Holanda fiton me vështirësi ndaj australianëve dhe siguron kualifikimin

hollanda festonTulipanët patën një duel shumë të vështirë ndaj australianëve, por Roben, Van Persi dhe Padei ishin ata që zgjidhën gjithçka, duke i dhënë skuadrës kualifikimin e sigurt

Australia me tulipanët luanin ndeshjen e dytë të grupit për të dy kombëtaret. Australia vinin pas humbjes 1-3 me Kilin, ndërsa tulipanët vinin pas fitores së bujshme 5-1 ndaj Spanjës. Të dyja skuadrat e nisin sfidën me një ritëm të lartë. Holanda duket më e qetë në lojën e saj dhe kërkon të rrezikojë me anë të kundërsulmit. Nga krahu tjetër Australia është më e vendosur në fazën në sulm, ndërsa Holanda qëndron në gjysmëfushën e saj. Një shqetësim për Van Galin, i cili duhet të shikojë skuadrën e vet të qëndrojë në pozicion mbrojtës. Një fitore për Holandën do të thoshte kalim në fazën e 1/16-ave, ndërsa një humbje për Australinë do të thoshte lamtumirë Botëror. Në 15 minutat e para ndryshe nga ç’pritej janë australianët ata që dominojnë takimin, ndërsa tulipanët gjenden në vështirësi. Është Van Persi ai që ka rastin e parë, por që pritet mjaft mirë nga Rajani. Pak më vonë këtij kundërsulmi do të vinte edhe goli i cili i duket se qetëson paksa Van Galin. Është Roben që tregohet përsëri hero për skuadrën e tij dhe shënon duke e çuar në tre numrin e golave personalë. Gëzimi i Van Galit nuk do të zgjaste shumë, pasi për të këtë do të kujdesej Kahill. Australiani do të shënonte një supergol, duke barazuar kështu shifrat e takimit. Janë portokallinjtë ata që kërkojnë të kthehen menjëherë në pozitat e favoritit dhe nisen drejt sulmit në kërkim të golit. Mirëpo nuk është e lehtë, pasi mbrojtja australiane reagon mjaft mirë. Është Breshano ai që ka një rast të mirë kundërsulmi, por pa rezultat. Në minutat e fundit të pjesës së parë pas një përplasjeje me Kahillin do të ishte Martinsi ai që do të linte fushën për shkak dëmtimi. Kështu pjesa e parë do të mbyllej me shifra të barabarta.

Fraksioni i dytë do të niste edhe me më shumë intensitet. Ishte Shnajder ai që do të rrezikonte i pari, por topi do të përfundonte ngjitur me shtyllën. Ndërsa pak më vonë do të vinte reagimi i australianëve që do të merrnin një penallti. Do të ishte Jedinak ai që do të shënonte dhe do të çonte skuadrën e tij në epërsi. Një rezultat surprizues ky nga një skuadër që do të dukej se me të vërtetë po bënte një lojë të bukur ndaj një pretendenteje si Holanda. Mirëpo nuk do të vononte shumë edhe kthesa. Kjo, pasi tulipanët e treguan që në sfidën me Spanjën që janë mjaft të fortë dhe është e vështirë që të mposhten. Goli i barazimit do të vinte nga një nga senatorët e Holandës. Ishte kapiteni Van Persi që çoi përpara skuadrën e tij, duke e çliruar pak skuadrën nga ngërçi i krijuar. Pas kësaj dukej se gjërat do të ishin dhe më të qarta dhe skuadra holandeze do të ishte më agresive dhe me në kërkim të golit. Nga ana tjetër, edhe Australia nuk e ndali ritmin dhe vazhdoi që të sprovonte mbrojtjen holandeze me sulmet e shpejta nga krahët. Duele që dhurojnë një futboll të bukur dhe të shpejtë. Loja do të vendosej në minutën e 68-të vetëm 10 minuta nga goli i Van Persit. Do të ishte Memfis Depai, që zëvendësoi Martinsin ai që do të shënonte. I riu do të godiste një top në drejtim të portës, që nuk do të pritej mirë nga gardiani Rajan, i cili do të pësonte kështu golin e tretë. Holanda kalon në epërsi dhe ëndrra e australianëve do të binte poshtë. Pas kësaj ndeshja pati edhe disa raste të mira nga të dy krahët. Holandezët u munduan që të ruanin rezultatin, duke zhvilluar pasime të shumta dhe më pas për të kaluar në kundërsulm. Ndërsa në krahun tjetër, Australia provoi që të sulmonte, por nuk kishte freskinë e njëjtë, kështu që edhe sulmet nuk ishin të një rrezikshmërie të madhe. Janë australianët ata që kërkojnë penallti, por që arbitri nuk ishte i të njëjtit mendim. Pjesa tjetër e lojës do të ishte një orvatje në mesfushë e të dyja skuadrave, por që nuk pati ndryshime. Kështu, sfida mbyllet dhe për Holandën është festë, pasi është e para që kualifikohet për në raundin tjetër. Ndërsa Australia është e detyruar t’i thotë lamtumirë ëndrrës së Botërorit, edhe pse ka edhe ndeshjen e fundit me Spanjën.

