Ekzekutimi / Masakrohet me 5 plumba në kokë biznesmeni i ndërtimit

Anxhela Tato

Dyshimet e policisë për hakmarrje, vrasja në të njëjtën pikë ku iu bë atentat ish-ortakut të viktimës Xhemal Çela

Gjendet e braktisur makina dhe armët e zjarrit të vrasësve me pagesë, ishin maskuar me kapuç të zi

 

kujtim-dyrmishi12-460x360Biznesi i ndërtimeve buzë detit i merr jetën Kujtim Dyrmishit, i cili është masakruar me pesë plumba në kokë. Krimi i rëndë ka tronditur kalimtarë dhe pushues në zonën e tregut Iliria në Durrës, kur janë dëgjuar të shtëna me breshëri. Dëshmitarë okularë rrëfejnë se dy djem të maskuar i kanë bërë pritë biznesmenit Dyrmishi duke hapur zjarr ndaj tij me breshëri. Në momentin e krimit 49-vjeçari Kujtim Dyrmishi po tentonte të hipte në automjetin e tij të tipit “Benz” me targa italiane “DP 411 VF”. Të armatosur dhe me kapuç të zinj në kokë dy autorët kanë hapur zjarr nga automjeti i tyre me targa kosovare. Sipas përshkrimit të dëshmitarëve autorët e krimit nuk i shqetësoheshin aspak faktin se ndodheshin në një zonë të populluar, ku kishte shumë lëvizje përreth. Kjo sipas policisë përkthehet me togfjalëshin vrasës me pagesë. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe mbledhjes së gëzhojave nga ana e bluve është kërkuar marrja në dorëzim e kamerave të sigurisë të bizneseve që ndodhe në zonën Iliria. Ndërsa është kërkuar informacion nëse biznesmeni ka qenë person i skeduar apo me probleme me drejtësinë. Për blutë ky krim mund të lidhet me faktin që viktima ka qenë bashkëortak me biznesmenit Xhemal Çela, të cilit iu bë atentat në 23 janar në të njëjtin vend. Por ende nuk ka një pistë konkrete apo të dhëna rreth identitetit të autorëve. Momentalisht dy persona janë shoqëruar në polic, ndërsa është gjetur e braktisur makina me targa kosovare e autorëve.

Ngjarja

Ka qenë ora 10:40 e paradites kur një telefonatë ka mbërritur në zyrën e komisariatit të policisë. Një person i vdekur në rrugë dhe të shtëna kanw qenë fjalët e denoncuesit. Menjëherë uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur të pajetë trupin e Kujtim Dyrmishit, i cili është transportuar me urgjencë në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Janë gjetur mbi 20 gëzhoja nga ana e policisë, të cilat i përkasin armës së zjarrit të tipit kallashnikov. Por asnjë gjurmë identifikuese rreth autorëve të krimit, që janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Askush nga dëshmitarët nuk ka guxuar që t’i afrohet viktimës, i cili ka vdekur në vend. Por para oficerëve të policisë gjyqësorë kanë rrëfyer me detaje se çka kanw parë Njëri prej tyre tregon se viktima sapo kishte dalë nga një dyqan dhe po futej nw automjet. Në këto momente ka mbërritur me shpejtësi makina e vrasësve, të cilwt mbanin kapuça të zinj në kokë. Është qëlluar nga ana e pasagjerit me breshëri drejt viktimës. “Kam dëgjuar 4-5 shtëna me breshëri pa ndalim. Ishte njw djalw me kapuç në kokë, i ulur në vendin e pasagjerit. Ai hapi zjarr drejt viktimës, i cili nga forca e goditjes u mbështet pas makinës duke rrëshqitur në toke. Bërtiti: Oh ndihmë. Makina iku  me shpejtësi dhe ai ngeli i gjakosur dhe nuk merrte më frymë”, – pjesë nga dëshmia e një pushuesi.

