Florenc Drizari
Berisha: Kolonel Xhevdet Zeneli fakton uljen e avionit në Gjadër në tetor të 2013-ës
Çështja e trafikut të drogës nga bazat ushtarake të ushtrisë u rikthye sërish dje në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë nga deputetët e opozitës. Ish-kryeministri Berisha gjatë diskutimeve për kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për emërimet dhe shkarkimet në administratën shtetërore, akuzoi Kryeministrin Edi Rama për mohimin që u kishte bërë akuzave për përdorimin e bazave të ushtrisë (aerodromi i Gjadrit) për trafiqe droge. Ish-kreu i qeverisjes së djathtë publikoi një pjesë të një letre që ai e quajti “Top sekret” nga komandanti i Policisë Ushtarake, kolonel Xhevdet Zeneli, i cili, sipas Berishës, flet për trafik të lëndëve narkotike me avionë të vegjël në tetor të vitit 2013, periudhë në të cilën socialistët sapo kishin marrë pushtetin.
Letra
“Me datën 30.10.2013 në Drejtorinë e Policisë ka mbërritur shkresa nr. 2049, e klasifikuar “Top sekret”, dërguar nga komandanti i Policisë Ushtarake kolonel Xhevdet Zeneli. Sipas kësaj shkrese: Në muajin tetor 2013 në aerodromin e Gjadrit, Lezhë, një avionin charter është ulur disa herë në pistë në data të ndryshme dhe persona të paidentifikuar kanë furnizuar me karburant dhe drogë”, – theksoi Berisha nga foltorja e Kuvendit. Kjo deklaratë u bë sipas ish-kryeministrit në kuadër të mohimit të akuzave ndaj rreth dy muaj më parë, kur deklaroi se në aerodromet e FA-së ishin kryer transporte të lëndëve narkotike me avionë të vegjël, ndërkohë që krerët e mazhorancës, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeparlamentari Ilir Meta, i quajtën “mushkonja”. Pas këtij qëndrimi nuk pati reagime nga krerët e mazhorancës, ndërkohë që replika të shkurtra nga vendi u bënë nga deputeti Taulant Balla, i cili i kërkoi Berishës jashtë mikrofonit që të lexonte letrën e plotë.
Statusi
Një ditë pas rekomandimit të statusit të vendit kandidat nga komisioneri për Zgjerimin Stefan Füle në Tiranë, deputetët e kuvendit debatuan se përse Shqipëria nuk e mori këtë statusin nga BE-ja në muajin dhjetor. Ish-kryeministri Berisha theksoi qëndrimet e mëparshme të opozitës socialiste, duke rikujtuar grevën e deputetëve, kushtet për tri ligjet etj., ndërsa përfaqësuesit e majtë folën për arritjet e qeverisë në këta muaj qeverisjeje. Deputetët e opozitës replikuan me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, duke e akuzuar atë për shkarkime në trupin diplomatik të atyre personave që kanë kontribuar për statusin e vendit kandidat dhe të gjitha arritjeve të Shqipërisë në politikën e jashtme, ndërsa në replikë ministri Bushati, akuzoi të djathtët tek emërimet politike e nepotike nga qeverisja e kaluar.
“Dënoj qëndrimet e Edi Ramës si të papërgjegjshme, që diku flet për drejtori shkolle dhe diku tjetër thotë se ka edhe gomerë siç ka këtu ka edhe atje. Diku thotë se 99% e parlamentarëve të këtyre vendeve nuk e kanë idenë se çfarë është statusi duke harruar se ata kanë votuar që të gjithë në seancë. Duke harruar se ata i kanë shumë të qarta se ne edhe stabilizim-asocimin, edhe statusin edhe negociata e etj. Ndaj ky zotëria të mbyllë gojën dhe të përpiqet të lobojë me të gjithë forcën, të negociohet me vendet të cilat kanë akoma rezerva, tu kërkohet cilat janë kushtet e tyre dhe tu zotohemi t’i plotësojmë”, – theksoi ish-kryeministri Sali Berisha, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në sallën e Parlamentit, për shkak të një vizite dyditore në Itali.
Debatet Berisha – Balla
Akuzat për përdhunim dhe video-projektor në Kuvend
Berisha: Përderisa Edvin Kristaq Rama do të ketë për avoketër përdhunues, ja ku është dokumenti…
Balla: Ku është dokumenti, nxirre, nxirre!
Berisha: Edhe me film!
Balla: Po nxirre mor dokumentin!
Berisha: Edhe me film! Përderisa ekziston dokumenti edhe i filmuar.
Meta: Ju lutem!
Berisha: Atëherë mjerimi është total për Edi Ramën.
Meta: Dakord, dokumentet çojini në prokurori tani.
Berisha: Një përdhunues i faktuar.
