Botërori merr jetë mes vëmendjes maksimale. 32 skuadra në garë, 64 ndeshje, 600 mijë turistë në Brazil dhe një pafundësi numrash e statistikash të tjera. Një numër i madh yjesh që do të shpalosin gjithë talentin e tyre për të qenë heronj në Kupën e Botës. Një ndër edicionet që pritet të lërë shenjë në histori. Zhvillohet në tokën e futbollit dhe kjo e bën edhe më emocionuese. Shumë skuadra të forta që pritet të na magjepsin me spektaklin. Por çfarë do të ndodhë dhe çfarë duhet ditur për këtë kompeticion?
Stadiumet që do të mirëpresin
Duele të mëdha janë të denja për stadiume të mëdha dhe të tillë do të jenë dhe ata që do të mirëpresin botërorin
“Mane e Garrincha” – Brazilia: 526 milionë euro
Nga të gjitha stadiumet më i kushtueshmi është ai i Brazilisë, i realizuar me një investim prej 526 milionë eurosh, ndaj dhe rrugëtimi ynë për detajet e impianteve braziliane fillon prej tij. Mban emrin “Mane e Garrincha”, edhe pse i ndërtuar në Brazilia nuk do të presë finalen. Ka kushtuar 526 milionë euro, pasi është ndërtuar nga fillimi, mund të presë deri në 72 mijë njerëz dhe këtu do të luhet një çerekfinale si dhe finalja për vendin e tretë dhe të katërt.
“Maracana” – Rio de Zhanejro: 395 milionë euro
Vijojmë me mitikun “Maracana” të Rio de Zhanejros radikalisht i rikonstruktuar për 395 milionë euro, duke i ulur në të njëjtën kohë dhe kapacitetin. Tani mund të presë 78 mijë persona por në vitet e tij të arta mund të mbante deri në 200 mijë tifozë. Është stadiumi ku do të luhet finalja e madhe dhe rikonstruksioni prej 395 milionë eurosh e tejkaloi ndjeshëm preventivin fillestar që ishte 230 milionë euro.
“Itaquerao” – San Paolo: 329 milionë euro
Stadiumi “Itaquerao” i Sao Paolos do të mikpresë ndeshjen hapëse të Botërorit dhe ka një kapacitet prej 48 mijë vendesh, por edhe 20 mijë të tjerë mund të shtohen me tribuna të lëvizshme me kërkesë të Korinthians që do të ketë stadiumin pas përfundimit të Botërorit. Ka kushtuar 392 milionë euro, por mbi të gjitha dhe jetën e 3 punëtorëve që vdiqën gjatë rikonstruksionit të tij.
“Mineirao” – Belo Horizonte: 228 milionë Euro
Pastaj vjen stadiumi Mineirao i Belo Horizontes, ka kushtuar 228 milionë Euro dhe këtu do të luhen katër takime të fazës së grupeve një ndeshje e 1 të tetave dhe një nga dy gjysmëfinalet. Vërtet sugjestionuese paraqitja në vështrim të parë e ketij impianti.
“Fonte Nova” – Salvador: 226 milionë euro
Kapacitet prej prej 52 mijë vendesh për stadiumin “Fonte Nova” të Salvadorit i rindërtuar në stadiumin e Bahias dhe që përfundoi në prill të 2013-ës pas dy vjet e gjysmë punimesh. Në ndërtimin e tij u impenjuan 4500 punëtorë dhe kushtoi 226 milionë euro. “Fonte Nova” do të jetë teatri i katër takimeve të fazës së grupeve, një ndeshje të 1/8 dhe një prej çerekfinaleve.
“Arena Amazonia” – Manaus: 220 milionë euro
“Arena Amazonia” e Manausit ka kushtuar 220 milionë euro është një impiant me rreth 43 mijë vend dhe do të presë ndeshjen debutuese të Italisë me Anglinë si dhe 3 takime të tjera të fazës së grupeve.
“Arena Pantanal” – Kuiaba: 187 milionë euro
Katër takime në program të gjithë të fazës së parë të Kupës edhe për “Arena Pantanal” të Kuiabas, stadium i rikonstruktuar për 187 milionë euro dhe që ka 44 mijë vende për t’u ulur.
