Dritan Dajti/ I vë flakën qelisë në shenjë proteste: Duan të më izolojnë

0
153

Anxhela Tato

dajti Zbardhet letra e plotë e të pandehurit: Transferimi nga burgu 302 tek 313, për shkak të konfliktit me gjyqtarin Mulkurti

 Akuza e Dajtit: Policia po përdoret nga gjyqtari, për të më marrë provat që lidhin vajzën e tij me kunatin tim

Dritan Dajti zgjedh vetëgjyqësinë ndaj padrejtësisë së pretenduar nga situata e krijuar me relatorin e procesit gjyqësor, Idriz Mulkurti. Menjëherë pasi e kanë transferuar nga burgu 302 tek 313, Dajti ka tentuar që të djegë qelinë, duke i vënë flakën një batanijeje. Pavarësisht përmasave të mëdha të zjarrit dhe vështirësisë për hapjen e dyerve të hekurit të qelisë, është bërë i mundur shpëtimi i jetës së të pandehurit dhe të paraburgosurve të tjerë. I irrituar nga rrëzimi i të gjitha kërkesave në gjyq dhe nga pamundësia e shpalosjeve së provave, i pandehuri ka zgjedhur të ndërmarrë një gjest proteste. Në një letër dërguar medias, Dajti zbulon arsyet që e detyruan t’i vinte flakën qelisë. Ai e komenton këtë gjest të tijin si një shenjë proteste ndaj transferimeve të herëpashershme dhe mbylljes në qelinë e izolimit në kat të parë. I pandehuri ia faturon gjithë këto lëvizje nga burgu 302 tek 313 vetë gjyqtarit Idriz Mulkurti, i cili, sipas Dajtit, po përdor çdo formë që të sekuestrojë provat që tregojnë vajzën e tij me kunatin e të pandehurit, Ergest Xhoxhi. Dajti falënderon policët që ndërhynë për ta shpëtuar, por ndien keqardhje që ata po përdoren nga gjyqtari për t’i bastisur qelitë në kërkim të çdo lloj prove. Ndërsa garanton se nuk do të lejojë askënd që t’i mbyllë gojën, premton se në seancën e ardhshme gjyqësore do të sjellë sërish prova që faktojnë lidhjen e vajzës së gjyqtarit Mulkurti me kunatin e tij. Madje i pandehuri është i gatshëm që çdo provë e tij t’i nënshtrohet ekspertizës, në rast dyshimesh apo akuzash për montazh. Katër vjet nën masën e sigurisë arrest me burg i pandehuri filloi të hap “kutinë e Pandorës” duke sjellë fakte që tregonin se policët e vrarë ishin ngritur nga varri për të marrë armët e zjarrit, e faktuar në regjistrin e armatimit. Kanë qenë të shpeshta kërkesat e të pandehurit për përjashtimin e gjyqtarit Mulkurti nga seanca, por herën e fundit Dajti ka surprizuar të gjithë teksa ka treguar një foto ku shfaqet vajza e gjyqtarit me Ergest Xhoxhin. Por kjo foto është kontestuar nga gjykata, e cila e ka cilësuar si montazh. Ndërsa Dajti në seancë ka rrëfye se ka tabulate bisedash dhe përgjime që tregojnë se vajza e gjyqtarit ka një lidhje me kunatin e tij, dhe ky fakt përbën konflikt interesi, çka do të thotë përjashtim nga gjykimi. Pas kësaj situate është marrë në mbrojtje familja e gjyqtarit dhe në një komunikim për shtyp Gjykata e Krimeve të Rënda ka shprehur gatishmërinë dhe respektimin e integritetit të çdo gjyqtari, që nuk bie pre e presioneve të të pandehurve.

 

