Gëzim Saliu
“Detyrë e PD-së t’u përgjigjet shpresave që qytetarët kanë për mirëqenie, zhvillim dhe integrim”
Qeverisja e majtë ka dështuar në realizimin e çdo premtimi, duke sjellë përkeqësim të situatës në çdo aspekt, përfshirë këtu edhe emërimin në poste drejtuese të administratës të personave me precedentë penalë. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në kuvendin zgjedhor të Dibrës, duke theksuar nga ana tjetër se alternativat e ofruara nga kandidatët në garat për drejtues të forcës më të madhe opozitare janë vlerë për partinë dhe për vendin. Sipas liderit të demokratëve, pa alternativë nuk ka vlera. “E ku e shohim këtë më qartë se tek Rilindja. U turrën të rrejnë e të gënjejnë për 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, legalizim falas rend brenda 300 ditëve. Asnjë alternative, asnjë vlerë dhe kjo është arsyeja se vlera nuk është parimi i kësaj qeverie. Kjo është arsyeja se pse po vërshojnë kriminelët e po emërohen në poste drejtuese. Sepse vlera nuk ka asnjë vlerë për këtë qeveri”, – tha Basha, i cili shtoi se qytetarët po përballen sot me papunësi në rritje, varfëri, pasiguri për jetën dhe mungesë shprese për të ardhmen.
Alternativa e PD-së
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, me situatën e krijuar nga qeveria e majtë, del si detyrë e forcës më të madhe opozitare t’u përgjigjet shpresave që qytetarët kanë sot për mirëqenie, zhvillim dhe integrim. “Nuk kemi detyrë vetëm të mbrojmë vlerat e lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut. S’jemi thjesht gardianë, ne jemi promotorë të zhvillimit përmes punës së ndershme, përmes virtyteve më fisnike të njeriut. Ne kemi detyrë të madhe t’i japim krahë, shpresë dibranëve dhe gjithë shqiptarëve të lirisë, të zhvillimit, të mirëqenies, të standardit evropian dhe të barazisë para ligjit për çdo shqiptar”, – theksoi Basha. Në të gjitha takimet e kuvendeve zgjedhore të degëve të PD-së, kryedemokrati ka theksuar rëndësinë e votës së lirë dhe vendosjes në krye të drejtuesve me integritet politik dhe moral e përfaqësues të alternativës së forcës më të madhe opozitare për zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu, ai ka vënë theksin tek shprehja e lirë e mendimit dhe debatit në kuadër të analizës për humbjen e zgjedhjeve të 23 qershorit, pasi sipas Bashës, vetëm në këtë formë PD do të mësojë nga gabimet e së shkuarës dhe do të eci përpara. Në këtë kontekst, përfaqësuesit e lartë të PD-së kanë pohuar se nuk do të ketë “koka turku”, porse përmes këtij procesi do të synohet përmirësimi dhe evidentimi i të gjitha atyre hapave, vendimeve si edhe strategjive që nuk dhanë rezultat. Ndërsa analiza e humbjes po merr kohën e saj, një pjesë e mirë e degëve të PD-së e kanë zgjedhur tashmë kryetarin, duke nisur nga Mati, Saranda, Lushnja, Tropoja, Hasi, Librazhdi, Peqini, Shijaku, Kuçova, Mirdita, Kavaja, Elbasani, Korça, Pogradeci, Devolli, Fieri, Patosi, Lushnja, Tepelena, Përmeti, Mallakastra, Mirdita, Lezha, Kurbini si edhe Dibra. Pasi të mbyllet ky proces për thuajse një javë, ku për Tiranën pritet që zgjedhjet të përfundojë pas më shumë se dy javësh, PD do të mbledhë kuvendin kombëtar, i cili do të zgjedhë Këshillin Kombëtar, organin që do të vendosë për ekipin e ri drejtues të forcës më të madhe opozitare.
Denoncimi/ PD: Arbitrariteti i qeverisë solli katastrofën e Ksamilit
Dy javë më parë, në nisjen e sezonit turistik, INUK hodhi në erë një ndërtim prej druri në ishullin e Ksamilit, duke shkaktuar një zjarr që solli dëme të mëdha në bimësinë dhe në bregdetin e perlës së Jonit. Këtë akt Partia Demokratike e cilësoi dje si një sjellje të dhunshme dhe arbitrare, duke shkaktuar sipas saj, katastrofën mjedisore që do të kërkojë dhjetëra dhe qindra vite që të rigjenerohet. Koordinatori për ndihmë ligjore në Partinë Demokratike, Ervin Salianji, vizitoi dje zonën dhe dëgjoi shqetësimet e banorëve dhe të turistëve të huaj, duke theksuar dëmet e mëdha që ky akt shkaktoi tek turizmi i kësaj zone. “Me një buton eksplozivi qeveria rrafshoi perlën e Jonit. Me një buton eksplozivi qeveria e fshiu nga harta turistike ishullin e Ksamilit. Kjo ndërhyrje ka sjellë pasoja të pariparueshme dhe katastrofike jo vetëm për zhvillimin dhe banorët e Ksamilit, por për të gjithë turistët vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur si denstinacionin e tyre turistik brigjet e bukura dhe ishujt e Ksamilit. Me dashje dhe papërgjegjshmëri absolute autoritet e qeverisë kanë bërë një ndërhyrje të panevojshme në një strukturë druri lehtësisht të çmontueshme, duke i vënë zjarrin të gjithë ishullit. Pamjet flasin vetë”, – tha ai. Ndërkaq, sipas Salianjit, INUK jo vetëm shkaktoi dëm të madh në ishull, por edhe nuk ka marrë asnjë masë për të vënë në vend rrëmujën e shkaktuar. Kjo sjellje është një prej akteve arbitrare, të paligjshme dhe të papërgjegjshme, që Partia Demokratike i denoncon si akte të autoriteteve që e ndiejnë veten mbi ligjin dhe mbi qytetarët”, – theksoi koordinatori për ndihmë ligjore në Partinë Demokratike.
Shqipëria në listën e NSA-së/ PD, Bumçi: Nuk ka vend për shqetësim. PS, Qefalia: Jo normale
Qeveria shqiptare dhe ajo kosovare nuk u kanë shpëtuar përgjimeve të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë se SHAB-së, por për këtë akt mazhoranca dhe opozita kanë qëndrime të ndryshme. Sipas ish-ministrit të Jashtëm, Aldo Bumçi, përgjimet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Amerikane nuk vënë në dyshim marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Amerikës dhe, sipas tij, kur përgjimi vjen nga një aleat strategjik, nuk ka vend për shqetësim. “Pavarësia e Kosovës është falë ndërhyrjes së SHBA-së, qëndrimi pro të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, pra interesat tona janë të lidhura me qëndrimin dhe ndërhyrjet që kanë bërë SHBA në këto vite në rajon. Pra, këto interesa janë të ndërthurura, kjo është një praktikë që kryhet nga superfuqia për njohje të marrëdhënieve ndërkombëtare. Mosnjohja krijon përherë perceptime të gabuara. Sa më shumë informacione të kesh, vendime aq më të drejta merren. Kur kjo ndodh nga aleatë dhe partner strategjikë absolutisht është në interesin tonë. Të ndodhte nga vendet e tjera që nuk janë pro interesit të Shqipërisë atëherë do të kishte një tjetër reagim”, – tha deputeti demokrat. Ndryshe nga ai mendon anëtari i Komisionit parlamentar të Sigurisë, Xhemal Qefalia, i cili e cilësoi përgjimin si jo normal.




