Francë/ Rama takon Hollande: Optimist për statusin, Presidenti francez pritet të vizitojë Tiranën

Rama Hollande 1Kryeministri Rama: Takim me Hollande përtej pritshmërive

 Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Francë, ku u prit në një takim të veçantë nga Presidenti François Hollande, në Pallatin Elysee. Sipas njoftimit të qeverisë, Presidenti Hollande i shprehu Kryeministrit Rama mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Shqipërisë. Gjithashtu, gjatë takimit, mësohet se Presidenti francez ka theksuar se Shqipëria shihet si vend stabiliteti në rajonin e Ballkanit. “Në takim u bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, ku Presidenti Hollande vlerësoi rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe kulturës, por edhe bashkëpunimin ushtarak e policor. Kryeministri Edi Rama e falënderoi Presidentin François Hollande për mbështetjen e vazhdueshme të Franca i ka dhënë Shqipërisë. Ftesën e Kryeministrit Rama për të vizituar Tiranën, Presidenti Hollande e vlerësoi si një vizitë që mund të bëhet realitet në një kohë të afërt. Në këtë takim merrnin pjesë dhe Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati”, – thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të qeverisë.

 

Rama

Pas takimit që Kryeministri Rama zhvilloi në Francë, pritet që Presidenti François Hollande të vizitoj Tiranën. Konfirmimi u bë nga vetë Kryeministri Edi Rama, pas takimit me Holande që zgjati për rreth një orë.

“Një takim përtej pritshmërive”, – kështu e cilëson kreu i qeverisë takimin me presidentin francez, teksa shprehet kënaqësinë për konfirmimin e Hollande se do të vizitojë Shqipërinë, njësoj si edhe Kancelarja Merkel. Me Presidentin e Senatit ku përcolla dhe falënderimet e Kryetarit të Kuvendit për mbështetjen e madhe për statusin”, – ka shkruar në rrjetin social “Twitter”, Kryeministri Edi Rama.

Më pas, kreu i qeverisë foli më në detaje rreth takimit me Presidentin Francez. “Takimi me presidentin i kaloi pritshmëritë tona, pasi ishte takim shumë i hapur, miqësor i drejtpërdrejtë. Patëm mundësinë të shtjellojmë në gjithë përmasat e veta domosdoshmërinë që ka Shqipëria dhe Ballkani për tu integruar në BE, por dhe domosdoshmërinë që ka BE për të kuptuar se sa të nevojshme e ka Shqipërinë dhe Ballkanin”, – bëri me dije Rama gjatë fjalës së tij për mediat, pas takimit me presidentin francez. Nga ana tjetër biseda u shtri dhe në bashkëpunimin e dimensionit ekonomik, një bashkëpunim që sipas Kryeministrit Rama do intensifikohet. “Do intensifikohet, ashtu siç do intensifikohen edhe shkëmbimet kulturore, apo ato ne nivelin e ekspertizës për të mbështetur procesin e integrimit”, – bëri me dije më tej Rama.

Tjetër takim Kryeministri Rama pati me sipërmarrjet franceze. “Ishim në organizatën më të madhe të sipërmarrësve franceze ku patëm mundësi të flasim e dëgjojmë, të japim vizionin tonë dhe disa nga tiparet kryesore të modelit të ri ekonomik që po ndërtojmë dhe të marrim shprehje të ndryshme interesi nga investitorët franceze për të ardhur dhe investuar në Shqipëri. Unë jam optimist dhe e konsideroj këtë vizitë përtej pritshmërive”, – ka thënë Kryeministri Rama.

 

 Intervista e Ramës për TV francez

Kryeministri, francezëve: S’duhet të shqetësohemi për statusin, negociatat marrin 10 vjet

 

 Një ditë para se të takonte Presidentin francez Hollande, Kryeministri Edi Rama dha një intervistë në emisionin francez “Le Grand Soir 3”‏, ku theksoi se e ardhmja e Shqipërisë është Evropa. I pyetur nga gazetari nëse duhet të bëhet një pauzë për hyrjet e reja në BE, Rama theksoi se Shqipëria nuk bëhet anëtare e BE-së sot, por negociatat tha ai do të marrin rreth 10 vjet kohë. Sipas Ramës, “euroskepticizmi është ushqyer nga frikëra që nuk bazohen në realitetin e Evropës”.
Gazetari: Edi Rama, faleminderit që jeni me ne! I keni ndjekur me vëmendje imagjinoj zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe keni parë që ka shumë zhgënjim kundrejt Evropës dhe institucioneve evropiane ndërsa ju doni t’i bashkoheni klubit, çfarë ju tërheq në Evropë? 