“Arena Pernambuco” – Recife: 175 milionë Euro
Për “Arena Pernambucu” u shpenzuan 175 milionë euro dhe ka një kapacitet prej 42 mijë vendesh. Stadiumi i Recifes i pozicionuar në veri të vendit do të jetë teatër i katër takimeve të fazës së grupeve si dhe i një ndeshjeje të 1/8.
“Castelao” – Fortalexa: 170 milionë euro
Stadiumi “Castelao” i Fortalexas në verilindje të Brazilit ka kushtuar 170 milionë euro dhe mban kryesimin e të parit impiant të Botërorit që iu dorëzua gati FIFA-s në dhjetor të 2012-ës. Këtu do të jete skena e katër takimeve të fazës së grupeve, një të 1/8 dhe i një prej çerekfinaleve.
“Arena das Dunas” – Natal: 139 milionë euro
I pozicionuar në veriperëndim të Brazilit, stadiumi “Arena das Dunas” në Natal, për të cilin janë shpenzuar 139 milionë euro, ka një kapacitet prej 42 mijë vendesh dhe përveç sfidës mes Italisë dhe Uruguait do të mikpresë dhe 3 ndeshje të tjera të fazës së grupeve i
“Arena de Baixada” – Kuritiba: 108 milionë euro
“Arena de Baixada” i Kuritibas pas një ristrukturimi prej 108 milionë eurosh ka një kapacitet prej 71 mijë spektatorësh dhe në të do të luhen 4 ndeshje të Botërorit.
“Biera-Rio” – Porto Alegre: 108 milionë euro
Ka pësuar një operacion rimodelimi prej 108 milionë eurosh edhe stadiumi “Biera-Rio” i Porto Alegres. Ndodhet në jug të vendit dhe në të do të luhen 4 takime të fazës së grupeve si dhe një sfidë 1/8.
Çfarë ndalohet në stadiume
Në faqen zyrtare të FIFA-s është shpalosur kodi i tifozit, që sqaron gjithçka do t’u ndalohet të apasionuarve. Në stadium mund të bëhet tifozllëk dhe të këndohet, por ndalohet çdo lloj instrumenti muzikor, si “caxirola” apo “vuvuzela”, trombat, bilbilat dhe fishekzjarrët. Flamujt do të lejohen, por jo ata më të mëdhenj sesa përmasat 2 me 1,5 metra, ndërsa shkopi nuk duhet të jetë më i gjatë se 1 metër dhe i përbërë me material fleksibël. Nuk do të lejohet asnjë objekt me përmasa më të mëdha sesa 25 cm x 25 cm x 25 cm, pasi kaq është kapaciteti i sirtarëve nën stola. Ndalohen gjithashtu tabletët ose laptopët, por jo telefonat. Edhe veshjet do të mbahen nën vëzhgim, pasi ato nuk mund të përmbajnë thirrje raciale, politike apo ksenofobe. Ushqimi dhe pijet ndalohen gjithashtu (me përjashtim të diabetikëve), ashtu sikurse letrat, por edhe hyrja e kafshëve.
Botërori i teknologjisë
Do të jetë ky natyrisht edhe edicioni më teknologjik i të gjitha kohërave, pasi për këtë herë padronin do ta bëjnë web-faqet e internetit, rrjetet sociale tabletët dhe smartphone-t. Gjigantin e komunikimit social si “Twitter” kanë modifikuar enkas faqet e tyre për t’u ardhur në ndihmë të apasionuarve pas futbollit, ndërsa ne ju zbulojmë edhe disa aplikacione të krijuara pikërisht për Botërorin që mund t’ju ndihmojnë si për shembull, alarmi futbollistik i zgjimit. Për të mos rrezikuar që të humbisni asnjë minutë të ndeshjeve do t’ju bëjë të zgjoheni nga gjumi në mes të natës me tingujt e stadiumit tuaj të preferuar, si për shembull tingulli i një vuvuzele, zhurmën e turmës që brohoret apo me një koment goli.
Programet e veçanta ku mund te azhurnoheni për Botërorin
I pazëvendësueshëm është “Fifa Official” një nga aplikimet më të kompletuara mbi futbollin që jep një pafundësi informacionesh për Botërorin me golat ndeshjet dhe të gjitha të dhënat zyrtare me azhurnimin në kohë reale për të dhënat e ndeshjeve synon ta konkurrojë aplikimi “Mondiali do Brasil” ku mund të ndiqet turneu me kalendarin komplet shënuesit, klasifikimet dhe skedat e stadiumeve të 32 skuadrave si dhe lajmet e fundit.
“Panini Online Sticker Album” ofron albumin me fotot e futbollistëve në Brazil dhe garanton të njëjtat funksione si version në web ku përveç lojërave mund të merrni të gjitha informacionet për futbollistët e albumit. Për të transformuar sallonin e shtëpisë në një tribunë stadiumi vlen “FanSounds For dhe World Championship 2014”, i cili sjell në shtëpi efektet tipike të stadiumit janë këto vetëm disa nga aplikimet për Androidët e Smartrphone-t në garën e ethshme të teknologjisë, ndërsa bumin e tyre në rrjetet sociale e synojnë dhe vetë futbollistët.
Kush kryeson rrjetet sociale?
Deri më tani ai që kryeson në rrjetet sociale është Kristiano Ronaldo, i cili e ka lënë pas rivalin e tij Lionel Mesi në klasifikimin e pëlqimeve në faqet përkatëse të “Facebook”-ut me Ronaldon që ka plot 79,5 milionë pëlqime nga ana e tifozëve. Plot 23 milionë më shumë se argjentinasi i Barcelonës, i cili ka marrë 56,2 milionë pëlqime ndërsa në shkallën e tretë të sportistëve ndodhet Devid Bekam me 38 milionë pëlqime në “Facebook”. Pas tij ndodhet Kaka me 27,5 milionë pëlqime dhe në vendin e pestë ndodhet Nejmar me 20,7 milionë pëlqime një statistikë që ylli i Brazilit synon ta rregullojë pikërisht në këtë Botëror ku udhëheq kombëtaren e tij në ëndrrën për titullin e 6 botëror. Tani për tani ai që udhëheq është Ronaldo, kryesimi i të cilit veç “Facebook” konfirmohet dhe nga 25,7 milionë ndjekësit në “Twitter”, por ku i dihet në këtë Botëror edhe në këtë këndvështrim shumë gjëra mund të ndryshojnë.
Botërori është festë, por brazilianët protestojnë…
Rrugët dhe sheshet e Brazilit u rikthyen në skena të dhunshme përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, pak orë nga nisja e Kampionatit Botëror. Në Sao Paolo, qyteti që priti ndeshjen hapëse Brazil-Kroaci, policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestën. Organizatorët thanë se kishin planifikuar të marshonin drejt stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja hapëse. Por policia ndërhyri duke bllokuar rrugët lidhëse të stadiumit. Protestuesit kritikojnë autoritetet për shpenzimet marramendëse për organizimin e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik. Pamjet nga Sao Paolo tregojnë policinë duke shpërndarë me dhunë rreth 50 protestues në një stacion metroje në afërsi të stadiumit “Arena Corinthians”. Protestuesit thërrisnin: “Nuk do të ketë asnjë kupë”. Vitin e kaluar Brazili u përfshi nga protesta masive kundër shpenzimeve për organizimin e botërorit. Dhjetëra persona gjetën vdekjen dhe qindra të tjerë u plagosën nga këto protesta. Kërkesat e protestuesve janë sociale. Ata kërkojnë përmirësim të transportit dhe të sistemit shëndetësor. Të hënën sindikata e punonjësve të metrove ndërpreu një grevë 3-ditore për t’i dhënë kohë bisedimeve me autoritetet. Ata kërkojnë rritje pagash dhe më shumë lehtësia në skemat e mbulimit shëndetësor dhe shoqëror. Organizatorët e grevës deklaruan se nëse bisedimet dështojnë, atëherë protesta do të rinisë ditën e nisjes së botërorit. Një grevë e tillë do të paralizonte qytetet e mëdha braziliane dhe do të shkaktonte kaos për mijëra tifozë që kanë mbërritur në vendin amerikano-latin për të ndjekur nga afër skuadrën e tyre të zemrës.