 

Khedira: Gjermania duhet të jetë si Reali

Sami Khedira deklaroi se shpirti luftarak i Gjermanisë duhet të jetë sikurse është te Reali i Madridit. Fitorja 4-0 ishte ajo që e pa Gjermaninë të kalonte në krye të grupit G para Portugalisë, por Khedira dëshiron edhe më shumë entuziazëm. “Ne duhet t’i ndihmojmë njëri-tjetrit edhe jashtë fushe. Konkurrenti im më i madh te Real Madridi, Ilarramendi, erdhi dhe më tha para finales së Ligës së Kampioneve se unë e meritoj vendin. Unë dua që të gjithë lojtarët në Gjermani të jenë kështu, që të hyjmë në fushë të qetë e të koncentruar drejt synimeve që kemi”, – ka thënë mesfushori.

 

 Klinsman: Ndaj Portugalisë e vështirë, por jo e pamundur

Trajneri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjermani Jurgen Klinsman, beson se grupi i tij mund t’i shkaktojë një tjetër disfatë skuadrës së Bentos. “Jemi të përqendruar te Portugalia tani. Gana është një histori e të shkuarës. E dinim sa të rëndësishme ishin për ne ato pikë dhe prandaj kemi punuar shumë. Të gjithë e panë që ishte një ndeshje e ndërlikuar, por tani le të mendojmë 100% për Portugalinë. Flasim pa pushim se si mund ta mposhtim këtë ekip me lojtarë të mëdhenj. Është ky objektivi që kemi dhe besojmë se mund t’ia dalim. Me këtë synim do të shkojmë në Manaus, të fitojmë me Portugalinë për të kaluar në raundin tjetër”, – ka thënë ish-ylli i Gjermanisë. Është mjaft i vendosur Klinsman dhe me këto fjalë përpiqet t’u japë zemër amerikanëve, por falë eksperiencës e di se çfarë reagimi pret nga kundërshtarët e radhës. “Portugalia ndodhet në një situatë tepër të vështirë pas asaj disfate me Gjermaninë. Kjo e bën edhe më të fortë sfidën për ne, por kështu është Kupa e Botës. Shanset për të fituar nuk na mungojnë. Shpresoj të kualifikohemi që në ndeshjen e radhës. Më mirë se kaq nuk do të kishte”, – përfundon Klisman.

 

 Marselo: Brazilit iu mohua një penallti

Lojtari i galaktikëve mendon se përfaqësueses së tij iu mohua një penalti në barazimin pa gola kundër Meksikës. Futbollisti i Realit të Madridit u rrëzua në zonë nga Raul Himenez, mirëpo për arbitrin kjo nuk mjaftoi që të akordohej penalti. “Ai më tërhoqi. Po të mos e kishte bërë atë, unë do ta merrja topin. Do të kisha arritur te topi dhe do të kisha krosuar te ndonjëri nga bashkëlojtarët e mi”, – ka shpjeguar Marselo. Nga ana tjetër, mesfushori Bernard ka thënë se gjëja më e rëndësishme e mbrëmjes ishte që Brazili nuk e humbi ndeshjen.

