Sonila Mesareja
Padia në Gjykatë kundër vjehrrës, gruaja kërkon të qëndrojë në njërën nga dhomat e shtëpisë bashkë me katër fëmijët, me burrin në proces divorci
Histori me të vërtetë tronditëse dëgjon dita-ditës në Gjykatën e Tiranës. Tradhti, dhunë fizike dhe psikologjike të vazhdueshme, të cilat detyrojnë të konsideruarit viktima t’i drejtohen policisë dhe më pas gjyqësorit për ndihmë. Gjykata herë u vjen në ndihmë dhe herë është e pafuqishme, për shkak të zakoneve që mbartin me vete nga zonat e thella nga vijnë palët në proces. Megjithatë, përmes vendimeve të saj, të paktën në disa raste, Gjykata jep një zgjidhje të përkohshme. I tillë është edhe rasti i një gruaje dhe katër fëmijëve të saj, të ardhur nga Dibra dhe me banim në Tiranë. Ajo i është drejtuar fillimisht policisë për ndihmë, pasi familjarët e burrit i kanë nxjerrë jashtë shtëpisë rrobat dhe katër fëmijët, duke i kërkuar të largohet prej andej. Gruaja nuk kryen asnjë veprim, përveçse njofton policinë, e cila nisi edhe procedurat për hartimin e padisë për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Konflikti
Mes paditëses Lavdie L. dhe Nadire L., nuse e vjehërr, konflikti nisi në momentin që u mësua se bashkëshorti emigrant kishte krijuar një familje paralele në Greqi, ku ishte prej 15 vitesh emigrant. Me gruan e parë ka katër fëmijë, ndërsa kjo e fundit jetonte gjatë kohës që burri emigronte dhe rimartohej, me njerëzit e bashkëshortit. Me të mësuar martesën e dytë, faktike, por ende jo të zyrtarizuar në dokumentacion, për shkak të martesës së parë, mes paditëses dhe burrit nisën grindjet derisa nisën procedurat e divorcit. Pas këtij momenti, njerëzit e burrit nisën presionin për largimin e nuses së parë dhe katër fëmijëve nga shtëpia. Duke parë se kjo nuk po ndodhte, një ditë, ndërsa nusja ishte ende në punë, familjarët e burrit i nxorën në oborr gjithë plaçkat, duke i kërkuar të largohej. Gruaja njoftoi policinë dhe nisën procedurat për mbrojtjen e Lavdie L. nga uniformat blu.
Dëshmia
Sipas dëshmisë së paditëses para Gjykatës, rezultoi se e paditura Nadire L. është nëna e bashkëshortit Florin L., i cili prej 14 vjetësh ka emigruar në shtetin grek. Gruan me katër fëmijët i kishte lënë të jetojnë në të njëjtën banesë me familjarët e tij që prej vitit 2001, pasi më parë kanë jetuar familjarisht në Dibër. Aktualisht, paditësja ka në zotërim dhomën bashkëshortore. Në seancë gjyqësore, paditësja shpjegoi se që nga muaji shtator, marrëdhëniet mes saj, bashkëshortit dhe familjarëve të tjerë janë tronditur, për shkak se Florin L. ka ngritur kërkesë padi me motiv zgjidhje martese, për faktin se paralelisht ka krijuar një familje tjetër në Greqi dhe nga bashkëjetesa ka dhe dy fëmijë të tjerë. Gjatë gjykimit rezultoi se midis palëve dhe familjarëve të tjerë kanë ndodhur disa incidente të cilat Lavdie L. është detyruar t’i denoncojë në polici. Konkretisht, incidentet kanë ndodhur në datat 5.1.2014, 10.3.2014 dhe 30.4.2014. Të gjitha këto incidente kanë ndodhur në banese edhe në prani të fëmijëve të paditëses, duke ndikuar në rëndimin e gjendjes së tyre emocionale. Në incidentin e datës 30.4.2014, e paditura së bashku me familjarët e saj kanë nxjerre rrobat e paditëses nga dhoma ku ajo jetonte së bashku me fëmijët, me pretendimin që ajo të largohej nga banesa së bashku me katër fëmijët. Në momentin që paditësja është kthyer nga puna dhe ka parë rrobat e hedhura në oborr, është detyruar të lajmërojë policinë e më pas ka kërkuar urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje.
Pretendimet
Vjehrra e paditëses ka pretenduar para Gjykatës se banesa është ndërtuar nga bashkëshorti i saj dhe se e paditura nuk ka pjesë në atë shtëpi. Ndërkohë që, pas shkresës nr. 153/1 prot., dt. 31.1.2014, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t rezulton se banesa është në proces legalizimi. Lavdie L. pretendoi se ajo dhe bashkëshorti i saj janë bashkëpronarë në atë shtëpi, pasi kanë kontribuuar që të dy për ndërtimin e saj.




