Persekutonte ish-të fejuarën duke provuar në çdo mënyrë për të gjetur një mënyrë afrimiteti me të. Por 23-vjeçari i është shndërruar në një makth të resë, duke i kufizuar jetën dhe duke i cenuar lirinë. Nga ana e forcave të policisë është vënë në pranga Klauden Muçogllava, i cili ndonëse në vitin 2013 është ndëshkuar me gjobë nga Gjykata, nuk ka pranuar të heqë dorë nga lidhja e tij duke mos kapërcyer dot ndarjen dhe ndërprerjen e komunikimit. Uniformat blu bëjnë me dije se Muçogllava ishte i shpallur në kërkim, pas vendimit të masës së sigurisë arrest me burg. Mësohet se ka qenë vetë e reja me inicialet A. G., e cila ka bërë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Tiranës. Nga burime bëhet me dije se e reja nuk po duronte dot më presionin psikologjik dhe kufizimin e lirisë nga 23-vjeçari, i cili nuk pranonte dot ndarjen. Nga verifikimet e akuzës ka rezultuar se 23-vjeçari ishte i dënuar për të njëjtën çështje në vitin 2013 nga Gjykata e Tiranës.
Vendimi i dënimit
Në datën 27.2.2013, rreth orës 22:00, Klauden Muçogllava ka shkuar tek banesa e shtetases G. G., e cila është mamaja e të dëmtuarës A. G. I pandehuri ka tentuar të hyjë me forcë në banesë, me qëllim për të takuar shtetasen A. G., me të cilën ka qenë i fejuar prej dy vjetësh. Pas refuzimit të kallëzueses i pandehuri, i nxehur ka goditur xhamat e dyqanit të shtetases G. G., i cili ndodhet ngjitur me banesën dhe si rezultat janë dëmtuar dhe thyer pesë xhama të këtij objekti. Gjithashtu, shtetasja A. G. ka paraqitur ankim me procesverbalin e datës 2.4.2013 se është shqetësuar në mënyrë të vazhdueshme në numrin e saj celular dhe nga tre sms shqetësuese në orët e vona të natës nga i pandehuri Klauden Muçogllava. Është bërë këqyrja e telefonit të ankueses A. G., ku ka rezultuar tre sms shqetësuese të marra në orë të vona, pas ngjarjes së datës 27.2.2013, nga numri telefonik që dispononte i pandehuri Klauden Muçogllava. Është pyetur si deklarues në prokurori ky shtetas në lidhje me posedimin dhe përdorimin e këtij numri celular. I pandehuri Klauden Muçogllava ka pranuar edhe vetë në deklarimin e tij të datës 28.4.2013 se është ai që ka telefonuar në mënyrë të vazhdueshme nga celulari i tij të dëmtuarën A. G., por se telefonatat ai i ka bërë në gjendje të dehur dhe ndjehet shumë i penduar.
Grabitja/ Vëllai i Agron Kosiqit: Hajdutët e lidhën vëllain me kunatën, presion dhe dhunë
Një ditë pas grabitjes së armatosur së ndodhur në Kamëz, flet njëri nga të afërmit e çiftit Kosiqi, i cili rrëfen atë çka ka mësuar. Kanë qenë katër persona të armatosur, të cilët duke shfrytëzuar momentin që dera e banesës ishte hapur janë futur brenda. Autorët e maskuar kanë lidhur çiftin, duke i bllokuar duart dhe gojën. Ndërsa zgjodhën si strategji që ta ndanin çiftin, duke i bërë presione të formave të ndryshme dhe kërcënime për t’u zbuluar vendin se ku ndodheshin lekët. Përballë refuzimit të çiftit autorët i kanë qëlluar me qytën e armës dhe me shqelma, por as kjo formë nuk ka funksionuar. Të vetmet fjalë që shqiptonin autorët ishin lekët, ndërsa me njëri-tjetrin komunikonin me shenja. “Duke parë që askush nuk pranonte të fliste, atëherë autorët ngjitën gruan në katin e dytë, duke i thënë se e kishin vrarë vëllain. E tmerruar dhe duke mos ditur se çka kishte ndodhur, kunata ka treguar. Dyshoj se mund të kenë vjedhur rreth 10 milionë lekë. Vëllai ka plagë të shumta në trup dhe është ende në mjekim në spital”, – tregon vëllai i Agron Kosiqit. Ndërsa ka dyshime se denoncimi është bërë nga fqinja e të grabiturit, e cila pasi ka pikasur autorët ka njoftuar policinë. Por ky informacion nuk është ende i sigurt, pasi mbetet në rangun e fjalëve. Sipas policisë, autorët kanë qenë të maskuar dhe të armatosur. Dyshohet se mund të jenë larguar në këmbë, pasi kanë marrë lekët.