 

 Pepe shoi shpresat e Portugalisë

Argjentinasi Maradona është shprehur me rezerva për sa i përket mbrojtësit Pepe, për kartonin e kuq që e mori në ndeshjen kundër Gjermanisë. Futbollisti i Realit të Madridit reagoi në mënyrë jo të mirë drejt Tomas Mylerit dhe kjo i kushtoi me përjashtim nga loja në takimin që përfaqësuesja e tij e humbi me rezultat 4-0. “Ishte turpëruese që ta shihnim duke vepruar në mënyrë aq të pamend. Është e vërtetë se edhe Myler luajti rolin e tij në kompletimin e atij akti, por nuk ishte nevoja që Pepe të bënte atë që bëri. Joprofesionalizmi i tij shoi çdo shpresë që mund të ketë pasur skuadra e tij për t’u kthyer në lojë”, – u shpreh ish-kampioni i botës.

 

Ksavi në marrëveshje me Al Arabin

Duket se “Revolucion Blaugrana” sa vjen edhe bëhet me konkret. Ashtu siç e ka shprehur presidenti Bartomeu “një ndryshim rrënjësor” dhe gjërat duket se po ecin ashtu siç ishin parashikuar. Para një jave ishte Çesk Fabregas ai që la “Camp Nou”-n për Çelsin, ndërsa tani ai që le Barcelonën është Ksavi Hernandez. Pas 16 vitesh në Katalunjë, ku fitoi gjithçka, mesfushori ka pranuar ofertën e Al Arabit dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Katar. Zyrtarizimi i transferimit do të bëhet pas Botërorit dhe në shtetin arab Ksavi do të përfitojë plot 8 milionë euro në sezon. Ksavi ka zhvilluar 723 ndeshje zyrtare me Barcelonën ku ka shënuar 81 gola. Ndërkohë pas këtij lajmi braziliani i Barcelonës, Dani Alvesh, është shprehur se nuk e sheh dot Barcelonën pa spanjollin. Mbrojtësi i krahut të djathtë ka thënë se me largimin e mesfushorit nga katalanasit atëherë nga “Camp Nou” mund të ikin të gjithë lojtarët e rëndësishëm. Dani Alvesh është shprehur se do të tronditej nëse Ksavi do të linte Barçën, por tanimë kjo tratativë ka marrë fund, pasi spanjolli ka firmosur një parakontratë me Al Arabin.

 

 Maradona: Më ndaluan të hyja në “Maracana”

Maradona akuzoi për keqdashje personelin e shërbimit të “Maracana”-s, që sipas tij i ndaloi hyrjen në impiant për ndeshjen mes Argjentinës dhe Bosnjës. “Nuk deshën që të më linin të hyja”, – u ankua Maradona duke pretenduar se i kishte treguar personelit edhe akreditimin e tij. “Ia tregova personelit të sigurisë në hyrje, por as që e vranë mendjen. Diçka tjetër është të mos hysh, pasi nuk të kanë ftuar, dhe diçka tjetër të të mohojnë aksesin në stadium me keqdashje, siç më ndodhi mua”, – përfundoi akuzën e tij Diego që u detyra të kthehej në hotel për të parë të paktën pjesën e dytë të debutimit të “Albiçeleste”. Nga ana e tyre funksionarët e FIFA-s bënë të ditur se nuk kishin marrë asnjë reklamim në zyrat për aksesin e mediave, duke hipotetizuar se ikona e futbollit argjentinas thjesht kishte ngatërruar vendin e hyrjes. “Nuk na rezulton që Maradonës t’i jetë refuzuar hyrja, në tentativën për t’u futur në “Maracana”. Ndoshta ka gabuar hyrjen, pasi ka vetëm një të tillë për median dhe ai aty nuk është prezantuar”, – bëri të ditur FIFA.

 

 Oçoa: Ndaj Brazilit, ndeshja më e mirë e karrierës

Heroi që mbajti Meksikën në një barazim ndaj Brazilit, Guilermo Oçoa, thotë se performanca ndaj Brazilit ishte ndeshja më e mirë në karrierën e tij deri më tani. 28-vjeçari ishte i jashtëzakonshëm me ndërhyrjet e tij dhe ishte lojtari më i mirë i ndeshjes që Meksika nxori barazim pa gola ndaj Seleçaos. “Po, nuk ka dyshim për këtë ishte ndeshja më e mirë në karrierë. Të luash në një Kampionat Botëror kundër fqinjëve dhe të mbash rrjetën të paprekur nuk është lehtë. Falënderoj Zotin që gjithçka ndodhi ashtu. Jam shumë i lumtur, nuk u dorëzova në asnjë moment dhe vazhdova ta mbaja të mbyllur portën”, – ka deklaruar gardiani që ishte në një mbrëmje fantastike.

Share it :