një betejë
Që kush e shihte mbetej i çuditur
Ligështimi depërtoi në dy krahët e ushtrisë
Megjithatë i dobët kush qe u bë i fortë
Sa prej tyre u therën! Gjaku mbuloi tokën
Edhe kush shpëtonte jetën e hidhte mes tallazesh lumi
Kur ai hero e bëri armikun të kthente shpinën,
Sa e sa qindra syresh hodhi në ujë e i mbyti!
Me ndihmën e Krijuesit, era e vrullshme e zellit të Sundimtarit – strehë e fitores – bëri të mbyten shumë prej kundërshtarëve të tij ujëra. Ato regjimente tradhtarësh që kishin sulmuar dy krahët e ushtrisë fitimtare u rrethuan dhe pjesa më e madhe e tyre përfundoi pre e shpatave të luanëve. Pasi përfunduan së hedhuri në lumë armiqtë e vrarë – kështu që njëri skaj i trupave të tyre arrinte në Arabi e tjetri në Persi – ra nata. Atëherë nuk qe e mundur të vazhdohej më dhe u kthyen në vendfushim.
Ndërkohë, të pabesët varsakë të uritur kishin zgjatur duart në rezervat ushqimore të ushtrisë fitimtare dhe kishin bërë plaçkitje. Meqenëse u vërejt një ngushtisë në ushqime, e panë të arsyeshme të merrnin drejtimin e Karamanit, Shtëpi e Sigurisë. Kështu, iu dha leje trupës, ndërsa ata vetë nxituan të puthnin pluhurin e Fronit qiellor.
Më tha një njeri që ka parë botë:
Ma qartëso këtë të fshehtë të errët
Pse në çdo vend ku shtrëngohen radhët,
Turqit shtohen e egjiptianët ndihen më të dobët
U përgjigja: Kur të shumta kanë qenë lëvdatat për shahët,
Edhe më shumë miq do të ketë
Turqit janë det. A munden vallë të jetë të paktë?
Në humbasim një a dy pika, pse të shqetësohesh?
O mik, pasi arabët janë në numër porsi arrat,
S’ka zëvendësim për ata që bien, ndaj dhe janë të dobët
Dua të them se nëse bie një trim prej ushtrisë fitimtare, nga Froni qiellor mbërrijnë dhjetë trima për t’u zënë vendin, kështu që forca e asaj armate mbetet vazhdimisht e qëndrueshme; ndërsa nuk gjendet zëvendësues në vend të të rënit të ushtrisë armike. Ushtria fitimtare është dyfishuar, ndërsa grupi i tradhtarëve, në furi të humbjeve, është rralluar. Prandaj çerkezët u ndien në vështirësi të madhe dhe qëndruan në pritje, me shpresë të armëpushimit e të paqes.
O zot! O Sovran! O Mëkues! Meqë në përputhje me hadithin e shenjtë: “Unë jam Mbret mbi Mbretër dhe zemra e mbretërve është në grushtin tim! E hetoj si të kem dëshirë” ke nxitur në zemrën e pastër të Sundimtarit tonë në këtë bëmë, dhuroji sërish më të mirat mundësi, sido qofshin, për çështjet e besimit e të Mbretërisë së tij. Caktoji gjithë ç’është e nevojshme gjersa të fitojë Mbretërinë e të Dyja Banesave dhe bëje dhuratën e Sulltanatit të qëndrueshme në përjetësi për personin e tij fisnik. Për hir të Muhamedit – të Zgjedhurit – dhe të pasardhësve të tij të pastër!
O perëndi, Sovran, Nisës i Parë!
O i gjithëmëshirshëm, i gjithëfuqishëm, Mëkues!
Udhëhiqe Sulltan Bajazitin
Që të jetë i vetmi mes të gjithë sulltanëve!
Meqë ai është arsyeja për rendin në botë,
Bëje ta shtypë armikun nën këmbë!
Ndihmoje atë dhe ushtrinë e tij
Bëje personin e tij hije mbrojtëse të popullit!
Lartësoji edhe Parimet e tij në përjetësi,
Në rang të më të lartit autoritet të Shtetit!
Lavdi Zotit, Sundimtarit Bamirës! Sepse na ka mundësuar të paraqitim në këtë vepër hapat e para të fushatave dhe synimet e vendimeve të Sulltanit – të ri në fat e të pjekur në mençuri, strehë fisnike e Kalifatit, Sundimtarit tonë. Dhe ky është veç një i urtë!
Nëse do Zoti i gjithëmëshirshëm, nëse jeta do të mbetet mike, nëse shëndeti do të më shoqërojë dhe të më jepet leja e lartë prej Sulltanit, do të tregoj gjithë përkushtimin tim dhe kujdesin më të përsosur për të qenë sërish mes peshkatarëve të perlave në këtë det të pafund
Dhe Ai i lehtëson dëshirat!
Paqja qoftë mbi të lumët!




