Projektligjet/ Shkurtohen kategoritë që mbajnë armë, vrasja e bankierit Santo, debat në Komisionin e Ligjeve

Florenc Drizari

 tahiriHalimi: Kriminelë që lëvizin me motor, vrasin 50 metra larg saj një biznesmen, ç’mund të na thoni zoti ministër?

 Tahiri: Vrasja që ndodhi në Bllok ndaj zotit Santo, ngjarje shumë e rëndë që ka dashur edhe zhurmë. Ne po hetojmë.

 Vrasja e ndodhur pak ditë më parë në zonën e ish-Bllokut ndaj biznesmenit Artan Santo riktheu debatet në Komisionin e Ligjeve. Fillimisht ishte deputeti i opozitës Eduard Halimi, i cili kërkoi nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shpjegime në lidhje me ngjarjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Deputeti i opozitës ngriti akuza për situatën e rendit në vend, duke bërë përgjegjës edhe krerët e qeverisë. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e cilësoi si ngjarje shumë të rëndë vrasjen e biznesmenit Santo dhe kërkoi nga politike mbështetje ndaj hetimit që po kryen organi i akuzës.

 

Halimi-Tahiri

“Kriminelë që lëvizin me motor pa targa me javë të tërë rreth kësaj godine dhe vrasin aty 50 m më larg. Sa nga këto qindra grabitje me armë të ndodhura në këta 6 muaj, sa nga këto 50 vrasje të ndodhura në këta 6 muaj, sa nga këta 13 biznesmenë që janë vranë në këta 6 muaj dhe nuk janë zbuluar zoti ministër?”, – deklaroi deputeti i opozitës, Eduard Halimi. Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u shpesh: “Sa i përket ngjarjes së fundit që ndodhi në Bllok për zotin Santo, është sigurisht një ngjarje shumë e rëndë që pa asnjë dyshim, ai që e ka bërë, ka dashur edhe zhurmë përveç vrasjes. Ne po hetojmë, hetimet janë shumë të vështira, Prokuroria po drejton hetimet dhe ka nevojë për nxitje më të fortë. Bëhuni bashkë me Policinë e Shtetit”. Këto qëndrime u mbajtën një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, gjatë shqyrtimit të projektligjeve “Për përdorimin e armëve të zjarrit” dhe draftit “Për armët”. Sipas ministrit të Brendshëm, projektligjet synojnë mbrojtjen dhe shpëtimin e jetës si qëllim parësor, detyrim i cili duhet të udhëheqë jo vetëm punonjësit e policisë, por dhe subjekte të tjera që përdorin armë. Sipas tij, të dy projektligjet e paraqitura, ai “Për përdorimin e armëve të zjarrit” dhe “Për armët”, rregullojnë cilësisht më mirë çështjen e armëve me leje dhe përdorimin e tyre në rastin kur kërcënohet jeta e një punonjësi policie dhe e një tjetri. Policisë së Shtetit dhe çdo force tjetër do t’i hiqet “Kallashnikovi” si edhe pistoleta “TT” e konsideruar si armë luftarake dhe do të pajisen me armë të tjera. Për të marrë një armë me leje tashmë duhet të kesh patentë për të, ndërsa e drejta për ta pasur u hiqet drejtuesve vendorë, si edhe gjykatësve apo ministrave.

“Ligji i ri vendos si kriter të domosdoshëm dëshminë e aftësisë teorike e praktike për njohjen dhe përdorimin e armës, që do të thotë se nga Policia e Shtetit e deri tek policitë, private deri tek të gjitha subjektet që u njihet e drejta për të mbajtur armë, nuk do mund të mbajnë më armë me potencial maksimal si “Kallashnikov” apo “TT””, – deklaroi Tahiri.

Lidhur me draftin për armët, deputetja Felaj tha se projekti i paraqitur korrigjon të metat në ligjin për armët, duke reflektuar dhe praktikat më të mira të vendeve të rajonit, ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, vlerësoi projektligjet e sjella në komision, si cilësore. Deputetët e opozitës shprehën kritika ndaj drafteve të propozuara, kryesisht mbi gjendjen e sigurisë publike. Pas diskutimeve, Komisioni miratoi në parim dy projektligjet e propozuara, ndërkohë që opozita abstenoi.

