“Ne kemi ngritur grupin e punës dhe do hidhemi në terren, por ta dijë mirë Edi Rama se ardhja e Papës në Shqipëri do t’i japë një mësim shumë të madh, ajo ditë do të jetë me protesta të fuqishme, nëse Parlamenti nuk fillon dënimet e krimeve të komunizmit”
Pas 20 ditësh, ish-të përndjekurit politikë kanë braktisur grevën e urisë. Sipas grevistëve, kauza e tyre ka ndërgjegjësuar gjithë opinionin publik kundër qeverisë, e cila gjatë gjithë kohës ka qëndruar në heshtje. Ish-të përndjekurit politikë shprehen se beteja e tyre nuk është mbyllur me kaq, por tani do të fillojë. “Duhet të theksoj se kjo grevë nuk ka përfunduar sot (dje), tashmë fillon beteja më e madhe, fillon lufta më e madhe. Ne kemi ngritur grupin e punës dhe do hidhemi në terren, por ta dijë mirë Edi Rama se ardhja e Papës në Shqipëri do t’i japë një mësim shumë të madh, ajo ditë do të jetë më protesta të fuqishme, nëse Parlamenti nuk fillon dënimet e krimeve të komunizmit”, – tha Fatmir Hoxha, kreu i grupit të grevistëve. “20 ditë nga greva e urisë, heshtja e qeverisë tregon se nuk është dakord që të dënohet figura e Enver Hoxhës, heshtja e qeverisë “Rama” nuk kërkon të dënojë krimet e komunizmit. Heshtja e qeverisë me një urrejtje për largimin dhe pushimin nga puna të gjithë fëmijëve të ish-të burgosurve. Heshtja e qeverisë nuk ka dëshirën e mirë pas mashtrimeve parazgjedhore se do t’i shpërblente ish-të dënuarit politikë. Një kryeministër i ardhur me mashtrime nuk ka si të jetë kryeministër”, – theksoi Hoxha. Sipas ish-të përndjekurve politikë, kjo grevë gjeti një mbështetje të veçantë nga e gjithë shoqëria, nga mediat, por edhe nga organizatat ndërkombëtare.
Lënia e grevës së urisë
Ish-të përndjekurit politikë u shprehën se e lanë grevën pas takimit me Presidentin e Republikës Bujar Nishani. “Pas takimit me Presidentin, duke pasur parasysh mbështetjen e tij të pakushtëzuar, duke i quajtur ato legjitime komisioni i grevës vendosi ndërprerjen e grevës pa afat për të vazhduar betejën tonë në forma të tjera në mbështetje të demokracisë së brishtë shqiptare. Të kërcënuar seriozisht nga revanshi enverist i Kryeministrit Rama, që kërkon të rehabilitojë figurën e Enver Hoxhës për të përligjur vazhdimësinë e asaj mënyre qeverisjeje që mirazhet e tij të sëmura po kërkojnë të imponojnë qeverisë shqiptare”, – përmendi Fatmir Hoxha. “Kjo grevë urie bëri të mundur ndërgjegjësimin e shtresës sonë dhe solli si domosdoshmëri krijimin e një lëvizjeje politike të quajtur “Alternativa Nacionaliste”, me anë të së cilës do të çojmë deri në fund impenjimin tonë përballë kombit, historisë dhe brezave të ardhshëm për dënimin e krimeve të komunizmit, që e shkuara e hidhur mos përsëritet”, – u shpreh një tjetër ish-i përndjekur politikë.
Greva
Greva e ish-të përndjekurve politikë nisi në datën 28 maj. Mes përplasjeve me policinë, ish-të përndjekurit arritën të ngrinin çadrën e tyre përballë Parlamentit. Në grevë u futën 18 ish-të përndjekur politikë. Gjatë gjithë ditëve, grevistët janë shoqëruar për në spital për shkak të luhatjeve të tensionit dhe dhimbjeve të shpeshta të kokës. Por, pavarësisht se ishin të moshuar dhe me disa sëmundje, ish-të përndjekurit riktheheshin prapë në çadrën ku zhvillohej greva.
Matura/ Testet e Letërsisë do të rishikohen, por nuk do të ndryshojë vlerësimi
Testet e provimit të Gjuhë Letërsisë do të rishikohen, por nuk do të ndryshojë vlerësimi. Kështu shprehen maturantët, pas takimit që kanë pasur mëngjesin e së hënës me autoritete të Ministrisë së Arsimit. Të rinjtë shprehen të irrituar për vlerësimin që u është bërë, pasi mendojnë që ai është i gabuar, duke e bazuar atë dhe në përgjigjet e çelësit që ka publikuar vetë Ministria e Arsimit dhe Sportit. Në deklaratat e tyre maturantët thonë se gjatë testimit edhe është kopjuar. Edhe këtë vit maturantët nuk kanë të drejtë të ankimojnë për vlerësimin e tyre, por kanë të drejtë që t’u rishikohen testet në rast se konstatohen gabime njerëzore në vlerësim. Ndërkohë, vlerësimi i çdo teze bëhet nga tri grupe vlerësuesish. Ditën e nesërme maturantët do të japin provimet me zgjedhje. Provimet me zgjedhje zgjasin 4 orë.Maturantët që do të japin provim të Maturës Shtetërore njërën nga lendet me zgjedhje, do të fillojnë provim në orën 10:00 dhe do të përfundojnë atë në orën 12:00. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim të cilat vlerësohen me 30 pikë.Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë.
Vizita në Meksiko Siti/ Konsulli i Meksikës, Ylli Ndroqi, me ministrin e Jashtëm, Kuribrena: Rrisim bashkëpunimin
Konsulli i Nderit i Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, Ylli Ndroqi, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Meksiko Siti, ku në takimin e parë, Ndroqi u prit nga ministri i Jashtëm i Meksikës, Jose Antonio Meade Kuribrena. Gjatë takimit konsulli i nderit i Meksikës falënderoi kreun e diplomacisë meksikane për pritjen, ndërsa shprehu dëshirën për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe kulturore mes dy vendeve. Ndroqi e njohu ministrin e jashtëm meksikan me përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar Meksikën në Shqipëri si edhe me mundësitë dhe potencialet që ofron vendi ynë. Nga ana e tij, ministri Kuribrena shprehu gatishmërinë për të çuar para marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai shprehu mirënjohje për punën e Ndroqit si konsull nderi. “Jemi të kënaqur që Meksika ka konsull nderi në Shqipëri një personalitet si ju”, – tha ai. Në fund të takimit, Ndroqi ftoi kreun e diplomacisë meksikane të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u mirëprit pozitivisht nga ministri Kuribrena. Ndërkohë vizita e konsullit të nderit të Meksikës kulmon me takimin e 101 konsujve me Presidentin e Meksikës. Gjatë qëndrimit 4-ditor në kryeqytetin meksikan, Ndroqi do të zhvillojë takime dhe me ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, por edhe me personalitet të tjera të larta meksikane.