Letra

“Unë Dritan Dajti, i paraburgosur në burgun 313, ju bëj me dije se me datë 30.5.2014 më kanë transferuar nga burgu 302, edhe pse në burgun 302 nuk më kanë mbajtur më shumë se tre javë. Mendoj se arsyeja e transferimit tim ka qenë dhe është konflikti me gjyqtarin Idriz Mulkurti, që më gjykon mua. Mbrëmë rreth orës 11 të natës më është dashur që t’i vë flakën dhomës në shenjë proteste, sepse mua duan që të më mbajnë në izolim në katin e parë. Ju kam bërë me dije oficerëve të policisë të burgut 313 që unë kërkoj të trajtohem njësoj si të burgosurit e tjerë, që mbahen në këtë institucion. Të jem i sinqertë nga ana e punonjësve të këtij burgu mbrëmjen e djeshme është bërë e pamundur për të shpëtuar jetën time dhe të të burgosurve të tjerë, sepse zjarri ishte i përmasave tepër të mëdha, ku nga nxehtësia dyert prej hekuri nuk mund të hapeshin. Mendoj që mënyra që po ndjek gjyqtari Idriz Mulkurti për t’u hakmarrë ndaj meje dukë përdoru policinë e burgjeve që të më mbylli mua gojën ose për të më marrë mua provat që lidhin vajzën e tij me kunatin, gjatë kontrollove që më bëhen për transferimin tim nga njëri burg në tjetrin. Ju bëje me dije që asnjëra prej fotove që ka dalë kunati me vajzën e gjyqtarit nuk është montuar dhe jam i gatshëm që secila foto t’i nënshtrohet ekspertizës. Në seancën e ardhshme do kem prova të tjera që provojnë lidhjen e vajzës së Idriz Mulkurtit me Ergest Xhoxhin”.

 

Zyra e Mbrojtjes së të Burgosurve

“Deklarata e datës 28 maj të 2014-ës në emër të Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk ka kurrfarë lidhjeje as me gjyqësorin dhe as me gjyqtarët e vërtetë, të cilët kanë integritetin, guximin dhe kurajën që të disponojnë me vendime dhe urdhra, ashtu siç detyron ligji. Përbetimet dhe lutje në të nuk janë gjë tjetër veçse një makth dëshpërues i atyre që po tentojnë të mbulojnë autorët e vërtetë të vrasjes së katër punonjësve të policisë dhe një të riu të pafajshëm. Pikërisht ky është edhe shkaku që shkruesi i deklaratës ka preferuar të mbetet anonim, ndonëse ka pasur detyrimin të firmoste e vuloste në fund të tij, si përfaqësues i personit juridik shtetëror. Është e trishto të shohësh se si ky shkrues anonim duke folur në emër të gjithë gjyqtarëve, tenton t’i përdorë ata në mbrojtje të një pakice të paaftë dhe njëkohësisht klasike në manipulimin e procese gjyqësore. Nuk ka precedentë më të rrezikshëm për një gjykatë sesa fakti që nga njëra anë kërkon ndihmën e policisë dhe medias “së ndërgjegjësuar” për zgjidhjen e çështjeve gjyqësore; dhe nga ana tjetër zhduk dëshmitarët okularë që kanë parë vrasësit e kësaj policie, si në rastin e Dritan Dajtit. E thënë ndryshe nuk ka veprim më korruptim sesa nga njëra anë të kërkosh ndihmën e punonjësve të policisë dhe nga ana tjetër të fshehësh dhe të mbrosh vrasësit e tyre. Jo më larg se 10 ditë më parë gjykatësit dhe prokurori i çështjes së të pandehurit Dajti në marrëveshje midis tyre vendosën të zhdukin nga fashikulli tre dëshmitarët okularë që kanë parë vrasjen e policëve në plazhin “Iliria”. Durrës. Madje njëri prej tyre rezulton të jetë plagosur aty”.

 

 Antidroga/ Sekuestrohen 218 kg kanabis, policia pritet me të shtëna në Kurvelesh

 Aksioni antidrogë në mbarë vendin çon në sekuestrimin e 218 kilogramëve kanabis sativa, asgjësimin e 3898 rrënjëve si dhe prangosjen e 4 personave. Lënda narkotike është gjetur në katër rrethe, Tiranë ku u zbulua trafiku i drogës me anë të mobilieve, Durrës, Lezhë dhe Gjirokastër. Policia pritet me armë në Progonat të Tepelenës. Elementë të identifikuar nga uniformat blu, kanë shtënë me armë në ajër, për të mos u afruar forcat e rendit, në territorin e mbjellë me hashash në fshatin malor, rreth 22 km në veriperëndim të Tepelenës. Burimet policore, ende nuk kanë specifikuar sasinë e shkatërruar të kanabisit të mbjellë, por mendohet se fidanët mund të kenë qenë më shumë se 2500. Ndërkaq që të shtënat nuk kanë lënduar aspak prej forcave të rendit, përveçse kanë sjellë konfuzion tek këto të fundit pasi mbroheshin në pozicione pritëse. Operacioni, ka nisur në orët e paradites teksa është nisur në drejtim të Progonatit, një fugon me policë, ndërkohë që rëndimi i situatës prej të shtënave në ajër nga personat që kërkonin të mbronin bimët narkotike, solli alarmin tek Policia e Qarkut.

