Bisedoi: Violeta Murati
Heshtje totale, vetëm një njoftim në “Facebook” nga Teatri Kombëtar, pesë rreshta, tregonte përgjegjshmërinë institucionale të ngjarjes më të madhe të ndodhur në këto vite në skenë, siç qe fundjavën e shkuar ardhja e teatrit “Globe”, me shfaqjen “Hamleti”, duke ndjekur traditën e krijuar 450 vjet më parë. Asnjë takim me median, në kushte “izolimi” të informacionit, salla u mbush me njerëz të teatrit, aktorë e regjisorë të cilët për turp, gati treçereku, e braktisën shfaqjen në aktin e dytë. Shfaqja e nivelit botëror, siç qe kjo e teatrit të Shekspirit, kaloi në Tiranë pasi kishte “dështuar” më parë ftesën për të qenë në Festivalin e Butrintit, për shkak se ky i fundit nuk u organizua. Alfred Bualoti në bisedën e mëposhtme tregon të njëjtën indinjatë për heshtjen e drejtuesve të TK-së, që as për bujtjen nuk e paraqiti trupën angleze. Bualoti tregon se si ka negociuar një vit më parë me këtë trupë për të qenë në Shqipëri, pikërisht në skenën antike të Butrintit, si një rast për të mos treguar karakatinën e godinës në kryeqytet ose për të mos u shpërfillur kaq rëndë – e kundërta e shfaqjes deri te fqinji ynë, Maqedonia, ku trupa angleze realizoi “Hamletin” në skenën e lashtë të Bitolas. Si reflekton një aktor, regjisor në përballjen e kërkimeve si e teatrit “Globe”, në ide dhe marrëdhënien delikate me publikun e sotëm – janë disa mendime, krejt të vullnetshme jo vetëm si fjalë kritike, por dhe nostalgji mbi “Hamletët” shqiptarë, prej Naim Frashërit e më herët Moisiut.
Fundjavën që kaloi, ishte ngjarje në Teatrin Kombëtar ardhja e “Hamletit” nga teatri shekspirian “Globe”. Ju keni pasur kontakte për ta sjellë në Festivalin e Butrintit, për ta luajtur në skenën antike. Çfarë ka ndodhur?
Ne kemi dy vjet që kemi marrëdhënie, korrespondencë permanente me “Globe Theatre” pasi Festivali i Butrintit, duke hyrë në disa rrjete të fushës së teatrit, është vlerësuar si një festival. Duke qenë se parashikonte një turne të madh nëpër Evropë, që e filloi tani, për dy vjet, donte që ndër festivalet më seriozë ku mendohej se shkonte edhe shfaqja, festivale që përkonte me interesat e tyre, të mund të merrnin pjesë në datat, dhe kohën e këtij turneu. Kishim parashikuar sipas një viti më parë, kur ne gati po e konkretizimin ardhjen në Festival të “Hamletit”, koha e ardhjes tyre do ishte në muajin korrik.
Po çfarë ndodhi? Ndodhi që ne, me “Globusin” duhet ta kishim përcaktuar qysh një vit më parë, ndofta dhe më pak, parashikuar axhendën e ngjeshur në Evropë. Pas kaq e kaq vitesh, në 450-vjetorin e lindjes së Shekspirit, një teatër i madh, me emër të madh, me një tradicion të lashtë që duken shfaqjet si këtu e 400 vjet më parë. Ishim të gjithë të interesuar për të qenë dhe ata për të pasur eksperiencën e tyre. Po nuk u bë e mundur. Si ngaherë, ne nuk mund të bënim një axhendë të përcaktuar, atëherë nuk mund t’u thoshim asgjë atyre përveçse t’i falënderonim. Dhe papritur ata e filluan siç e kishin planifikuar turneun dhe arritën që ta luanin në Tiranë shfaqjen, pasi për Butrintin ishte e pamundur, ndërkohë që është luajtur në Maqedoni, në teatrin e Manastirit, Bitolës, pasi ata i kërkojnë këto lloj vendesh.
Kishin destinacion vende specifike për të luajtur teatrin e tyre?
Nuk ishte thjesht kjo. Por flasim për mundësitë që kishim. Nëse në Shqipëri paska një festival teatri, që ata e vlerësonin shumë, donin të ishin pjesëmarrës në këtë festival, në këtë kuptim.
Ju u takuat me trupën?