 

Debate në Komisionin e Ligjeve

Halimi: Kriminelë që lëvizin me motor pa targa me javë të tërë rreth kësaj godine dhe vrasin aty 50 m më larg, mos më qeshni zoti ministër…
Xhafaj: Pyetje zoti Halimi.
Halimi: Kjo për ne është siguria publike. Sa nga këto qindra grabitje me armë të ndodhur anë këta 6 muaj, sa nga këto 50 vrasje të ndodhura në këta 6 muaj, sa nga këta 13 biznesmenë që janë vranë në këta 6 muaj dhe nuk janë zbuluar zoti ministër?
Tahiri: Nuk merret me armët e paligjshme të shpërndara në popullsi që ia kemi për faturë ati që ke ti mbi kokë që në ’97 hapi dyert dhe e ka katandisur Shqipërisë me të paktën një armë për shtëpi.
Halimi: Të gjithë ata që janë dënuar dhe kanë dalë nga burgu, pse i ke në krah?
Fino: Kryetar, për procedurë!
Xhafaj, Halimit: Pse frikësohesh nga përgjigjja mor zotëri?
Halimi: Jo mor, nuk frikësohem unë.
Xhafaj: Bëre pyetjen, lërë të përgjigjet.
Halimi: Nga ai të frikësohem unë? Nga ai nuk frikësohen horrat që lëvizin me motorë.
Xhafaj: Nga ligji, nga ligji se ligjet që ka sjellë ai janë cilësisht shumë të ndryshme nga ligjet që bënit juve se ju deshët t’i mbanit armët sheshit.
Tahiri: Sa i përket ngjarjes së fundit që ndodhi në Bllok për zotin Santo, është sigurisht një ngjarje shumë e rëndë që pa asnjë dyshim, ai që e ka bërë, ka dashur edhe zhurmë përveç vrasjes. Ne po hetojmë, hetimet janë shumë të vështira, prokuroria po drejton hetimet dhe ka nevojë për nxitje më të fortë. Bëhuni bashkë me Policinë e Shtetit.
Fino: Kam një pyetje për vete dhe për zotin Majko, jo për ata që nuk janë në sallë këtu. Për ata që nuk janë në sallë le t’i kthejë përgjigje ministri. Zoti ministër, ju keni përcaktuar një sërë kriteresh këtu për t’u pajisur me armë, por unë mendoj që kriteret ata i kanë plotësuar ku kanë drejtuar vendin si kryeministra në kohë dhe në vende të ndryshme. Pse ish-kryeministrat të mos kenë armë?
Tahiri: E drejta për t’u pajisur me armë synon mbrojtjen e të drejtës së jetës, pra, që të mos ekzistojë as mundësia që të vrasësh veten.

Këshilli i Ministrave vendim për legalizimin e pallateve Hawai

Këshilli i Ministrave miratoi një ditë më parë vendimin për nisjen e procedurave për legalizimin e pallateve të ndërtuara nga shoqëria “Hawai-Alb”. Në vëndimin e Këshillit të Ministrave kërkohet nisja e proçedurave të legalizimit të ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, të ndërtuara nga shoqëria “Hawai-Alb”, ndërsa theksohet se kjo është në favor të poseduesve të apartamenteve dhe ambienteve me funksion social – ekonomik. Përmes këtij vendimi qeveria i kërkon Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale që brenda dy muajsh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të evidentojë, hartojë dhe publikojë listën e ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, të ngritura nga shoqëria “Hawai-Alb”, sh.p.k., si dhe listën emërore të poseduesve të apartamenteve të banimit dhe ambienteve me funksion social – ekonomik. Pas publikimit të listave u takon poseduesve të tyre të aplikojnë për legalizimin. Procesi do të kryhet në dy faza. Fillimisht Legalizimi dhe regjistrimi i objekteve të ndërtuara nga vetë shoqëria “Hawai-Alb”, dhe më pas legalizimi i shtesave të kryera nga vetë subjektet poseduese. Duke ditur kompleksitetin e kësaj çështjeje në vendim parashikohet gjithashtu që nëse ka konflikte për pronat, mosmarrëveshja të zgjidhet nga gjykata, si dhe pezullim të legalizimit nëse çështja është në proçes gjyqësor. Ndërkaq vendimi parashikon edhe një vlerësim të qëndrueshmërisë konstruktive për shtesat në këto objekte qe do të bëhet nga Instituti i Ndërtimit. Regjistrimi në ZRPP i objekteve bazë të subjektit “Hawai-Alb”, do të kryhet në emër dhe për llogari të ALUIZNI-it dhe përjashtohet nga taksat dhe tarifat e shërbimit. Regjistrimi i njësive individuale, apartamenteve dhe ambienteve me funksion social – ekonomik, si dhe i pjesës takuese të bashkëpronësisë do të kryhet nga poseduesit e tyre me anë të lejes së legalizimit. Ndërsa “Hawai-Alb”, ka detyrimin e pagesës së penaliteteve, të cilat do t’i njoftohen personit të ngarkuar me zbatimin e procedurave të likuidimit të shoqërisë tregtare, përfaqësuesit të saj, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit.

 

Share it :