Portugalia është pjesë e grupit G në Botërorin “Brazil 2014” bashkë me Gjermaninë, Ganën dhe SHBA-në, por kjo nuk i frikëson aspak luzitanët. Atmosfera në kampin portugez është shumë e mirë dhe këtë e tregon edhe fotoja. Para se të bënin fotot zyrtare të Botërorit, djemtë e Paulo Bentos nuk kanë harruar të shkrepin edhe një “selfie”. Jristiano Ronaldo, Luis Nani dhe Raul Merejes janë lojtarët që tërheqin vëmendjen, ndërsa mesfushori i Fenerbaçes vijon të jetë i veçantë në look-un e tij dhe veçanërisht flokët dhe mjekrën. Portugalia e luan ndeshjen e parë të Botërorit më 16 qershor kundër Gjermanisë, ndërkohë që klubi nuk duket se po kalon një kohë të mirë. Kjo, pasi ylli kryesor i ekipit, Ronaldo, ka probleme fizike dhe duket se nuk është në formën e duhur për të ndihmuar ekipin e Bentos. Një minus i madh për luzitanët.
Valencia kap për fyti Starrixhin
Nerva para Botërorit. Kjo, pasi të gjithë lojtarët kërkojnë të jenë në formë para fillimit. Miqësorja mes Anglisë dhe Ekuadorit ka përplasur ashpër lojtarët e dy skuadrave më të famshme angleze, Liverpul dhe Mançester Junajtid. Antonio Valencia, futbollist i “djajve të kuq”, nuk i pëlqeu ashpërsia me të cilën i ndërhyri talenti i “The Reds” Rahim Sterling, duke iu hedhur në fyt. Ndërhyrja e anglezit ishte e ashpër, por pa pasoja për futbollistin ekuadorian, por kur jemi pak ditë para fillimit të Botërorit çdo dëmtim do të thoshte lamtumirë ngjarjes më të rëndësishme të vitit. Të dy u nxorën jashtë me kartonë të kuq.
Jelinek, e dashura e re e Falkaos
Lajme të mira për Falkaon pas dëmtimit të rëndë që e largoi nga Botërori. Lojtari i Monakos nuk mund të jetë protagonist në Kupën e Botës “Brazil 2014” pas një dëmtimi të pësuar muaj më parë me klubin e tij, por ka diçka që e “ngushëllon” bomberin kolumbian. Sipas asaj që shkruajnë disa media kolumbiane, Karina Jelinek, show-girl argjentinas, është e dashura e re e sulmuesit të Monakos dhe Kolumbisë, edhe pse asnjë prej çiftit nuk e ka pohuar apo mohuar lajmin. Siç thotë edhe fjala e urtë, kur nuk të ecën në punë, të ecën në dashuri.
Lojtarët e Anglisë, shopping në Majami
Botërori është para, por kjo nuk do të thotë që lojtarët mendojnë vetëm për futboll. Kombëtarja e Anglisë udhëtoi dje drejt Majamit, ku do të zhvillojë fazën parapërgatitore për Kupën e Botës “Brazil 2014”. Djemtë e Roi Hoxhsonit do të stërviten në fushën e “Barry University” para se të udhëtojnë drejt vendit të Sambës. Por përveç stërvitjes, “tre luanët” kanë gjetur kohë edhe për pak relaks ose më mirë për pak shopping në dyqanet e qytetit amerikan. Kapiteni Stiven Xherard ishte udhëheqësi i disa futbollistëve anglezë: Glen Xhonson, Fil Xhaxhielka, Leiton Beins dhe Riki Lambert në “Bal Harbour Shops”.
Renditja e FIFA-s, Brazili në pod, Shqipëria e 66-ta
Brazili ngjitet në podin e renditjes së FIFA-s për muajin qershor: Seleçao kalon Portugalinë dhe ka përpara vetëm dyshen kryesuese Spanjë-Gjermani. Në rritje edhe Argjentina (nga vendi i shtatë në të pestin) dhe Zvicra (nga i teti në të gjashtin), bie Kolumbia që humbet tre pozicione. Italia e nënta, ndërsa Belgjika e Januzajt e 11-ta. Për sa i përket kombëtares shqiptare, edhe pse pas dy ndeshjesh radhazi miqësore të humbura me Rumaninë dhe Hungarinë, jemi ngritur me katër vende krahasuar me renditjen e 8 majit, duke u ngjitur në vendin e 66-të.