Sigurisht që u takuam pas shfaqjes. Por, pata rastin t’i ndjek hap pas hapi edhe kur montonin skenën. Ndjeva një gjë kaq mallëngjyese, tejet të veçantë, kur edhe litarin ata donin ta lidhnin ashtu siç ishte lidhur para 400 vjetësh. Pra, nuk kishte fjala që të bënin gjëra, që nga jashtë dukej e zakonshme. Frymëzimi që shkonte në total ishte e kohës së Shekspirit. Në këtë mes kaq munda të informohem për ta, mora vesh se kanë qëndruar te hotel “Tirana”, dhe më pas u takova pas shfaqjes. Bisedova me ta, duke i dhënë edhe librat e Festivalit të Butrintit. Ata patën një reagim të jashtëzakonshëm, mbas psherëtimave të tyre… pasi kishin ardhur nga një amfiteatër i madh dhe Butrinti është tjetër gjë, antik. Ata u entuziazmuan dhe sigurisht thanë të mos i linim pa ardhur në teatrin tonë antik.
Ndryshe nga ngjarja se “Globus” zbret në Tiranë me “Hamletin”, në Teatrin Kombëtar i është bërë pritja më e keqe e mundshme në karakatinën e tij fizike… vetëm një njoftim “Facebook”, një konferencë shtypi e anuluar dhe asnjë përshëndetje mirëseardhjeje…
Këtu duhet qëndruar, sepse pavarësisht nga gjendja, karakatina e mjerueshme deri diku e godinës ka vend për ndryshim, pa diskutim, por nga ana tjetër nuk pashë asnjë gjë për këtë event aq të madh që do të ishte për çdo vend. Kudo që të ishte, në Evropë apo kudo, aq më tepër në Ballkanin tonë të shtrenjtë, a siç jemi ne, në Ballkanin e Ballkanit.
Mezi e prisnim mbas viteve e viteve, të mbyllur që fantazonim që kur ishim student, na ikte mendja se si mund të luhej Shekspiri në vendin e Shekspirit, se si mund të ishin shfaqjet e tyre etj etj., dhe pikërisht erdhi momenti që kjo trupë zbarkoi për të ardhur në Teatrin Kombëtar. Asnjë reagim, asnjë fjalë përshëndetëse, asnjë kontakt me trupën, asnjë mbledhje, asnjë debat me gazetarë, kritikë… as media televizive nuk u ftoi këta njerëz.
Indiferenca më shumë se kurioziteti si u pa trupa angleze, në aktin e dytë të shfaqjes salla e teatrit nga fundi pothuaj u boshatis, ndërsa spektatorët ishin rrallë publik i zakonshëm, të shumtët ishin aktorë, regjisorë, artistë, shkrimtarë… e megjithatë ikën, shenjë jo e mirë?
Unë isha në radhët e para dhe nuk ktheja kokën të shikoja ç’po ndodhte prapa meje. U përqendrova shumë te shfaqja, në krah kisha aktorin Robert Ndrenika dhe dikë tjetër. Edhe gjatë pushimit nuk lëvizëm nga vendi fare. Në ato minuta biseda jonë u rrëmbye nga pjesa e parë e shfaqjes dhe nuk pamë se paskëshin ikur një pjesë e mirë nga shfaqja.
Por, për një moment ndihem shumë i trishtuar që kjo ka ndodhur, pasi nuk mundem dot ta imagjinoj. Një artist sado i rëndomtë të jetë, e jo më me emër, vetëm që nuk duhet të lëvizte nga vendi për të treguar një lloj qytetarie sado minimale. Nga ana tjetër njeriu duhet të mësojë në çdo moment, të rrijë, të dëgjojë e të kuptojë në fund të fundit se çfarë ndodh me teatrin sot, dhe çfarë ndodh me këtë Shekspir sot, që vjen nga 450 vjet, si trajtohet, si luhet, si arrijnë në këtë mënyrë. Ndoshta në një moment mund të na duket se kjo është tradita e tyre, e nuk luhet më traditë – po qoftë edhe kjo. Ja një model, sa mirë ajo traditë aq e vyer, që ka ndërtuar teatrin, nuk lëshohet qoftë në njohje, infrastrukturë, arkitekturë të shfaqjes. Ndërsa ata kanë të shenjtë marrëdhënien jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me publikun, për ta kjo është shumë e rëndësishme.
