Gëzim Saliu
“Do të propozohet reformë reale. Metodologjia do të nisë me decentralizimin, i cili do të pasohet nga harta”
Partia Demokratike ndryshon strategjinë e saj lidhur me qëndrimin për reformën territoriale, të cilën mazhoranca kërkon ta mbyllë brenda këtij sesioni parlamentar, duke dalë përballë të majtëve me një alternativë specifike. Pasi kanë kërkuar me ngulm që mazhoranca të pranojë kërkesën për konsensus deri në votimin në Parlament të reformës, demokratët do të nisin të hënën konsultimet me qytetarët, ku në qendër të bashkëbisedimeve do të jetë thithja e opinioneve dhe mendimeve që do të paraqiten në takime. Ndërkaq duke se deklaratat e kryetarit Basha në fillim të javës, se opozita do të mbështesë të gjithë protestat në vende të ndryshme të vendit për reformën territoriale, kanë të bëjnë edhe me përfshirjen e qytetarëve në alternativën e PD-së, që do të bëhet publike para mbylljes së sesionit parlamentar. Burime pranë selisë blu bën të ditur dje se kanë nisur përgatitjet për këtë alternativë të re, ku si shtyllë qendrore e realizimit të saj do të jetë thellimi i decentralizimit dhe zgjerimi i autonomisë vendore. Sipas PD-së me rëndësi parësore është që komponenti administrativ i reformës të jetë primar e ndërsa ai territorial të vij më pas. Ndërkaq, deputeti demokrat Aldo Bumçi tha dje se për PD-në është i domosdoshëm kontakti që do të nisë me qytetarët për të ndërtuar draftin e opozitës, i cili do paraqitet si alternativë përballë atij të mazhorancës. Ai bëri të ditur për “ABC News” se hartimi i alternativës së demokratëve do të nisë ndryshe dhe do të ndjekë një tjetër metodologji nga ajo e qeverisë. “Do propozojmë reformën reale. Metodologjinë, do nisim me decentralizimin, e cila pasohet me hartën dhe jo anasjellas. Kjo energji e krijuar në zgjedhjet brenda partisë, e gjej jo si problematike, por si shumë të përshtatshëm,që nga një proces kalojmë tek tjetri”, – tha deputeti i PD-së.
Çfarë kërkon PD
Opozita kërkon nga qeveria që të rishikojë qëndrimin e saj për reformën administrative territoriale, pasi, sipas saj, me variantet e përgatitura nga mazhoranca do të prodhohet vetëm rishikim i kufijve dhe jo thellim i decentralizimit e zgjerim i autonomisë vendore. Sipas demokratëve, qeveria ka prodhuar një pseudoreformë territoriale, duke lënë pas atë që është më thelbësore, pjesën administrative. Më parë kreu i PD-së ka bërë të ditur se opozita ka kërkuar një reformë dobiprurëse ku në qendër të saj duhet të jetë decentralizimi e autonomia vendore. Po ashtu Basha ka shprehur kritikë edhe ndaj varianteve të propozuar nga qeveria për ndarjen e re, duke theksuar se varianti qeveritar, i paravendosur, bazohet tek 36 rrethet. “Variantit bazë me 36 rrethe, qeveria i ka vënë një numër prej 3 deri 11 njësish të krijuara artificialisht si shkëputje nga rrethet përkatëse për të dalë zyrtarisht gjoja me 2 variante, atë me 39 bashki dhe atë me 47 bashki. Mes këtyre 3-11 bishtave gjen edhe hilerat elektorale, gjen edhe spekulime të shumëfishta siç është shkëputja e Himarës nga pjesa tjetër e rrethit Vlorë dhe bashkimi i saj me Vranishtin, gjen edhe bashkimet artificiale të disa komunave minoritare si për të thënë se qeveria respekton të drejtat e minoritetit”, – ka deklaruar kryetari i PD-së. Komisioni i posaçëm për reformën administrative-territoriale, i përbërë vetëm nga anëtarët e mazhorancë vendosi rreth një muaj më parë që varianti final për reformën territoriale të jetë ai miks mes 39 dhe 47 njësive të qeverisjes vendore. Projektvendimi i komisionit deri më tani po diskutohet me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe më pas do hartohet projektligji, i cili në fund të muajit korrik pritet të kalojë për votim në Kuvend.
Kërkesat e opozitës
1-Konsensus deri në votimin në Parlament të reformës administrative-territoriale
2-Rishikim i variantit të përgatitur nga mazhoranca, duke vënë theksin tek thellimi i decentralizimit e zgjerim i autonomisë vendore dhe jo vetëm tek rishikimi i kufijve
Variantet e mazhorancës për reformën
-Komisioni i posaçëm për reformën zgjodhi dy variante për reformën territoriale-administrative, atë me 39 njësi dhe ajo me 47 njësi
-Në variantin me 39 njësi, Himara nuk parashikohet njësi më vete
-Sipas variantit me 47 bashki, Tirana nuk do të ketë njësi bashkiake, ndërsa do përmbledhë shumë komuna si Kashari, Ndroqi dhe Petrela. Në variantin 47 edhe Himara e Kamza janë njësi më vete
Rastet e Hoxhës dhe Dajtit
PD, Vorpsi: Për të njëjtën akuzë, zyrtari i Ramës lihet i lirë, ai i Bashkisë në masë arresti
Partia Demokratike ka reaguar dje për vendimet e dhëna nga gjykata lidhur me zyrtarin e qeverisë si edhe atë të Bashkisë së Tiranës, duke akuzuar për dy standard gjykimi. Zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi deklaroi dje se gjyqësori shqiptar dha një sinjal negativ drejt dorëzimit në duart e Kryeministrit Rama, duke i kryer atij një shërbim politik. “Për të njëjtën akuzë, zyrtari i Edi Ramës lihet i lirë nga gjykatësi Artan Laze, ndërsa zyrtari i Bashkisë së Tiranës që drejtohet nga kryetari i opozitës, lihet në masë arresti. Kjo drejtësi preferenciale, e diktuar nga urdhrat politikë të Edi Ramës është një zhvillim shumë negativ për vendin dhe një këmbanë alarmi. Vendimi i sotëm i gjykatës, është parathënia e një kohe të errët ku po zhytet drejtësia, kur gjykatësi zbaton standard të dyfishtë për të njëjtën akuzë dhe për të njëjtat rrethana ligjore”, tha Vorpsi. Sipas saj, gjyqtari Laze është një shërbëtor i kahershëm i Partisë Socialiste,: “por me vendimin e sotëm haptazi preferencial, ai i ka dërguar sinjal të gjithë drejtësisë, se zyrtarët e Edi Ramës nuk mund të hetohen, nuk mund të arrestohen, nuk mund të gjykohen”. Më tej, zëdhënësja e PD-së akuzoi kreun e qeverisë se prej kohësh ka nisur një fushatë sulmi, presioni dhe denigrimi ndaj drejtësisë. “Dhe sot u dha prova e parë se përse Kryeministri po godet gjykatësit. Sepse Kryeministri kërkon të jetë i paprekshëm. Dhe të paprekshëm, kërkon Kryeministri që të jenë dhe zyrtarët dhe sejmenët e tij. Kjo është rilindje”, – përfundoi deklaratën e saj Vorpsi.




