Driçim Çaka
Punonjësit e papaguar të familjes, që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, paguajnë kontribut për barrëlindje dhe për pensione mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi.
Ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore propozojnë një sërë ndryshimesh për sa u përket përfitimeve të çdo kategorie. Midis këtyre ndryshimeve përfshihen dhe përfitimet nga barrëlindja, aksidentet në punë apo sëmundjet. “E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve”, – parashikon ligji i ri. E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është: 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes dhe 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim. Këto të ardhura do ti përfitojnë edhe gratë që janë të vetëpunësuara në bujqësi. “Për periudhën deri në barazimin e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi me të vetëpunësuarit në aktivitete jobujqësore, e ardhura për barrëlindje caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, – përcaktojnë ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore. Personat e tjerë ekonomikisht aktivë janë të detyruar të paguajnë kontribut mujor për barrëlindje dhe për pensione të llogaritura për një pagë jo më të vogël se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale kontributive. Punonjësit e papaguar të familjes, që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, paguajnë kontribut për barrëlindje dhe për pensione mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi.
Rastet e veçanta
Nëna, që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë. Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes. Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna. Nënat, që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.
Aksidentet në punë
Personat e siguruar, në rastet e aksidenteve në punë ose sëmundjeve profesionale, përfitojnë të drejtën e së ardhurës, pavarësisht nga vjetërsia në punë. Kështu të aksidentuarit përfitojnë të ardhura për kujdes mjekësor shtesë dhe riaftësimi në rast paaftësie. Të ardhura për kompensim për dëme të arsyeshme si dhe të ardhura shtesë në rast vdekjeje.
Sëmundjet
Të ardhurat për sëmundje janë 70 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës, kur i siguruari ka deri në 10 vjet sigurim dhe 80 për qind kur i siguruari ka mbi 10 vjet sigurim. Për periudhën që përfituesi është shtruar në spital, kur nuk ka njeri në ngarkim, të ardhurat për sëmundje janë 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës.
Kompleksi arsimor
Kuvajti, 3 milionë euro Bashkisë së Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në takim një delegacion parlamentar nga Kuvajti, të kryesuar nga Saud Nashmi Al-Huraije. Kryebashkiaku shprehu mirënjohje për mbështetjen që Kuvajti i ka dhënë Bashkisë së Tiranës në realizimin e disa projekteve të rëndësishme për qytetin, si sheshi “Skënderbej”, konkursi për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës etj. Kryebashkiaku Basha falënderoi Kuvajtin dhe për vendimin më të fundit, për të financuar me 3 milionë euro, ndërtimin e një kompleksi edukimi në rrugën “Don Bosko”. Projekti parashikon ndërtimin e një shkolle 9-vjeçare, një shkolle të mesme, një kopshti dhe çerdhe të integruar, si dhe ndërtimin e një qendre sociale multifunksionale. Kuvajti, tha Basha ka dhënë një ndihmë të madhe për shqiptarët në momente të vështira pas rënies së regjimit komunist, apo gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka kërkuar nga parlamentarët kuvajtian të nxisin investitorët e tyre për të shtrirë aktivitetin në Tiranë, ndërsa e konsideroi kryeqytetin e shqiptarëve një destinacion atraktiv për vizitorët kuvajtian. Parlamentarët kuvajtian, duke shprehur kënaqësinë e takimit me kryebashiakun Basha dhe të bashkëpunimit të deritanishëm theksuan gatishmërinë e Kuvajtit për çdo projekt të Bashkisë së Tiranës, si dhe për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik. “Tirana është një qytet që ia vlen të vizitohet dhe investohet”, – deklaruan parlamentarët të cilët u angazhuan të nxisin investitorët e tyre të investojnë në Tiranë.