Meta: Ju lutem zoti Berisha mos ofendojmë kolegët.
Berisha: I faktuar dhe i denoncuar për përdhunim.
Balla: Nxirre dokumentin!
Berisha: Del këtu dhe mbron një rrëmbyes, një njeri që synon të rrëmbejë një vajzë.
Balla: Ku e ke dokumentin?
Berisha: Ky është morali i Edi Ramës. Me këtë moral gatuhet. Po pse nuk e mbron njeri tjetër?
Meta: Ju lutem, ai nxori një dokument nuk keni pse ta ofendoni.
Berisha: Edhe kushërira s’flet dot një fjalë për të. Të themi realitetin.
Balla: Nxirre dokumentin!
Berisha: Absolutisht edhe me film po deshe.
Balla: Po nxirre pra!
Berisha: E di mirë ti, edhe me film po deshe.
Meta: Ju lutem se po pret zonja Bregu.
Berisha: Zoti Kryetar! Këtu na bini një video-projektor dhe ne do të paraqesim çdo gjë. Kjo është e vërteta.
Balla: Shko tek SHQIP-i shko tek SHQUP-i.
Meta: Dakord.
Berisha: Na sill një video-projektor të paraqesim çdo fakt që kemi në mënyrë se qytetarët duan të ditë në vërtetën.
Meta: Propozimi është që përveçse në teatër, ta kthejmë edhe në kinema Parlamentin.
Miratohet raporti i PS-së, mendimet e PD-së, pakice
Ristani: Janë shkarkuar 400 punonjës policie
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 72 vota pro raportin përfundimtar të komisionit hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit”. deputetët e pozitës dhe të opozitës nuk patën konsensus duke dalë me dy raporte të ndara, por që në fund raporti i opozitës u përfshi në raportin e mazhorancës si mendim pakice.
Deputeti i PD-së, Arben Ristani, në cilësinë e kryetarit të komisionit hetimor paraqiti konkluzionet e opozitë, deklaroi se shkarkimet në polici janë bërë në kundërshtim me ligjin dhe se emërimet e reja janë të kundërligjshme. “178 punonjës të liruar në kundërshtim me ligjin për policinë e shtetit. Pra, për gjithë periudhën janë shkarkuar 400 punonjës, 178 prej tyre me motivacion ndryshim i strukturës organizative, ky motivacion që nuk e parashikon ligji. Motivacionet ishin të stisura, u larguan profesionistë të trajnuar. Asnjë largim për shkak të mungesës së performancës apo mungesë arsimi. Është larguar kupola e policisë brenda një nate”,-tha Ristani. Gjithashtu ai akuzoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi se nuk plotëson kriteret për të qenë në këtë post. “Artan Didi nuk përmbush asnjë prej kritereve ligjore. Ligji kërkon të ketë arsim përkatës policor, pra Akademinë e Policisë”,-tha Ristani. Ndërkaq, gjatë leximit të raportit të mazhorancës, Taulant Balla tha se viti 2013 ka qenë një ndër periudhat më problematike për Policinë e Shtetit. “Kemi arsyetuar se ky raport duhet të jap përgjigje në çështjet e themelimit. Në këtë raport përfundimtar, pas shumë vitesh një komision hetimor nga opozita iu vu në dispozicion i gjithë dokumentacioni i kërkuar. Përfshirë drejtorin e përgjithshëm të policisë, ish-drejtorin dhe struktura e tjetra. Komisioni vlerëson gatishmërinë për pjesëmarrjen e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri”,-tha Balla.
Topalli: Lidhjet mafioze ndohen në Parlament
Seanca e djeshme plenare në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua edhe me debate lidhur me përfshirjen e mundshme të deputetëve të trafiqe droge apo çështje të tjera kriminale. Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se sallën e Kuvendit ndodhen njerëz të inkriminuar e të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. “Fakti që ju nuk pranon ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e disa emërimeve në administratë që imagjinata e një njeriu të ndershëm nuk mund ta kapte është maja e ajzbergut e asaj që po ndodh me të ardhem e këtij vendi. Nuk e lejoni sepse nëse ka njërëz të emëruar në maja të drejtorive kyce në administratën e vendit ato emërime kanë ardhur nga lidhje mafjoze të këtij vendit që ndodhen në këtë Parlament. Kur ka ndodh që në këtë sallë të ketë njerëz që të jenë të akuzuar për vrasje apo që të jenë marrë me trafik të qenieve njerëzore”,-deklaroi Topalli. Në replikë me të, deputeti socialist Taulant Balla, tha se Topalli u mor me shkarkimet në administratë gjatë këtyre muajve të parë të qeverisjes Rama-Meta, ndërkohë që nuk foli për shkarkimet e ndodhura gjatë qeverisjes tetë vjeçare të Partisë Demokratike.




