Gëzim Saliu
Basha: Kanë zgjedhur variantin me 36 rrethe, nostalgjia për skemën e ish-komiteteve ekzekutive
“Komisioni parlamentar, noter i rëndomtë. I vuri vulën hartës së përgatitur në sallën e hartave të Ramës”
Opozita kërkon nga qeveria që të rishikojë qëndrimin e saj për reformën administrative territoriale, pasi, sipas saj, me variantet e përgatitura nga mazhoranca do të prodhohet vetëm rishikim i kufijve dhe jo thellim i decentralizimi e zgjerim i autonomisë vendore. Nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat, kreu i PD-së, Lulzim Basha, bëri të ditur se opozita do të mbështesë qytetarët që kanë dalë në protesta kundër asaj që e cilësoi si pseudoreforma territoriale. “Ne kërkuam që një reformë e vërtetë e dobiprurëse duhet të paraprihet nga thellimi i decentralizimit dhe zgjerimi i autonomisë vendore, ndërsa rishikimi i kufijve duhej të vinte si plotësim, mbështetje dhe pasojë. Ne kërkuan që komponenti administrativ të printe dhe ai territorial ta ndiqte. Qeveria e nisi me territorin dhe e bitisi me territorin. Në përpjekjet tona të njohura për ta futur procesin në hullinë e kushtetutshmërisë, konsensusit, gjithëpërfshirjes dhe praktikave të mira, të zbatuara edhe në Shqipëri për reforma të mëdha të kësaj natyre, ne si opozitë e kemi paralajmëruar disa herë qeverinë Rama-Meta se do ta presim në sheshet e protestave mbarëqytetare nëse do të vazhdojë të bëjë shurdhin, nëse do të vazhdojë me eksperimentin e saj të pseudoreformës”, – theksoi kryedemokrati.
Qëndrimi
Sipas kreut të PD-së, rasti i reformës administrative-territoriale nuk është i shkëputur nga gjithë qasja e vjetër e socialistëve, ku theksoi Basha, me ndarjen e re ata synojnë kthimin e skemës së ish-komiteteve ekzekutive me emërtime të reja. “Me këtë qytetarët nuk mund të pajtohen. Për këtë qytetarët po ngrihen. Në Memaliaj, në Përrenjas, në Rrogozhinë, në Leskovik etj, qytetarët dhe personalitetet e komuniteteve vendore, kanë zbritur në sheshet e qyteteve”, – tha ai. Ndërkaq kryedemokrati bëri të ditur se në turin në rrethet e ndryshme të vendit për zgjedhjet në PD ka hasur qëndrimin e qytetarëve kundër hartës qeveritare. Në këtë kontekst, Basha pohoi se është e domosdoshme që reforma territoriale të jetë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale. “Gjatë gjithë periudhës që nga tetori e deri në mars, kërkesat dhe qëndrimet tona kanë konsistuar në dy propozime themelore: 1)Konsensus politik në Kuvend si minimum i domosdoshëm dhe me qytetaret si optimum i duhur. 2) Një reforme e plotë decentralizuese krahas rishikimit të kufijve. Komisioni parlamentar, si një noter i rëndomtë, i vuri vulën hartës së përgatitur në sallën e hartave të Kryeministrit. Varianti qeveritar, i paravendosur, bazohet tek 36 rrethet. Nisi me rrethet, si pikënisje e ushtrimit hartografik dhe përfundoi tek rrethet”, – nënvizoi Basha. Më tej, ai deklaroi se variantit bazë me 36 rrethe, qeveria i ka vënë një numër prej 3 deri 11 njësish të krijuara artificialisht si shkëputje nga rrethet përkatëse për të dalë zyrtarisht sipas Bashës gjoja me 2 variante, atë me 39 bashki dhe atë me 47 bashki. “Mes këtyre 3-11 bishtave gjen edhe hilerat elektorale, gjen edhe spekulime të shumëfishta siç është shkëputja e Himarës nga pjesa tjetër e rrethit Vlorë dhe bashkimi i saj me Vranishtin, gjen edhe bashkimet artificiale të disa komunave minoritare si për të thënë se qeveria respekton të drejtat e minoritetit. Gjithsesi, duket se qeveria, ashtu si hardhuca, është e gatshme që, nëse ndeshet me kundërshti të forta, t’i këpusë këto bishta vetëm dhe vetëm që të mbahet në këmbë varianti me 36 rrethe-bashki. Në fund të fjalës së tij, kreu i opozitës i bëri apel qeverisë të heqë dorë nga projekti i saj dhe të japë konsensusin për opozitën. “Të reflektojë tani, në të kundërt për ne mbetet zgjidhja e paralajmëruar, i presim me qytetarët me kushtetutë në dorë në sheshet që kanë nisur të mbushen”, – u shpreh Basha.
Operatorët “zënë” vendet në grup/ Patozi, Shehu e Ristani nuk gjejnë karrige, ulen tek gazetarët. Batutat mes deputetëve
Ndryshe nga organizimi i çdo mbledhje grupi, ditën e djeshme operatorët e mediave televizive ishin vendosur ngjitur me fundin e tryezës së rrumbullakët të mbledhjeve të grupit të PD-së, duke bërë të pamundur vendosjen e karrigeve në atë pjesë. Pasi thuajse të gjithë ligjvënësit demokratë ishin ulur në karrige, në sallën e mbledhjeve mbërrijnë deputetët Astrit Patozi dhe Sherefedin Shehu, të cilët në pamundësi për t’u ulur në tryezën e rrumbullakët, u akomoduan pranë vendit ku qëndrojnë gazetarët e mediave televizive dhe të shkruara. Pak para nisjes së mbledhjes, pranë dy deputetëve mbërriti kolegu Aldo Bumçi, i cili u kërkoi deputetëve me nota humori që të gjenin një vend në tryezën e mbledhjeve. “Do të merret si qëndrim politik, po hajde ulu në tryezë”, i tha ai deputetit Patozi. Por ky i fundit iu përgjigj duke thënë: “Po jam shumë mirë këtu Aldo me gazetarët, s’ka asnjë problem”, – dhe në të njëjtën kohë drejtoi dy gishta drejt deputetëve të ulur përballë tij, mes të cilëve nuk mungonin batutat për situatën. Pas këmbënguljes edhe të kreut të grupit kuvendor demokrat Edi Paloka, dy deputetëve iu mundësua përmes një “shtrëngimi” mes deputetëve të tjerë, një vend në tryezën e mbledhjes së grupit. Kjo situatë do të ripërsëritej pas fillimit të mbledhjes, në kohën kur kreu demokrat Lulzim Basha sapo nisi fjalën e tij përpara deputetëve të grupit parlamentar. Në këto momente mbërriti në mbledhjen e grupit, deputeti Arben Ristani, i cili pasi vërejti “mbipopullimin” në tryezën e rrumbullakët, vendosi të ulej pranë gazetarëve. Por këtë herë, në mes të mbledhjes ishte e pamundur të mundësohej një vend për të e në këto kushte deri në fund të mbylljes së fjalimit të kreut demokrat Basha, Ristani u pajtua me “fatin” e tij, duke qëndruar krah për krah me gazetarët.





