Kryeministri dhe ministri i Mirëqenies Sociale nuk mbajnë premtimin për të biseduar me ish-të përndjekurit
Luhatje tensioni dhe dhimbje të forta koke, vetëm disa nga problemet shëndetësore të grevistëve
Që në ditën e dytë të grevës së urisë të ish-të përndjekurve politikë, Kryeministri dhe ministri i Mirëqenies Sociale u shprehën se do të negocionin me grevistët dhe se ishin të gatshëm që të gjenin një zgjidhje. Që prej asaj dite asnjë zyrtar i qeverisë nuk është interesuar për të biseduar me ish-të përndjekurit politikë që kanë 13-të ditë në grevë urie. Ndaj grevës së ish-të përndjekurve politikë, qeveria ka vendosur të zgjedhë heshtjen dhe kjo, sipas grevistëve, është një ndër mënyrat se në Shqipëri po rivendoset komunizmi. “Ne që përfaqësojmë shtresën më fisnike të popullit tonë kemi 13 ditë në grevë urie. Kjo është një protestë ekstreme që vjen për shkak të injorimit që qeveria u bën kërkesave tona. Riaktivizimi i figurës së Enver Hoxhës përbën një kërcënim real për të ardhmen tonë. Kur Polonia dhe vende të tjera ish-komuniste festojnë rënien e komunizmit, qeveria jonë po përgatitet të festojë vendosjen e komunizmit në vendin tonë”, – thonë ish-të përndjekurit politikë. Grevistët i janë drejtuar me një deklaratë Presidentit, Kryeparlamentarit, qeverisë, opozitës dhe ambasadorëve, duke thënë se kërkesat e tyre po injorohen dhe se premtimet e së majtës në fushatë sot janë shndërruar në mashtrime.
Deklarata
Gjergji Hani, në emër të të gjithë grevistëve, u shpreh i vendosur se do të vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave që kanë të bëjnë me hapjen e dosjeve të ish-sigurimit komunist, ngritjen e një komisioni për gjetjen e varreve të 4000 të pushkatuarve nga komunizmi, si dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve brenda dy vitesh. “Do të vazhdojmë grevën e urisë derisa qeveria të dëgjojë zërin tonë”, – shprehet Hani. Ish-të përndjekurit denoncojnë qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama se jo vetëm nuk ka mbajtur premtimet, por edhe ka larguar shërbimin mjekësor në ndihmë të grevistëve.
Problemet
Çdo ditë që kalon, akoma dhe më shumë rëndohet gjendja shëndetësore e ish-të përndjekurve politikë. Ditën e djeshme është shoqëruar për në spital edhe drejtuesi i grevës Fatmir Hoxha, për shkak të luhatjeve të tensionit. Pjesa më e madhe e grevistëve kanë probleme me stomakun, dhimbje koke dhe luhatje të shpeshta tensioni. Sipas mjekëve, gjendja e tyre do të rëndohet akoma dhe më shumë në ditët në vazhdim, kjo për shkak dhe të moshës.
Kërkesat e grevistëve
-Dënimi i figurës së Enver Hoxhës
-Dëmshpërblimi brenda dy viteve të të gjithë ish-të përndjekurve politikë
-Të rikthehen në punë fëmijët e ish-të përndjekurve që janë shkaktuar padrejtësisht nga postet në administratë
-Të hapen dosjet
Mahir Reçi, 15 ditë grevë për largimin nga puna/ Kërcënohet me vdekje ish-grevisti i urisë: Të pret vdekja
Ish-punonjësi i larguar nga puna Mahir Reçi është kërcënuar dy ditë më parë se “e pret vdekja”. Nëpërmjet një mesazhi të dërguar në telefonin e tij, Mahir Reçit i është kërkuar përgjigje se përse u fut në grevë urie dhe se shumë shpejt do t’i tregohet se kush është. Mesazhi në telefonin e Reçit ka ardhur nga numri 0699191….. Sipas kallëzimit që ka bërë në polici Reçi është shprehur se i ka rënë menjëherë numrit po ai ka dalë i fikur. Edhe të nesërmen numri ishte i fikur. Aktualisht policia po punon për zbardhjen e poseduesit të numrit celular. Mahir Reçi për 15 ditë ka qenë pjesë e grevës së urisë që kanë zhvilluar ish-nëpunësit e larguar nga puna. Reçi ka qenë i punësuar në godinat e ndërmarrjes Studenti 2 dhe është larguar nga puna në muajin nëntor të 2013-ës. Greva u zhvillua pranë ish-piramidë, në krah të Kryeministrisë. Ish-nëpunësit u larguan nga greva e urisë pas një thirrjeje të komisionerit Stefan Füle se do të bisedonte me qeverinë për çështjen e tyre. Mahir Reçi është baba i 5 fëmijëve.
Denoncimi i Mahir Reçit në polici
Në polici Reçi ka bërë një paraqitje të situatës, duke shpjeguar mesazhin e mbërritur në telefonin e tij. “Aktualisht jam pa punë. Në muajin nëntor të vitit 2013 më kanë hequr nga puna dhe jam regjistruar në Shoqatën e të Larguarve nga Puna. Në shenjë proteste për largimin nga puna Shoqata ka organizuar grevën e urisë te ish-piramida. Më datën 8.6.2014, më ka ardhur në telefonin tim celular me numër 068……, një mesazh kur shkruhej: “Ku je more shikas i Bashkim Gazidedes, u fute në grevë që të rrëzosh qeverinë? Mos u mërzit se do ta tregojmë shumë shpejt se kush je ti zagar i “Sali malokut”, vdekja ju pret”. Unë i kam rënë telefonit për të folur me personin që më kërcënonte, por telefoni ishte i fikur. E kam provuar disa herë dhe për këtë erdha në komisariatin nr. 4, për të kallëzuar, pasi ndihem i kërcënuar”, – është denoncimi që ka bërë ish-punonjësi i larguar nga puna.
Mesazhi në telefon
Ku je more shikas i Bashkim Gazidedes, u fute në grevë që të rrëzosh qeverinë? Mos u mërzit se do ta tregojmë shumë shpejt se kush je ti zagar i “Sali malokut”, vdekja ju pret”





