Tulipanët do të provojnë edhe një herë që janë favoritë për të fituar Kupën e Botës
Sfiduesit do të përballen me meksikanët që kanë treguar se janë një rival mjaft serioz edhe përballë Brazilit
Magjia e fazës së ndeshjeve me eliminim do të vazhdojë edhe sot me ndeshjen midis Holandës dhe Meksikës. Një duel midis dy ekipeve që i ka dhënë shumë këtij komepticoni. Të dyja ekipet kanë ardhur me surpriza, por në mënyra të ndryshme. Amerikanojugorët zhvilluan sfida shumë interesante dhe arritën të merrnin një barazim ndaj Brazilit. Një ekip i konsoliduar dhe me lojtarë pa shumë emër që po zhvillojnë një lojë të bukur. Kurse nga krahu tjetër është Van Gal me tre senatorë (Van Persi, Roben dhe De Jong) dhe brezin e artë të të rinjve. Një habi e madhe për një ekip që duket se nuk kishte ndonjë grup të madh para fillimit. Mirëpo tani është një ndër favoritet kryesore për të qenë fituese. Ndeshja pritet të jetë interesante, edhe pse Holanda duket se ka më shumë forcë për të ecur para.
Van Gal: Lagështia, problem i madh për ne
Tekniku që duket se ka gjetur formulën e suksesit te tulipanët, Van Gal, ka folur për ndeshjen që do të ketë kundër latinëve. Trajneri u shpreh se sfida do të jetë shumë e luftuar, pasi Meksika ka pak a shumë të njëjtat karakteristika me Kilin. Ndërsa në krahun tjetër trajneri tha gjithashtu se problemi i përshtatjes me kushtet atmosferike mund të ndikojë në ndeshje te lojtarët e tij. “Të zhvillosh një ndeshje në kushte të tilla nuk më duket aspak normale. Lagështia këtu është aq e lartë, saqë jam i sigurt se do të ketë ndikimin e saj në këtë sfidë. Meksikanët janë mësuar me situata të tilla dhe besoj se do ta kenë më të lehtë se ne të përshtaten. Para disa vitesh, kur isha trajner i Ajaksit, ishim duke zhvilluar një ndeshje miqësore pikërisht në Meksikë, po në kushte të tilla dhe më kujtohet shumë mirë që futbollistët e mi nuk arritën as të preknin topin. Një gjë është e sigurtë, që do të nevojitet pushimi në mes të çdo pjese loje dhe do të jemi vetë ne që do ta kërkojmë atë. Në kushte të tilla një futbollist mund të humbasë rreth 4 kilogramë nga pesha e tij trupore. Vendimi i FIFA-s për ta luajtur sfidën në këtë orë nuk është normal, megjithatë ne do të zbresim në fushë për të zhvilluar një ndeshje të madhe ku do të synojmë me çdo kusht fitoren”. Në vijim Van Gal foli me fjalët më të mira për kundërshtarin, duke e cilësuar skuadrën e Migel Herrerës një ekip me potencial të madh. “Mendoj se Meksika është një skuadër e ngjashme me Kilin. Madje, duke parë të gjithë ekipin e tyre mund të thuhet se ata janë më të fortë se Kili. Meksikanët luajnë me personalitet dhe çdo lojtar ka cilësi individuale të jashtëzakonshme. Edhe përballë tyre pres një ndeshje si ajo ndaj Kilit. Ata kanë një trajner shumë karizmatik që i motivon shumë futbollistët. Përballë Meksikës do ta kemi shumë të vështirë”.
Guardado: Përballë Holandës, e vështirë
Ndërkohë para ndeshje dje ka folur edhe Guardado. Mbrojtësi është një ndër pikat kyçe ku bazohet skuadra amerikanojugore. Në analizën e tij lojtari tha se sfida ndaj Holandës do të jetë e vështirë, por kjo nuk ul mobilizimin tek ekipi i tij. “Përballë Holandës do të jetë një ndeshje e vështirë për ne. Edhe në fazën e grupeve të gjitha takimet ishin të vështira, sidomos ai ndaj vendasve të Brazilit. Ashtu si në përballjet e mëparshme edhe në këtë sfidë ne do të zbresim në fushën e lojës me një të objektiv të qartë fitoren pasi dëshirojmë të shkruajmë historinë për Meksikën”. Lojtari gjithashtu dhe disa fjalë të mira për kapitenin e tyre, Rafa Markez, duke deklaruar se ai është një shembull për të gjithë skuadrën.