Ne bëjmë pjesë në evropianët që nuk janë akoma të zhgënjyer nga Evropa. Ne bëjmë pjesë në evropianët që vazhdojnë ende të besojnë ëndrrën e Shumanit dhe të gjithë baballarëve themelues të Evropës. Do t’ju them diçka; ka njëqind vjet që kur Lufta e Parë Botërore filloi dhe pas saj cikli i luftërave, por është hera e parë që kemi paqen mes vetes ne në Ballkan, jo sepse jemi engjëj të paqes, por sepse jemi të bindur se Evropa është e ardhmja jonë. E them këtë për vendin tim dhe njëkohësisht për gjithë të tjerët. Nuk shoh dhe nuk besoj që ka ndonjë projekt tjetër që njerëzimi ka krijuar që mund të krahasohet me projektin e madh evropian.
Gazetari: Ta theksojmë për shikuesit se fakti që ju flisni kaq mirë frëngjisht, e pamë edhe më parë që gjuha franceze mësohet në vendin tuaj, po rasti juaj është se ju keni jetuar disa vite në Francë.
Shqipëria është pjesë e frankofonisë dhe është një vend ku mësohet frëngjishtja, ku flasim shumë gjuhë të huaja. Është vendi me moshën më të re në Evropë dhe po ashtu vendi që ka dalë nga një diktaturë shumë e egër. Gjithashtu, është vendi ku sipas statistikave jemi më të hapurit ndaj Evropës.
Gazetarja: Çdo të thoshit për ata që shohin sot këtë intervistë dhe thonë, edhe një vend tjetër, edhe një vend tjetër më i varfër se ne. Ju bezdis të ushqeni euroskepticizmin, si do reagonit ndaj tyre?
Unë besoj që euroskepticizmi është ushqyer nga frikëra që nuk bazohen në realitetin e Evropës dhe më vjen keq që euroskepticizmi vazhdon të rritet, sepse nuk shoh ndonjë projekt tjetër më të mundshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë, si Evropa.
Gazetarja: Ju nuk mendoni se duhet të bëhet një pauzë, për hyrjet e reja?
Po ju them ju francezëve diçka shumë të thjeshtë; Nuk duhet të shqetësohemi, sepse ne do të marrim statusin e vendit kandidat dhe nuk do të jemi menjëherë anëtarë nesër. Statusi i kandidatit është hapi i parë, pastaj janë negociatat që marrin rreth dhjetë vjet, ndaj nuk duhet të shqetësohemi. Por nga ana tjetër dua të përfitoj të them që është diçka e çuditshme që Franca, një nga shtyllat themeluese të Evropës ndodhet në këtë situatë, mjaft të veçantë, ku të flasësh për Evropën nuk është edhe aq e rregullt politikisht dhe është vërtet diçka që të bën të ndihesh keq.
Gazetari: Ju do të takoni nesër François Hollande dhe ndoshta do të flisni për zgjedhjet evropiane, por a mendoni se e keni mbështetjen e tij për statusin e vendit kandidat?
Besoj që Presidenti francez ka pasur një vizion të qartë kur vitin e kaluar ai i mblodhi liderët e vendeve evropiane në Bordo dhe foli për një të ardhme evropiane të vendeve Ballkanike. Dhe besoj gjithashtu se Kancelarja Angela Merkel ka po ashtu një vizion të qartë për të ardhmen e Evropës kur ajo u angazhua për të organizuar një Samit me liderët ballkanikë për të parë mundësitë sesi këto vende mund të lidheshin bashkë në një të ardhme të përbashkët.
Gazetarja: Faleminderit shumë Zoti Kryeministër!

 

 

 

Share it :