 

Aksioni

Menjëherë drejtuesit rajonalë policorë kanë dërguar në vendngjarje edhe tre furgonë të tjerë me policë, për çdo të papritur. Me angazhimin e 12 forcave shtesë u plotësua numri prej 30 policësh në terren, të cilët ndihmuan në menaxhimin e situatës dhe më pas në përfundim, me shkatërrimin e fidanëve të kanabisit. Ecuria e operacionit policor, ka pasur probleme dhe kjo, për efektin e krijuar tek kultivuesit e kanabisit, të cilët u prekën nga ndërhyrja në fjalë. Sapo kanë mbërritur në fshatin Progonat në Komunën e Kurveleshit, policët janë pritur me të shtëna me armë automatike në ajër nga persona që për policinë, janë identifikuar. Burime nga vendngjarja, specifikojnë se kanë qenë jo më shumë se 5 persona ata që kanë rezistuar me armë mesditën e të premtes. Të shtënat nuk kanë zgjatur më tepër se 10 minuta ndërkohë që me përfitimin e terrenit që lëshohej nga kultivuesit e irrituar, policët kanë përparuar deri në pjesën verilindore të fshatit Progonat, aty ku janë identifikuar fidanët me kanabis. E ndërsa kultivuesit janë larguar në drejtim të paditur sipas policisë, kjo e fundit, ndërhyri në terren, duke shkatërruar kanabisin e mbjellë në mjete rrethanore. Policia e Gjirokastrës, deri në orët e pasdites, ka qenë e kursyer në dhënien e informacionit për këtë aksion, por burimet nga vendngjarja, pohojnë se kanabisi, ka qenë prezent jo vetëm këtë vit në fshatin Progonat, por edhe përgjatë viteve të kaluara, ndërkohë që vetëm sivjet, uniformat blu, krehën zonën në fjalë. Ndonëse zyrtarisht nuk dihet ende numri i saktë i fidanëve të shkatërruar nga policia e Tepelenës së bashku me atë të Gjirokastrës, mendohet se sasia është me e shumtë se ajo e dy ditëve më parë e konstatuar në fshatin Gusmar, po në të njëjtën komunë.

 

Lezhë

Policia e Lezhës ka zbuluar dhe asgjësuar 4 parcela në një zonë të pyllëzuar, ku u gjetën 398 rrënjë bime narkotike kanabis sativa, nga të cilat 208 rrënjë të mbjella dhe pjesa tjetër fidanë në kubikë gati për t’u mbjellë. Operacioni u zhvillua gjatë mbrëmjes së djeshme në një zonë malore në fshatin Krajen, të Komunës Blinisht, Lezhë, ndërsa në pranga ra Gjergj Brunga, 66 vjeç, posedues i parcelës me kanabis dhe i dënuar më parë për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”. Sipas policisë është asgjësuar parcela me kanabis së bashku me sistemin ujitës. Mësohet se parcela me kanabis ishte mbjellë dy javë më parë. Aksioni i policisë erdhi pas informacioneve të marra në rrugë operative në kuadër të planit të veprimit të policisë së shtetit për kontrollin e territorit për mbjellje të lëndëve narkotike.

 

Polica/ Përndoqi 12 vjet pedagogen dhe e la beqare, pranga për të tretën herë Esat Grudës