Policia

Nga ana e bluve janë dërguar për ekspertizës balistike plumbat e grumbulluar në skenën e krimit. Ndërsa nga ekspertiza mjeko-ligjore mësohet se viktima ka pesë plagë tejshpuese në kokë të shkaktuar nga një armë zjarri. Plumbat i kanë prekur organet jetike 49-vjeçarit, i cili ka vdekur nga hemorragjia e fuqishme. Pritet që brenda pak ditësh të jetë gati autopsia, e cila do të ndihmojë blutë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë që ndihmë do të jetë dëshmia e familjarëve të viktimës, të cilët kanë mbetur të tronditur nga krimi. Aktualisht hetimet janë përqendruar në pistën e hakmarrjes, duke e lidhur krimin me ish-ortakërinw në biznesin e ndërtimit mes Çelës dhe Dyrmishit. Ekzekutimi në po të njëjtën pikë ku iu bë atentat Xhemal Çelës, nxit policinë të mendojë se dy krimet janë të lidhura. Viktima ka pasur konflikte pronësie për pallatet e ndërtuar buzë vijës bregdetare. Ndërkohë më herët, policia ka bërë me dije se është në ndjekje të autorëve, ndërsa ka ndaluar edhe 2 persona. Ndërkohë shërbime të komisariatit të Policisë së Durrësit, strukturës për krimet e rënda të policisë rrugore janë angazhuar në mënyrë të menjëhershme në ngritjen e pikave të kontrollit, patrullimin e akseve rrugore, njëkohësisht policia po heton mbi ngjarjen në pistat e mundshme. Masa janë marrë edhe në drejtim të krehjes së zonës, kontrolleve te banesave apo ambienteve të tjera.

 

Kush është viktima

Viktima Kujtim Dyrmishi ishte biznesmen i lindur në qytetin e Cërrikut dhe banues në lagjen 13 në Durrës. Gjithashtu bëhet me dije se, viktima kishte lidhje miqësore dhe ortakërie me biznesmenin e ndërtimit, Xhemal Çela, i cili u vra nga shpërthimi i tritolit që iu vendos në mjet, në të njëjtën zonë në Durrës.

 

Policia

Në makinën e vrasësve gjenden 3 armë zjarri kallashnikov, dyshime se u përdorën në krim

Pak orë pas ngjarjes policia e Durrësit bën me dije se ka gjetur makinën e autorëve të vrasjes, të braktisur në zonën e Rrashbullit. Brenda saj, blutë e këtij qyteti kanë gjetur edhe 3 armë të tipit kallashnikov. “Në sajë të ndërhyrjes policore në kohë autorët e ngjarjes braktisën mjetin me të cilin transportoheshin, autoveturë Benz 250 me targa 01204 KS në afërsi të Rrashbullit, në autostradën Durrës-Tiranë; mjet brenda së cilit u gjetën edhe 3 armë zjarri: 2 Scorpions dhe 1 automatik model 56. Tashmë puna hetimore po vijon me intensitet si në drejtim të përpunimit të provave të grumbulluara përgjatë hetimeve të para, ashtu edhe krehjes së zonës në të cilën u gjet i braktisur automjeti e në mënyrë të veçantë në drejtim të së shkuarës së viktimës”, – thuhet në njoftimin e policisë.

 

Ortakëria në ndërtim

Dy biznesmenët shkëputën bashkëpunimin pak muaj para atentatit të Çelës

Sipas informacioneve të policisë dy biznesmenët kanë qenë për gati 10 vjet në ortakëri. Por vetëm pak kohë pas atentatit të 23 janarit të dy vendosën të shkëpusnin bashkëpunimin dhe kjo e lidhur me konfliktet e shumta të pronësisë që u krijuan nga ndërtimi i pallateve. Policia është përqendruar te zbardhja e tabulateve telefonike për të zbuluar nëse Dyrmishi është kërcënuar apo nëse ka pasur probleme. Çështja e pronësisë do të jetë gjithashtu në qendër të hetimeve të bluve, lidhur kjo me sherret mes biznesmenëve dhe banorëve që pretendonin pronësie. “Rreth orës 11:00, në Sektorin Iliria, lagja Nr.13 Durrës, është vrarë me armë zjarri në automjetin e tij Benz me targa italiane DP411VF shtetasi K.D., 49 vjec, banues ne lagjen Nr.13 Durrës, i njohur me pseudonimin “Tixhja”. Menjëherë pas marrjes dijeni për ngjarjen, nga ana e Policisë së Durrësit u kryen paralelisht disa veprime policore e procedurale. Kështu u morën masa për kontrollin e pikave kyçe të lëvizjes, akseve rrugore që lidhin zonën me qytetin e Durrësit dhe ato fqinje. Njëkohësisht Grupi Hetimor vijoi veprimet e para ne vendin e ngjarjes. Struktura për Hetimin e Krimeve të Rënda filloi hetimin e rastit, duke koordinuar informacionet e para që vinin nga vendi i ngjarjes, mbledhur të dhëna mbi viktimën dhe të shkuarën e tij, problematikën në të cilat ishte përfshirë”.

 

Atentati

Vrasja e 2 biznesmenëve, bllokohet momentalisht aktiviteti i firmës

Ekzekutim dhe atentat i telekomanduar ndaj viktimave në zonën Iliria, ende asnjë gjurmë nga autorët

Dyshime se vrasjet janë të lidhura me njëra-tjetrën, kërkohet sekuestrimi i dokumenteve të pronësisë së pallateve

 

Anxhela Tato

Vrasja e dy biznesmenëve do të thotë bllokim momental të aktivitetit të firmës së ndërtimit. Për blutë problemet e pronësisë së truallit mund të jenë shkaktari i dy atentateve të frikshme ndaj Çelës dhe Dyrmishit. Policia pritet që në ditët në vijim të marrë në pyetje administruesit e pallateve dhe banorët. Ndërsa do të kërkohet sekuestrimi i gjithë dokumenteve të pronësisë, për të gjetur personat me të cilët ishin në konflikt biznesmenët e vrarë. Më datë 24 janar u bë me dije lajmi i vdekjes së Xhemal Çelës, i cili ndërroi jetë në spital pas atentatit me eksploziv në automjet në zonën Iliria. Biznesmeni, i cili u shtruar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, nuk ka mundur t’i bëjë dot ballë plagëve të marra. Xhemal Çela ka pësuar hemorragji të brendshme dhe ndonëse ndërhyrjes së mjekëve ai nuk ka mundur të mbijetojë. Rreth orës 14:00 biznesmeni i ndërtimit Xhemal Çela ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak për shkak të plagëve të marra. Burime nga grupi hetimor pohuan se pista kryesore e hetimit mbetej ajo e konflikteve të mundshme që mund të ketë pasur 48-vjeçari Çela, ndërsa hidhnin poshtë mundësinë që atentati të ketë të bëjë me çështjet e  ndërtimit.  Ndërkaq, policia ka grumbulluar të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë afër vendit të ngjarjes, ndërsa iu kërkoi kompanive celulare zbardhjen e tabulateve të biznesmenit me persona të tjerë. Në komisariat u shoqëruan dhe morrën në pyetje 21 persona që mund të kishin lidhje me ngjarjen. Hetuesit e çështjes sqaruan se autorët e krimit e kishin vendosur sasinë e tritolit poshtë automjetit, në krahun e shoferit dhe se shpërthimi është realizuar në distancë. Ai u transportua në gjendje kome drejt Tiranës pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e Durrësit.

Ngjarja

Një shpërthim i fuqishëm tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve në zonën e Plepave në Durrës, teksa kanë parë një makinë në lëvizje të përshirë nga flakët. Të alarmuar kanë njoftuar menjëherë policinë dhe kanë tentuar që t’i afrohen automjetit. Ka qenë një grua, e cila i është afruar drejtuesit të automjetit “Citroen C4” për t’i dhënë ndihmë. Ndërhyrja e saj ka bllokuar qarkullimin rrugor dhe ka sjellë reagimin e qytetarëve të tjerë. Ndërsa dy fëmijë tregojnë për policinë se personi që ndodhej brenda në makinë ka dalë në rrugë dhe ka nisur të eci. “Ai ishte i gjakosur dhe doli nga makina duke lëshuar ofshama dhimbjeje. Atij iu këput këmba dhe dora dhe ra në tokë dhe vetëm lëshonte pasthirrma nga dhimbjet që kishte. Makina vazhdonte të digjej, ndërsa erdhi policia dhe e morën me ambulancë”, – pjesë e dëshmisë së një të mituri. Nga të dhënat e policisë mësohet se biznesmeni ishte në ecje e sipër kur makina ka shpërthyer. Në këto momente ai ka tentuar që t’i ndryshojë shpejtësinë me qëllim që të dilte. Por automjeti ka ndryshuar kahun e drejtimit dhe është përfshirë i gjithi nga flakët. Dyshimet e bluve janë se lënda plasëse ka qenë e telekomanduar. Sipas policisë ka dyshime që kjo ngjarje mund të jetë për shkak të rivaliteteve në fushën e ndërtimit. Por nuk mohohet as dyshimi i borxheve, duke qenë se ka aludime se Xhemal Çela kishte marrë shuma të mëdha lekësh hua. Ndonëse kjo e fundit mbetet vetëm një aludim. Biznesmeni Çela është babai i tre fëmijëve me origjinë nga Gramshi. Ai është transferuar shumë herët në Durrës, ku është marrë edhe me aktivitetin e ndërtimeve.

 

Share it :