Surpriza Kosta Rika sfidon përvojën greke
Latinët treguan forcën e tyre pas daljes nga grupi i hekurt, ndërkohë që grekët kanë treguar që mund të nxjerrin triumfin me përvojën që kanë
Ndeshja tjetër që pritet me mjaft interes, është edhe sfida midis Greqisë dhe Kosa Rikës. Një duel mjaft interesant midis dy ekipeve që nuk kanë një histori shumë të madhe në kompeticionet ndërkombëtare. Grekët arritën të fitonin Evropianin në mënyrë surprizë në vitin 2004. Ndërkohë që nga ana tjetër Kosa Rika ka qenë një ekip që gjithmonë ka qëndruar në hije. Mirëpo kësaj radhe historia provoi të kundërtën. Kjo pasi skuadra amerikanojugore ishte përgjegjësja për eliminimin e Italisë “së madhe” dhe Anglisë në mënyrë indirekte. Një skuadër shumë e fortë fizikisht dhe me një temperament fitues. Nuk është e ndërtuar me emra të njohur, por ka elementë të rinj që premtojnë shumë për të ardhmen. Një ekip që vrapo shumë dhe arrin të ndërtojë lojë në mënyrë kolektive. E njëjta gjë funksionon edhe për grekët. Nuk kanë aftësinë për të vrapuar si skuadra e Kosta Rikës. Ballkanasit janë një kockë e vjetër me disa lojtarë që kanë shumë eksperiencë, ndërkohë që edhe të rinjtë janë shumë premtues. Këtu mund të përmendim fazën mbrojtëse, e cila edhe pse shumë e re është paraqitur denjësisht. Por pavarësisht këtyre përkufizimeve, Pinto kërkon ta mbajë me këmbë në tokë skuadrën e tij, duke e cilësuar sfidën me përfaqësuesen helene si një duel tërësisht të barabartë.
Pavarësisht se Kosta Rika arriti një sukses të madh në grup, tekniku i latinëve mendon se ekipi tij nuk është favorit. Një deklaratë që kërkon të ulë euforinë te skuadra që tashmë mendon të shkojë larg. “Tashmë të gjithë e njohin Kosta Rikën dhe e dinë se çfarë ne jemi në gjendje të bëjmë. Për sa i përket takimit me Greqinë unë nuk preferoj që ne të konsiderohemi si skuadra favorite. Madje, ne nuk e ndiejmë aspak veten favoritë, pasi e dimë shumë mirë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, ku duhet të japim gjithçka për t’u kualifikuar në raundin tjetër. Rezultatet e ndeshjeve të fundit na japin besim se mund të bëjmë akoma më mirë në këtë Kupë Bote. Ne jemi përgatitur mirë për përballjen me përfaqësuesen helene dhe do ti respektojmë ata në të njëjtën mënyrë siç bëmë me tri skuadrat kampione bote që u ndeshëm në fazën e grupeve”. Ndërsa nga ana tjetër, Manolas i ka kërkuar skuadrës të jetë e kujdesshme, pasi Kosta Rika është një skuadër e fortë. Sipas tij, elementi më i rrezikshëm i latinëve është Kempbell, i cili ka tërhequr shumë vëmendjen me paraqitjet e tij. “Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me Xhoel Kempbell. Ai është një mik shumë i mirë dhe një person i veçantë. SI futbollist ka shumë kualitete dhe është një pikë referimi për kombëtaren kostarikane. Kempbell është i shpejtë ka vizion për lojën dhe në radhë të parë ka aftësi të shkëlqyera finalizuese. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm me të dhe nuk duhet t’i lejojmë aspak hapësira, pasi në të kundërt mund ta pësojmë keq”. Në përballjen mes Kosta Rikës dhe Greqisë kombëtarja amerikanoqendrore është ndjeshëm e favorizuar për vetë faktin se eliminoi skuadra me emër si Italia dhe Anglia, megjithatë Manolas mendon se edhe Greqia ka zhvilluar një Botëror të mirë deri tani dhe ka shanset e saj për t’u kualifikuar në raundin tjetër. “Ata bënë të pamundurën të mundur, megjithatë edhe ne kemi bërë shumë për të mbërritur deri këtu. Do të jetë një përballje e barabartë mes dy skuadrave që do të kërkojnë të shkruajnë historinë”.