E vërtetë kjo, duke pritur nisjen e shfaqjes, pamë aktorët që lëviznin nëpër sallë me lirshmëri të jashtëzakonshme…
Ky është një element që vjen nga ajo lashtësi, traditë e jashtëzakonshme e qindra viteve. Është një traditë e freskët, janë elementë që rrokin të natyrshmen, atë më njerëzoren se çdo trupë tjetër që ne kemi parë jashtë vendit. Ishte e bukur kjo marrëdhënie. Por, ata kishin dhe një gjë që nuk kalonte pa rënë në sy; artistë të rinj e të vjetër. Energjia ishte e njerëzve të rinj, një shfaqje e reduktuar, sa u takon aktorëve. Ata luanin dy-tri role. Ndër ta kishte edhe të vjetër. Ata ndërtonin marrëdhënie së bashku, ndërsa ishte e jashtëzakonshme kalimi i natyrës së tyre në marrëdhënie me instrumentin. Ata si trupë ktheheshin e shndërroheshin në qytetarë, spektatorë, si gjithë të tjerët. Një Ofeli mulate, e shkëlqyeshme, i binte harmonikës së vogël më një pasion, dëshirë sikur ishte një vajzë e sotme, e dalë nga një shoqëri e jona. Më pas hynte brenda rolit të saj për të thënë atë që duhej. Këta janë elementë që jo vetëm duhet të mësojmë shumë, por edhe të reflektojmë. E them këtë, pasi ndërtimi i marrëdhënieve është para së gjithash.
Ju jeni regjisor karriere, aktor… e mbani mend “Hamletin” e Teatrit Kombëtar, si është vënë në skenën tonë, çfarë ka përfaqësuar?
Kjo është e vërtetë. Do ta zgjeroj pak, pasi kam parë “Hamletin” e Piter Brook, babait të regjisurës shekspiriane. Për nga origjina është anglez, por gjithë jetën ka punuar në Paris, kam pasur rastin e fatin të shikoj një “Hamlet” të tij, pikërisht në një version me nënte aktorë. Ai e kishte reduktuar dhe shfaqjen, nuk ishte aq e gjatë, aq e plotë sa ç’ishte e “Globus Teatër”. Kjo e mirëkuptuar, ashtu siç e mendonte ai kur ishte para pak vitesh në moshën 80 vjeçare, tani po shkon te 90-at. Ndërsa duke iu rikthyer kujtesës mbi versionin e Hamletit në skenën tonë, si ai i Naim Frashërit, më përpara të Aleksandër Moisiut mendoj se ka të bëjë me të kuptuarit jashtë rrënjëve të vërteta të Shekspirit. Pra ka ardhur si e kanë kuptuar, ndjerë, paragjykojnë, gjykon një karakter apo një popull në krahasim se si e sjell tradita vetë. Naim Frashërin nuk kam arritur ta shoh si “Hamlet” në skenë, të tjerat po, kur është vënë në vitin 1960. Nga zërat që na mbërrijnë siç e kanë parë kolegët e tij, pasi kanë qenë disa Hamletë si Sandër Prosi apo Kadri Rroshi, por thuhet se Frashëri ka qenë më i përshtatshmi për mënyrën se si e shikonim ne Hamletin. Por, nga “Globusi” unë kam parë jo vetëm një Hamlet në traditën e vet, por shumë afër njerëzve. Ishte një djalosh shumë i thjeshtë, i zakonshëm. Me kohë se si është trajtuar ka pasur aureolën e filozofit, këtij njeriu ekzistencial që vjen për të ndriçuar botën dhe kur në kontakt me marrëzitë e botës, rrinte gjoja pak i menduar, i veçuar për t’u përballur. Kurse “Hamleti” i “Globus”-it, ishte një djalë në harmoni si gjithë të tjerët, jashtëzakonisht i besueshëm. Pasi nuk është njësoj të luash një Hamlet 300 vjet përpara në një shekull krejt tjetër. Ardhja nga një traditë e mrekullueshme dhe hyrja brenda një shoqërie globalizimi, duke kuptuar se si janë rrënjët dhe si bëhet e prekshme me të sotmen. Është interesante si e çlirojnë personazhet duke ndërruar rolet, duke kaluar rolet dorë më dorë nga role në shumë ngarkesë kalojnë në një moment në një rol tjetër më me pak ngarkesë. Edhe këtë drejtim ishte një eksperiencë shumë interesante, shumë më pak të lodhshme, me ngjyra dhe karaktere – një gjë lëvizëse, kompakte. Kishte shumë gjëra me të cilat ne, mund të dialogonim me to.
Hamleti është uni i Shekspirit, dy maja në një, që sfidojnë njëri tjetrin… çfarë mund të reflektojë në idetë e një regjisori?
