Gëzim Saliu
Ministrat e Jashtëm të Spanjës, Lituanisë dhe Suedisë: Mbështesim Shqipërinë për statusin
Bashkimi Evropian jep sinjale pozitive për Shqipërinë, në prag të vendimit të sotëm për statusin kandidat. Para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, ku dje u diskutuan çështje të ndryshme problematike në Evropë, kryediplomatët e Spanjës, Suedisë e Lituanisë shprehën mbështetjen e tyre ndaj Shqipërisë për marrjen e statusit. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Manuel Garcia Margallo, ka deklaruar: “Kemi mendim pozitiv për Shqipërinë”. Në të njëjtën linjë me të kryediplomati i Lituanisë theksoi se shpreson për një vendim pozitiv për vendin. Ndërsa ministri i jashtëm suedez Karl Bildt ka thënë se vendimi për Shqipërinë është në proces. “Është e drejtë. Shqipëria, vitet e fundit, ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme. Statusi i kandidatit është i domosdoshëm pikërisht që këto reforma të iniciuara të kenë një vijimësi. Për ne është e rëndësishme, sepse ne kemi lidhje të ngushta me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dëshirojmë që ndaj këtyre vendeve të rajonit të ruhet dhe të njihet perspektiva e integrimit evropian”, – theksoi nga ana tjetër Sebastian Kurc, ministri i Jashtëm i Austrisë. Vendimi i statusit kandidat për Shqipërinë do të shqyrtohet zyrtarisht sot paradite në Këshillin për Çështjet e Përgjithshme, i cili përgatit edhe konkluzionet për samitin evropian të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.
Vendimi
Ndryshe nga dhjetori i vitit të kaluar, kur 5 vende, përfshirë Holandën, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe dhe Danimarkën, votuan kundër marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria, situata për vendin paraqitet më pozitive në prag të vendimit të sotëm të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së. Tashmë Gjermania, Holanda e Danimarka kanë bërë të ditur votën e tyre mbështetëse ndaj Shqipërisë, e ndërsa të vetmet shtete që nuk janë shprehur publikisht lidhur me këtë çështje janë Britania e Madhe dhe Franca. Ndërkaq, pas vizitës së Kryeministrit Rama në Paris, ku zhvilloi një takim me Presidentin e vendit, Hollande, duket se shanset e një përgjigje pozitive nga Franca janë të shumta. Nga ana tjetër, Britania e Madhe ka mbështetur arritjet e deritanishme të vendit, duke vënë theksin tek rëndësia ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në takimin e fundit mes ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, dhe ministrit të shtetit për Çështjet Evropiane, Lidington, tha se Britani mbështet politikën e zgjerimit në BE, dhe aspiratën e Shqipërisë për të qenë pjesë e Unionit, por kjo duhet të jetë e bazuar sipas tij në evidence të arritjeve konkrete, pra në bazë të meritave të një vendi. Në rast se në mbledhjen e sotme, Këshilli i ministrave të Jashtëm vendos pro dhënies së statusit kandidat ndaj Shqipërisë, fjala e fundit do ti takojë më udhëheqësve të vendeve anëtare të unionit të cilat do të takohen në datat 26 dhe 27 qershor në një samit në Bruksel, ku do të diskutojnë edhe për Shqipërinë. Në përgjithësi vendimi i marrë nga këshilli i ministrave të Jashtëm është miratuar në mbledhjen e krerëve të Unionit, e në rast se kjo ndodh, Shqipëria pas marrjes së statusit do të nisë negociatat me BE-në për anëtarësim, procedurë kjo që do të kërkojë shumë kohë. Ndërkaq duhet theksuar se Shqipëria është i pari vend në historinë e zgjerimit të BE-së, të cili i refuzohet statusi kandidat për katër vite me radhë. Dhënia e statusit kandidat për një vend potencialisht kandidat për anëtarësimin në BE është një vendim politik, pa ndonjë efekt.




