Sipas kalendarit mysliman, muaji i shenjtë i Ramazanit fillon me 28 qershor dhe dita e parë e Fitër Bajramit është me 28 korrik
Nis sot muaji i shenjtë i Ramazanit. Rreth 1 miliard myslimanë në të gjithë botën nisin agjërimin, që ndryshe njihet si muaji i sakrificës. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, e quajti agjërimin si muajin e paqes dhe të begatisë. “Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit. Nesër është dita e parë e këtij muaji të Bekuar dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit. Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Në këtë muaj të begatë shtohet dashuria për njëri-tjetrin dhe në veçanti në zemrat e besimtarëve mbizotëron dëshira e faljes së gabimeve dhe sjellja me butësi e urtësi. Agjërimi i Ramazanit i afron besimtarët më shumë me vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit dhe çdo besimtar ndihet më afër dhe më mirënjohës ndaj Zotit të botëve”, – theksoi Skënder Bruçaj. Kreu i Komunitetit Mysliman rikujtoi besimtarët për kujdesin dhe vëmendjen që duhet të kenë për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin dhe përkushtimin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre. “Ky muaj i begatë na rikujton kujdesin dhe vëmendjen që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin dhe përkushtimin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre, në mënyrë që në këtë muaj të begatë të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja në të gjitha familjet shqiptare”, – u shpreh Bruçaj. Sipas kalendarit mysliman, muaji i shenjtë i Ramazanit fillon me 28 qershor dhe dita e parë e Fitër Bajramit është me 28 korrik.
Agjërimi
Agjërimi për një mysliman nënkupton të mos hajë, të mos pijë, duke mos marrë asnjë ushqim në trupin e tij. Gjatë këtij muaji besimtarët islamë privohen çdo lloj kënaqësie epshore nga syfyri deri në perëndim të diellit. Kjo përbën anën e jashtme të agjërimit, pasi në brendësi duhet pasur kujdes të veçantë për të mos rënë pre e gabimeve dhe mëkateve. Rregullat e brendshme që duhet t’i zbatojë çdo besimtar gjatë këtij muaji janë: të mos shikojë me epsh, të mos flasë dhe dëgjojë keq si dhe të mos bëjë punë të pahijshme. Përmes kësaj sakrifice njeriu bëhet më i lidhur dhe i varur nga Allahu, duke i shërbyer atij. Në këtë muaj besimtarët kryejnë vepra vullnetare dhe angazhohen në leximin e Kuranit, faljen e namazeve nafile (vullnetare) etj. Qëllimi i agjërimit nuk është stërvitja e trupit që të përballojë etjen e urinë, por stërvitja e trupit për të lënë gjërat e kënaqshme për të kënaqur Allahun. Kënaqësia që kërkohet është arritja e kënaqësisë së Allahut të Lartësuar.
Agjërimi vlen për çdo mysliman të shëndoshë fizikisht dhe psiqikisht, që ka arritur moshën e pubertetit. Fëmijët nuk janë të detyruar, megjithëse e mira është të motivohen që të mbajnë aq ditë sa kanë mundësi. Personat e sëmurë, pleqtë, gratë shtatzëna, nënat me fëmijë në gji, gratë në menstruacione janë të çliruara nga detyrimi për të agjëruar muajin e Ramazanit. Shumë njerëz përmes agjërimit arrijnë në një qetësi të brendshme, që u ka munguar gjatë vitit. Trupi i agjëruesit gjatë këtij muaji provon një lloj ripërtëritjeje dhe ringjalljeje. Agjërimi e ngarkon trupin e njeriut me më shumë detyrime. Besimtarët gjatë këtij muaji bëhen më të durueshëm, më të tolerueshëm, pasi përballen me sfida që duhet t’i kalojnë paqësisht, duke i shërbyer Allahut dhe vetes.
Çelja e iftarit bëhet zakonisht me hurma apo me ujë, gjatë të cilit lexohet duaja e Pejgamberit: “O Zot, për ty agjërova, në Ty besova, Ty të mbështetem dhe me riskun Tënd po çel iftar”. Pastaj thuhet: Bismil-lahir-rahmanir-rahim (Në emër të Allahut, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit). Menjëherë pas hapjes së iftarit, falet namazi i akshamit dhe më pas hahen ushqimet e përgatitura për iftar. Sipas traditës së Muhamedit, gjatë ramazanit bëhet hatme (leximi i plotë i Kuranit).
