Anxhela Tato
Kërkesa për gjykim e akuzës, Sami Selfo dhe Edmond Lleshi legalizuan një ndërtim pa leje në segmentin Vlorë – Orikum
Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim çështjen ndaj dy ish-zyrtarëve të lartë të ALUIZNI-t Vlorë, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”, ish-drejtorit Sami Selfo dhe ish-përgjegjësit Edmond Lleshi. Dy ish-zyrtarët e ALUIZNI-t Vlorë, Selfo dhe Lleshi, akuzohen se kanë legalizuar një ndërtim pa leje në rrugën Vlorë – Orikum, në kundërshtim me ligjin. Objekti është përfituar nga A. M., edhe pse në klasifikimet e kryera nga vetë punonjësit e ALUIZNI-t cenonte rrugën nacionale, për shkak të distancës shumë të përafërt sesa lejohej. Objekti ende i papërfunduar ndodhet në anën perëndimore të rrugës nacionale Vlorë – Orikum, mbi strukturën e bregut të detit. Dy katet e para i ka të puthitura me murin mbajtës të rrugës nacionale. Këndi verior i platformës sheshpushim i shkallëve të zbritjes për katet e objektit ka distancë 1.7 m nga rruga nacionale. Më në lindje të këtij objekti ngrihen dy kolona betoni të shkëputura nga shkallët, ku kolona veriore ka distancë 6.8 m nga muri mbajtës i rrugës dhe kolona jugore ka distancë 1.8 m po nga ky mur. Lidhur me katin e tretë, distanca nga këndi verior i kësaj faqe nga tek rruga është 3.4 m, nga këndi jugor të rruga është 3 m dhe nga pika e mesit të kësaj faqe 3.6 m. Me urdhrin e brendshëm të 12 korrikut të kaluar të drejtorit të kësaj agjencie, Sami Selfo është urdhëruar vazhdimi i procedurave administrative të procesit të legalizimit për këtë objekt. Gjatë marrjes në pyetje, Edmond Lleshi ka justifikuar veten në lidhjet me akuzat se detyra e tij si përgjegjës i Zyrës së Legalizimit dhe Urbanistikës ka qenë kontrolli i dokumentacionit tekniko-ligjor dhe financiar të dosjes. Ndërsa për sa i përket plotësimit të aktit të kualifikimit, ai ka shpjeguar se plotësimi i rubrikës së titulluar “Cenon sistemin rrugor kombëtar” ka qenë detyra e sektorëve që ai drejtonte. Sami Selfo është drejtori i dytë i ALUIZNI-t Vlorë që dërgohet për gjykim nga Prokuroria Vlorë, pasi tre muaj më parë është dërguar për gjykim edhe ish-drejtori tjetër i mëparshëm Roland Tafilaj.
Dosja
Në kuadër të veprimeve hetimore është sekuestruar dosja e legalizimit, nga studimi i së cilës rezulton se Bashkia Vlorë ka regjistruar vetëdeklarimin e datës 10.11.2006 të shtetasit A. M. për legalizimin e një objekti banesë familjare me sip ndërtimi 800 m², numri i kateve mbi tokë 1, viti i ndërtimit 2003. Me shkresën datë 12.4.2013, Drejtoria e ALUIZNI-t Vlora 1, ka dërguar propozimin pranë Drejtorisë së Përgjithshme ALUIZNI Tiranë për kalimin në pronësi të parcelës ndërtimore në favor të poseduesit A. M. Me urdhrin e brendshëm drejtori i këtij institucioni, personi nën hetim Sami Selfo ka nxjerrë urdhrin e brendshëm “Për pezullimin e procedurave të legalizimit të objektit informal të vetëdeklaruar nga shtetasi A. M.”, ku një ndër shkaqet e pezullimit është mosrespektimi i distancave të objektit nga aksi rrugor kombëtar dhe vendndodhja e tij shumë pranë vijës bregdetare, ku është lënë si detyrë ngritja e një grupi pune për verifikimin e situatës teknike-juridike të këtij objekti informal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka anuluar aktin administrativ. Me Urdhrin e Brendshëm të Sami Selfo është urdhëruar vazhdimi i procedurave administrative të procesit të legalizimit për këtë objekt. Më datë 13.7.2013, nga Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Vlorë janë mbajtur procesverbali i konstatimit dhe akt-kualifikimi për objektin trekatësh, për aktivitet social-ekonomik me parcelë ndërtimore 320 m², sipërfaqe bazë e objektit 293 m², ndërtuar në tokë shtetërore. Në procesverbalin e konstatimit rezulton se largësia e objektit nga rruga është 5.6 m dhe në aktin e kualifikimit, në rubrikën “Cenon sistemin rrugor kombëtar” është bërë shënimi se ky kriter është respektuar. Këto procesverbale janë nënshkruar nga përgjegjësi i zyrës së Legalizimit dhe Urbanistikës Edmond Lleshi dhe Drejtori i ALUIZN Sami Selfo. Më datë 17.7.2013 është lidhur nga Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë kontrata e kalimit të pronësisë të parcelës ndërtimore me blerësin A. M. dhe më datë 18.7.2013 është nxjerrë leja e legalizimit për objektin në fjalë, mbi bazën e së cilës kjo pasuri është regjistruar në ZVRPP Vlorë në regjistrin hipotekor, datë 9.9.2013. Nga informacioni i marrë nga Drejtoria e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë rezulton se për zonën ku është legalizuar objekti në zonën kadastrale 8602 i shtetasit A. M. nuk ka të miratuara studime urbanistike.