 Historia e trishtë e një femre, nën kthetrat e persekutimit të një mashkulli për gati 12 vjet, i cili iu shndërrua në një makth dhe tension psikologjik, duke mos e lënë të krijonte as familje dhe as të shijonte jetën e saj. I dënuar tri herë nga Gjykata përfundon sërish në qeli pas denoncimit të shtetas F. C., e cila është pedagoge. Vetë Esat Gruda ka pranuar se do të ketë lidhje me pedagogen, e cila e refuzon. Por prej gati 12 vjetësh ai ndjek kudo F. C, duke u gjendur në çdo cep dhe duke përgjuar çdo lëvizje të saj. Madje dy herë ai e ka kërcënuar me jetë pedagogen, duke i thënë se nëse nuk bashkohej me të, do ta vriste. Vetëm para dy ditësh Esar Gruda ka përfunduar në pranga në rrugën “Him Kolli”. Si çdo herë tjetër ai ka ndjekur nga pas pedagogen duke i kërkuar lidhje dhe duke e ofenduar dhe kërcënuar. Për të disatën herë F. C. ka bërë denoncim në komisariat dhe blutë e kanë prangosur. Vendimi i fundit i Gjykatës së Tiranës mban datë 24 mars të këtij viti, ku togat e zeza caktuan 10 muaj burg për Grudën. Ai është 54 vjeç, i shkurorëzuar, banues në Tiranë. Me vendimin me nr. 659/24/05/2007 dhe vendimin nr. 1386/30/11/2007 të GJRRGJ Tiranë rezulton i dënuar për veprën penale të parashikuar neni 84 i KP “Kanosjes” ndaj F. C., me tetë muaj dhe me gjashtë muaj burgim. E dëmtuara F. C. është pedagoge, ajo ka prej 12 vitesh që përndiqet nga i pandehuri Esat Gruda, i cili kërkon të krijoj lidhje dashurore me të pavarësisht refuzimit të të dëmtuarës. Për këtë arsye, e ka shqetësuar në telefon, e ndjek në punë, në shoqëri, e qëllon me gurë, i qëndron poshtë dritares së banesës, e thërret në citofoni, e ka kërcënuar me thikë se do e vriste ose do bëhej e tij etj. Më datë 15.11.2013 i pandehuri ka ndjekur të dëmtuarën F. C., tek rruga “Don Bosko” dhe kur është futur tek banesa e saj ka filluar ta shaj, e ka kërcënuar: “Do ta vras, s’do të lë të jetosh”. E dëmtuara është futur në shtëpi dhe ka parë nga dritarja se i pandehuri qëndronte poshtë shtëpisë duke bërë ecejake. Kjo i shkaktoi ankth, frikë, pasiguri për jetën. Në këto kushte ka njoftuar vëllanë, të cilët të dy kanë shkuar në komisariatin e policisë dhe kanë bërë kallëzimin ndaj të pandehurit. Sipas dëshmitarit Naim Cara, vëllait të të dëmtuarës, thekson se i pandehuri i ka shkaktuar vuajtje shpirtërore, psikike të vazhdueshme përgjatë 12 viteve motrës së tij madje për tërë familjen e tij. Me datë 15.11.2013 e ka telefonuar motra dhe i ka kërkuar ta shoqëronte në Komisariat, pasi Esat Gruda e ka ndjekur dhe kërcënuar në hyrje të pallatit. Dëshmitari deklaron se motra e tij po përjeton ankth, shkon në punë e shoqëruar, kthehet e shoqëruar, mbajnë të mbyllur grilat e dritareve, nuk hapin derën kur bie, i bie pafund citofonit pasi janë të frikësuar. I pandehuri ka deklaruar se me Fatbardhën nuk ka asnjë problem porse ka simpati për të dhe se ka tentuar të krijonte lidhje me të por ajo dhe vëllai i saj Naim kanë refuzuar. i pandehuri pranon se i ka shkuar më parë edhe tek puna dhe se me datë 15.11.2013, por nuk e ka ngacmuar.

 

 KLSH/ Padit në Prokurori ish-drejtorin e Portit Durrës dhe 8 zyrtarë

 Kontrolli i lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori, ish-drejtorin e Portit të Durrësit, Eduard Ndreun si dhe 8 zyrtarë të tjerë, nga të cilët, 4 ish-drejtorë në port dhe 4 të tjerë, në Ministrinë e Transportit. Arsyeja e kallëzimit për nëntë zyrtarët e lartë është ajo e abuzimit me detyrën, keqmenaxhimit të fondeve në vlerën e 16.9 milionë eurove ose 2,35 miliardë lekëve. Përveç auditimit që ka ushtruar në Port, KLSH-ja i ka kërkuar edhe ILDK-së që të verifikojë nëse këta nëntë drejtues kanë pasur konflikt interesi lidhur me koncensionarët që vepronin në Port. Në njoftimin e KLSH-së thuhet se më 19 maj 2014, ka përfunduar auditivi në Autoritetin Portual Durrës dhe Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës me objekt “Për zbatimin e ligjshmërisë, rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare dhe vlerësues”. Ky auditim ka përfshirë periudhën e veprimtarisë ekonomike-financiare të Autoritetit Portual Durrës, nga data 1.9.2010 deri më datën 31.10.2013. Referuar shkeljeve të konstatuara nga ky auditim dhe të trajtuara më hollësisht në raportin përfundimtar të auditimit, vlera e fondeve të menaxhuara në kundërshtim me dispozitat ligjore arrin në vlerën 2.35 miliardë lekë ose 16,9 milionë euro.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency