“Shpëton” qeveria / KiE “ngrin” për 1 vit dosjen e pronave shqiptare

Gëzim Saliu

Zv.ministri: Ky ishte një vendim politik, shpresojmë ta bëjë edhe Strasburgu

 

council_of_europe_facebook_pagef_366352

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës vendos të pranojë kërkesën e qeverisë shqiptare për të pezulluar për 1 vit shqyrtimin e çështjeve të pronësisë nga Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Kur pritet vendimi përfundimtar që do të merret më 17 qershor nga Gjykata e Strasburgut, verdikti paraprak i marrë dje nga Këshilli i Evropës përbën një lajm pozitiv për qeverinë shqiptare dhe i hap rrugë, sipas saj, zgjidhjes njëherë e mirë të çështjes së pronave në Shqipëri. “Përshëndesim miratimin zyrtar të Këshillit të Ministrave të planit të veprimit për krijimin e një mekanizmi efektiv të kompensimit, duke e bërë planin e veprimit të detyrueshëm për shtetin shqiptar dhe vëmë në dukje me kënaqësi se masat e parapara janë duke u miratuar në përputhje me dispozitat e planit”, – thuhej në deklaratën e dhënë pas përfundimit të mbledhjes së ministrave të KiE. Më tej në vendim citohej: “Në kuadrin e afatit të përgjithshëm të paraparë për zbatimin e këtij mekanizmi, inkurajuar fuqimisht autoritetet të intensifikojnë përpjekjet e tyre me qëllim të reduktimin këtë kornizë kohore sa më shumë të jetë e mundur”.

Reagimi

Fill pas dhënies së vendimit paraprak nga ana e Këshillit Evropian, në lidhje me çështjen e pronave, Ministria e Drejtësisë e përshëndeti atë duke e cilësuar si më të rëndësishmin të marrë ndonjëherë në lidhje me çështjen e pronave. “Vendimi i Këshillit të Evropës u mor pa debate. Kjo është hera e parë që KiE merr një vendim kaq pozitiv për pronat, fal punës së qeverisë për këto 6 muaj. Situata ishte dramatike dhe nuk kishte asnjë plan veprimi, e as transparence. Në dhjetor të 2012 Gjykata e Strasburgut i bëri me dije kërkesën e saj që reformat të plotësohen brenda 18 muajve. Viti 2014 është afati i fundit për plotësimin e këtyre reformat, ndaj ne i kemi kërkuar kohë”, – bëri me dije zv.ministri Peci. Sipas tij, ky vendim ishte politik, dhe një mesazh i qartë që i jepet Shqipërisë, ku tregohet mbështetje. “Shpresojmë që këtë gjë ta bëjë dhe Gjykata e Strasburgut. Ky është lajm i mirë për të gjithë ata ish-pronarë që në 23 vjet janë endur në gjykata. Nëse ky vendin do adoptohet dhe nga gjykata, do shohin një dritë jeshile për zgjidhjen e çështjeve të saj. Shpresojmë të vendoset kjo gjë”, – theksoi ai. Lidhur me çështjen e pronave, nga ana e saj qeveria ka parashikuar të ndryshojë ligjin e kompensimit si dhe strukturën e Agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave. Në planin që i është paraqitur KiE parashikohet që ndryshimi i ligjeve të përfundojë brenda vitit 2015. Vetë AKKP-ja do të shndërrohet në Agjenci të Fondit të Tokës dhe do të menaxhojë fondin e tokës që do të shërbejë për kompensim e ndërsa ministria e drejtësisë do të jetë struktura që do të monitorojë procesin. Shteti shqiptar ka një faturë të “kripur” për t’u paguar pronarëve të cilët kanë fituar të drejtën e dëmshpërblimit nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Aktualisht janë në Strasburg gati 379 çështje të tjera të shtetasve të ndryshëm kundër shtetit, ku vetëm për 8 çështje të cilat pritet të shtyhen, qeveria do të duhet të paguante 37 milionë Euro. Ndërkaq çështja e pronave mbetet një prej problemeve më të mprehta të qeverisë shqiptare, ku pak javë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi që ekzekutivi të shohë me kujdes këtë çështje pasi fatura financiare për çështjet e fituara në Strasburg po bëhet një barrë gjithmonë e më e rëndë për buxhetin e shtetit.