Këshillat
– Këtë vit, agjërimi për Ramazanin përkon me një periudhë të veçantë stinore me ditë të gjata dhe të nxehta. Besimtarët agjërojnë mesatarisht 16-18 orë në ditë. Gjatë orëve të mesditës, pikërisht atëherë kur edhe temperaturat janë më të larta, është e rëndësishme që të qëndroni në një vend të freskët dhe me hije, të mbrojtur nga dielli. Është e rëndësishme që të plotësohen lëngjet që trupi ka humbur gjatë ditës së agjërimit, duke pirë lëngje përgjatë dhe në fund të vaktit. Uji është pija që rekomandohet në këto raste. Gjithashtu, duhet tëshërbehen ushqime të pasura me ujë, të tilla si supat ose sallatat me perime të freskëta.
– Rekomandohet ngrënia e syfyrit – një vakt i lehtë përpara fillimit të ditës së agjërimit – çdo ditë; kjo vlen sidomos për grupe të veçanta besimtarësh, të tillë si, të moshuarit, të rinjtë dhe adoleshentët, gratë shtatzëna dhe nënat në periudhën e ushqyerjes me gji, si dhe fëmijët që kanë zgjedhur të agjërojnë. Ky vakt, i cili përbën një mëngjes të lehtë, duhet të përmbajë perime, ushqime të pasura me karbohidrate, të tilla si buka, apo produktet e brumit të grurit, dhe të pasura me proteina, siç janë produktet e qumështit (djathë që nuk është i kripur/gjizë/qumësht dhe/ose vezë, shoqëruar me garniturë frutash ose perimesh të gjelbra).
– Gjithashtu, rekomandohet që të mos konsumohen së tepërmi ëmbëlsirat e ofruara pas vaktit të Iftarit. Ëmbëlsirat që përdoren zakonisht gjatë Ramazanit përmbajnë sasi të mëdha të shurupit të sheqerit. Ëmbëlsirat e rekomanduara për konsum janë frutat me përmbajte të lartë uji të tilla si shalqini ose pjepri, apo edhe ndonjë frut tjetër i stinës, si p.sh. pjeshkat apo nektarinat.
– Besimtarët duhet të përpiqen për të pakësuar konsumin e ushqimeve të bollshme me yndyrë, veçanërisht mishrat e pasura me përbërje dhjamore, ushqimet që përmbajnë brumë pudre ëmbëlsirash apo me yndyrë/margarinë ose gjalpë të shtuar. Në vend të skuqjes apo fërgimit, është e këshillueshme që të përdoren metoda të tjera gatimi, të tilla si, vlimi në avull, gatimi në salcë, fërgimi me përzierje vaji në një sasi të vogël dhe pjekja.
– Është veçanërisht i këshillueshëm kufizimi i ushqimeve që përmbajnë sasi të mëdha kripe, si p.sh., salçiçet, mishi i përpunuar e i kripur dhe produktet e peshkut, ullinjtë dhe turshitë, ushqimet e shpejta dhe të lehta, djathërat e kripur, llojet e ndryshme të biskotave të thata të gatshme, sallatat dhe salcat (si majonezë, mustardë, ketchup). Gjatë përgatitjes së vaktit, rekomandohet ulja sa më shumë që të jetë e mundur e përdorimit të kripës, dhe sigurisht, rekomandohet, madje, edhe largimi i kripores nga tryeza e ngrënies.
– Për të përmirësuar shijen e ushqimeve të vaktit, mund të përdoren erëza të ndryshme bimore, të cilat e pasurojnë me aromë dhe shije ushqimin që gatuhet.
– Rekomandohet ngrënia ngadalë, dhe në sasira të përshtatshme me nevojat e gjithsecilit. Vaktet e rënduara me ushqim të tepërt shkaktojë urth dhe siklet.
– Është gjithashtu e këshillueshme që të mos teprohet duke humbur shumë kohë dhe energji me përgatitjen e shumë gjellëve për iftarin – vaktin që ndërpret agjërimin; pothuajse gjysma e ushqimeve të përgatitura, shpesh, shkon dëm.
– Rekomandohen përpjekjet për të lëvizur sa më shumë që të jetë e mundur dhe për të qenë energjikë gjatë mbrëmjeve, për shembull, duke dale rregullisht për një shëtitje të përditshme.
Shembull i një vakti – iftar
Supë perimesh e gatuar në shtëpi (jo nga përgatesat që tregtohen me supë-pluhur)
Sallatë lakër ose ndonjë lloj sallate me perime të tjera sipas pëlqimit
Perime të mbushura (kungull/patëllxhan/gjethe rrushi)
Gjoks pule i pjekur
Sasi të mjaftueshme uji të pijshëm; ndërkohë që mund të shtohen për të përmirësuar shijen, edhe feta limoni apo gjethe nenexhiku
Shembull i një vakti – syfyrDy feta buke
Omëletë me perime ose vezë të ziera fort
Feta të përgatitura nga dy perime të ndryshme
Gjizë ose djathë me erëza dhe vaj ulliri
Çaj bimor
Sasi të mjaftueshme uji të pijshëm