Presidentja e Brazilit: Ky do të jetë Botërori më i bukur
“Mos u mundoni ta njollosni Brazilin me vonesat në ndërtimin e infrastrukturës. Ky do jetë Botërori më i bukur që do keni parë ndonjëherë. E bëmë gjithë këtë për brazilianët. Koha do na vlerësojë”. Presidentja e Brazilit, Dilma Rousef, mbrojti edhe një herë shpenzimet e qeverisë në fjalimin përpara startit të turneut dhe ftoi popullin e saj që t’u sigurojë një mikpritje të ngrohtë vizitorëve. Ajo garantoi se kush do të guxojë të cenojë sigurinë, do të ndëshkohet pa mëshirë. 150 mijë forca sigurie do të garantojnë sigurinë e ngjarjes më të rëndësishme të futbollit në botë në 12 stadiumet ku do të luhen ndeshjet. “Është një përgjegjësi e madhe për ne”, – tha drejtori i Zyrës Speciale të Sigurisë së Eventeve të Rëndësisë Madhore, Andrej Rodrigez, gjatë prezantimit të planit të sigurisë. “70 mijë ushtarë, 60 mijë policë dhe trupa të mobilizuara dhe 20 mijë forca private sigurie do të jenë prezente në stadiume”, – konfirmoi drejtori i Përgjithshëm i Komitetit Organizativ të Sigurisë Lokale, Hilario Medeiros. Buxheti i sigurinë është 900 milionë dollarë.
Shtrigani brazilian që sjell fat
Ka staticienë apo kafshë telepatike që parashikojnë skuadrat fituese në Kupën e Botës, por ka edhe njerëz të tjerë me aftësi po kaq të veçanta. Nëse në Ganë pretendojnë se një magjistar po i bën prej muajsh magji Kristiano Ronaldos që ai të mos luajë, në Brazil shfaqet një ekspert i magjisë së bardhë, pra një fatsjellës. Njihet nga të gjithë si Doktori Shtrigan, por emrin e vërtetë e ka Chick Jeitoso dhe ka lindur në Kuritiba. Prej gati 30 vjetësh, shtrigani i famshëm praktikon ritet e tij dhe pretendon se ka klientë nga mbi 100 vende të botës, shumë prej të cilëve politikanë, yje të sportit e kulturës. Të gjitha magjitë e tanishme, Doktori shtrigan i ka shënjestruar te kombëtarja braziliane, por ndryshe nga shumë të tjerë si ai, parashikon se “Seleçao” do ta ketë shumë të vështirë rrugën drejt trofeut të gjashtë në Kupën e Botës. Chick Jeitoso beson se Argjentina, Uruguai e Gjermania do të tregojnë muskujt dhe në fushë do të jenë po aq të forta sa Brazili, ndërsa për yllin Nejmar me frikë pohoi se magjia e zezë dhe energjia negative mund të ndikojë tek performancat e sulmuesit. Në fund kur u pyet për Lionel Mesin, shtrigani tha se ashtu si miliona brazilianë, edhe ai shpreson që argjentinasi të kalojë ditë të këqija, në mënyrë që rivalët e përbetuar të mos e marrin titullin e tretë në territorin armik.
Në Botëror nuk do të ketë më gola fantazmë!
Për herë të parë këtë Botëror, teknologjia jep fjalën se nuk do të ketë më gola fantazmë. Kompania gjermane “Goal Control” do t’u vijë në ndihmë 25 arbitrave të turneut në Brazil. Sistemi “GoalControl-4D” u testua me sukses në Kupën e Konfederatave 2013. “Arbitrat do të mësojnë në më pak se një sekondë nëse topi e ka kaluar vijën fatale apo jo”, – shpjegoi drejtori i kompanisë, Dirk Broihauzen. Shtatë kamerat, që do të monitorojnë secilën nga portat e mbrojtura nga portierët në 64 ndeshjet e Botërorit, hyjnë në funksion menjëherë sapo topi kalon zonën e 16 metrave të fundit. Lentet e ndjeshme fiksojnë çdo lëvizje të topit, lojtarëve, por edhe arbitrave, ndërsa transmetimi i të dhënave bëhet përmes kabllove me fibër optikë. Sinjalet i dërgohen më pas një serveri dhe programi filtron pamjet për të transmetuar në një monitor imazhin e topit dhe vijën fatale. Gjithçka ne përshkruam më sipër, ndodh me shpejtësinë marramendëse dhe arbitri e ka shumë të thjeshtë të marrë një vendim përpara se lojtarët të ngrenë duart për pretendimet e tyre. Nëse topi e kalon vijën fatale, atëherë kompjuteri i dërgon një sinjal pajisjes që gjyqtari do të mbajë në kyçin e tij të dorës. “Debati ishte gol apo jo me teknologjinë në vijën fatale ka marrë fund njëherë e përgjithmonë”, – deklaroi për “Bild”, shefi i kompanisë gjermane.