 

 

Vendimi i KiE-së

Rama: Shpëtuam nga gropa e qeverisë së kaluar. Halimi: Strasburgu të dha kohë për herë të dytë

Pas vendimit të Këshillit të Evropës për të shtyrë me një vit kompensimin e pronarëve nga shteti shqiptar, ka reaguar dje Kryeministri i vendit Edi Rama duke e cilësuar këtë si një lajm që shpëton vendin nga gropa e papërgjegjshmërisë sipas tij të trashëguar nga qeveria e kaluar. “Lajm i shumëpritur nga Këshilli i Evropës për pronat. E shpëtuam vendin nga gropa që na la papërgjegjshmëria e paraardhësve. Tani të nxitojmë!”, – theksoi ai në rrjetin social FB. Por ndaj deklaratave të kryeministrit Rama nuk mungoi reagimi i demokratëve, ku nënkryetari i grupit parlamentar Eduart Halimi theksoi se ka qenë pikërisht paaftësia e qeverisë dhe mungesa e planit të saj për të zgjidhur çështjen e pronës, e cila ka bërë që Strasburgu ti japë kohë për herë të dytë ekzekutivit për dëmshpërblimin. “Strasburgu për herë të dytë i jep kohë qeverisë për pronat. Vendimi i parë linte afat qershorin e 2014-ës, por Rama edhe pse po bën një vit në qeveri nuk ka asnjë plan të besueshëm, përveç mashtrimit që i bëri pronarëve para 1 viti me pseudoprogramin dhe mashtrimin e sotëm se mori kohë për herë të parë edhe për një vit për të qenë i besueshëm”, – pohoi deputeti i PD-së.

 

 

Denoncimi i PD-së

Ristani: 18 oficerë dhe 5 drejtues janë larguar nga policia pas rekomandimit të statusit

Qeveria ka nisur një fushatë spastrimit në polici pas marrjes së rekomandimit të statusit kandidat nga Komisioni Evropian. Kështu bëri të ditur përmes një reagimi nga selia blu, deputeti i PD-së, Arben Ristani, duke pohuar se 18 oficerë karriere, dhe 5 drejtues të lartë, janë larguar nga puna, pa motiv ligjor menjëherë pasi KE rekomandoi statusin kandidat për Shqipërinë. “Kur nevoja për zbatimin e ligjit dhe standardeve është rritur përpara vendimit për statusin, kur sapo ka përfunduar një grevë urie e të larguarve arbitrarisht nga puna, kur administrata dhe policia janë bërë çështje e ditës, kur pritet pjekuri nga Kryeministri, Edi Rama bën krejt të kundërtën duke larguar nga policia profesionistët e mbetur për t’i hapur rrugë militantëve të paaftë”, – u shpreh Ristani. Sipas tij pasojat e kësaj politike me Policinë e Shtetit, kthimi i saj në polici të partisë, si edhe emërimi në poste kyçe i personave me lidhje kriminale në të kaluarën,kanë rritur kriminalitetin në vend. “Treguesit e rendit dhe të pasigurisë së jetës, në vend janë përkeqësuar. Këtë kryeministri e di mirë, por popullit ia fsheh. Në këto 5 muaj, kanë ndodhur 375 vjedhje prone më shumë se në 6 muajt e vitit të shkuar. Në këto 5 muaj, kanë ndodhur 138 aksidente më shumë se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm. Kanë ndodhur më shumë vrasje në këto 5 muaj, dhe më shumë viktima, se sa e njëjta periudhë e një viti më parë”, – theksoi deputeti demokrat Ristani.

 

 

 

 

 

 

Share it :