Qëndrimi / Vjena, lobim për statusin, 16 vende letër BE-së për mbështetjen e Shqipërisë

Gëzim Saliu

Mungon firma në letër e Gjermanisë, Holandës dhe e Danimarkës

Letra, vendet e BE-së: Statusi do të inkurajonte Shqipërinë në vazhdimin rrugës së reformave

 

godina-selia-e-komisionit-europianVjena merr angazhim për të nxitur votën pro të Bashkimit Evropian për dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë. Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Sebastian Kurz, u ka nisur një letër homologëve të vendeve të Unionit, baroneshës Catherine Ashton dhe Greqisë, si vendi që mban Presidencën e radhës së BE, ku theksohet se Shqipëria ka bërë progres dhe se ka përmbushur kushtet e vendosura për të mundësuar marrjen e statusit. Letra e firmosur 17 vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe Greqinë, thekson se angazhimi dhe progresi i Shqipërisë, ashtu si u nënvizua në raportin e qershorit të 2014-ës e bën të qartë faktin se vendi e meriton që BE t’i njohin statusin e kandidat. “Kjo do të inkurajonte Shqipërinë në vazhdimin rrugës së reformave dhe për mbajtur vrullin e saj. Zgjerimi është një proces që ka rregulla strikte. Është e rëndësishme të tregojmë se kur kushtet janë përmbushur, BE duhet të jetë gati të shpërblejë progresin dhe të ndihmojë vendet në rrugën e tyre të anëtarësimit. Dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë do të jetë një sinjal i fortë për vendet e rajonit, për fuqinë transformuese dhe stabilizuese të procesit të zgjerimit, proces që është njëkohësisht në të mirën e qytetarëve të BE dhe atyre të vendeve aspirante gjithashtu”, – nënvizohej në letër.

 

Letra

Ministrat e Jashtëm firmosës të letrës theksojnë se arritjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë intensifikua. Duke nënvizuar edhe shembuj konkretë të këtyre arritjeve, si dhe vullnetin e treguar për fillimin e reformës në drejtësi, ministrat e BE-së përsërisin mbështetjen për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Letra e 16 vendeve të BE-së është në sinkron me raportin e Komisionit Evropian në rekomandimin për statusin e Shqipërisë. Por në këtë letër mungon firma e vendeve që u shprehën skeptikë në dhjetor e që kanë shprehur deri tani sinjale mbështetës ndaj vendit, si Gjermania Holanda apo edhe Danimarka. Mungesa e firmës lidhet edhe me procedurat e brendshme, ku më parë këto vende duhet të informojnë Parlamentin e tyre për një hap të tillë. Ndërkohë që Britani dhe Franca mbeten dy vendet që shihen me dyshime më të mëdha për votën e tyre në mbledhjen e këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së më 23 qershor. Pikërisht nisur nga kjo, kreu i qeverisë Rama do të vizitojë më 11 qershor Parisin, ku do të zhvillojë një takim me Presidentin Hollande e ndërsa ministrja e Integrimit në të njëjtën kohë pritet të vizitojë Londrën. Në këto vizita, përfaqësuesit e lartë të qeverisë do të kërkojnë mbështetjen e dy ndër vendeve kryesore të Bashkimit Evropian për marrjen e statusit, ku skepticizmi i tyre duket se është rritur edhe më shumë si pasojë e zgjedhjeve të fundit në PE në të cilat ekstremistët e djathtë morën rezultate surprizues në Britaninë e Madhe dhe Francë.

 

 

Vendet firmosëse të letrës

 

Austria

Italia

Kroacia

Sllovenia

Sllovakia

Rumania

Bullgaria

Polonia

Hungaria

Suedia

Qipro

Estonia

Irlanda

Letonia

Lituania

Malta

 

 

Kancelarja gjermane

Merkel: Perspektiva e Ballkanit është BE-ja, por rruga mbetet e gjatë. Ka kritere për integrimin

Kancelarja gjermane Angela Merkel vlerësoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të qartë për të hyrë në BE, ndonëse rruga e tyre, sipas saj, do të jetë e gjatë. “Ne e mbështesim aderimin e tyre. Shumë thjesht, ne besojmë se ne nuk fitojmë asgjë nëse kriteret nuk respektohen. Dhe ka kritere shumë të qarta për etapat e afrimit drejt BE-së”, – the Merkel, e cila do të presë të mërkurën në Berlin Kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç. Sipas Kancelares: “Kritere të qarta, respektim i traktateve, atëherë perspektiva e Ballkanit Perëndimor është e qartë. Në fund të gushtit qeveria gjermane ka ftuar të gjitha vendet e Ballkanit në një konferencë në Berlin dhe Gjermania do të angazhohet fuqishëm për këtë rajon”. Pas Greqisë në vitin 1981, Sllovenisë në vitin 2004, Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 dhe Kroacisë në vitin 2013, mbeten ende gjashtë vende të tjera ballkanike që ende nuk kanë aderuar në BE, të cilat përkatësisht janë Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova.

 

 

SHBA

Arvizu: Shpresa se Shqipëria do ta marrë statusin, rekomandimi i KE-së ishte i qartë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpresa se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat. Kështu deklaroi dje nga qyteti i Beratit ambasadori amerikan Alexander Arvizu. “Rekomandimet e KE-së për ju kanë qenë shumë të qarta”, – theksoi kryediplomati amerikan në vend, pasi inspektoi pedonalen e re të qytetit së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço.

Share it :