Ndofta një nga kulmet e tragjedisë, bashkë me të tjera, duhet thënë se në këtë vepër Shekspiri është vetë Hamleti. Frazën e famshme: të rrosh apo të mos rrosh – nëse do të më vinte rasti ta vija në skenë domosdo do ta kisha aktualizuar me gjendjen tonë: të jetosh apo të mos jetosh në Shqipëri! Se çfarë elementësh do gjeja, kjo është një pikëpyetje e madhe, në mënyrë që vendi ynë, populli ynë të kuptonte se me çfarë do të kishte të bënte. Pse e them këtë? Sepse, në kohën kur Piter Brook ndërtonte Hamletin para pak kohësh, në Paris, pasi kishte bërë gjithë veprën e Shekspirit iu kthye frazës: “të rrosh apo të mos rrosh”. Përpara se ta vinte në skenë shkoi mes njerëzve, dhe i pyeste se e kujt ishte kjo frazë, dhe se çfarë mendonin. Ata reagonin menjëherë se ishte vepër e Shekspirit.
Kalonte në këtë mënyrë nga një mjedis në tjetrin, nga një shtresë në tjetrën duke shkuar deri te punëtorët e uzinave, fshatarët, intelektualët etj. Të gjithë i rezultuan se e kishin dëgjuar diku, e kishin fiksuar vetëm atëherë vendosi të rikthente Hamletin. Kjo ishte çfarë një regjisor reflekton, apo ideon rreth një shfaqje – ishte një nga shtysat e tij, që njerëzit e kishin shumë pranë tyre këtë karakter. Hamleti i Piter Brook ishte një mulat me kaçurrela, një djalë i jashtëzakonshëm. E them këtë pasi këtu shoh jo racizëm, por një mendësi se si të jetë. Këto janë ndër historirat tona prej injorantësh.
Duke u kthyer te sfida e Shekspirit, kjo vazhdon të jetë e tillë për aktorin në vetvete. Këto janë vështrime. Por unë personalisht dhe shumë kolegë të tjerë, mezi prisnim të shikonim këtë sfidë nga vetë sfida, nga teatri hamletian. Për ne, u thye një lloj tabuje të konceptit anakronik të njerëzve të paditur në këto fusha, që nuk do të thotë se s’janë të ditur në vetvete, por për të parë çfarë është teatri “Globus”, pasi është e pamundur t’i prekësh të gjitha, e t’i shohësh. Për mua kjo u prek nga ata që kanë sy e veshë, duke iu kthyer reagimit të trishtueshëm për ata njerëz që u larguan, në këtë event të madh që i erdhi Shqipërisë.
Çfarë po ndodh me Festivalin e Butrintit, meqë ju e keni shtyrë deri në vjeshtë, me sa dimë, për shkak të parave të pamjaftueshëm që dha Kumbaro për projektin. A mendoni se ka ardhur koha të ndryshohet diçka, funksionimi, struktura e tij pasi prej katër vitesh ekzistenca është vënë në pikëpyetje dhe pse janë organizuar 11 edicione?
Sigurisht që ne kemi bërë një shtyrje thjesht për të mos e humbur festivalin. Unë jam shumë i trishtuar, e i brengosur jo vetëm me festivalin, kam një problem të madh se njerëzit dhe shoqëria ime po tregon shenja të mosformimit, të mosedukimit të mirëfilltë, dhe shenja të një kulture të mangët. Duke nisur nga vetvetja them se kjo është shumë e rëndë. Të jemi të bindur se shoqërinë dhe brezin nesër do ta kemi të sëmurë. Nisur nga ky moment do të ngre zërin me të madhe, duhet thënë me alarm se nëse, shteti dhe shoqëria nuk ngrihet në këmbë, përpara çdo revolucioni, të kthehen në një revolucion edukimi dhe kulture nga jugu e veriu. E kam bindje të plotë. Duhet së pari një edukim kulturor e estetik pasi shoqëria jonë po largohet nga kultura e vërtetë.
Ndaj dhe festivali i Butrintit nuk është i pakët për këtë vend, komunitetit, apo të rinjtë, për shoqërinë tonë. Por deri tani po përpiqemi për ta çuar projektin kudo për ta mundësuar, pavarësisht se kemi një problem të madh me trupat. Ashtu si “Globusi” që priste para një vit kohën e saktë, dhe të tjerat kërkojnë kur do të jetë. Përveç dëshirës së mirë, nuk dimë akoma nëse do mundësohet në fillim shtatori festivali. Por, prapë ndoshta shpresa s’duhet humbur, pastaj do të mendojmë se si mund të bëhet më mirë vitin tjetër, ndoshta si mund të ndryshojë strategjia e festivalit, struktura për t’i dhënë reputacion përmes një bordi të madh, për t’u ndjerë më të përgjegjshëm për këtë event.
Festivali ka hyrë tashmë në axhendën evropiane dhe ka seriozitet kulturor në një rang të tillë, prandaj unë shpresoj dhe s’heq dorë.




