DO T’I MBROJMË ME ÇDO ÇMIM VLERAT DEMOKRATIKE, KOMUNIZMI NUK DO TË PËRSËRITET!

DEKLARATË

flamuri 2Të dehur nga fitorja e vjedhur në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, forcat ekstremiste social-komuniste kanë filluar një fushatë të shfrenuar për asgjësimin e vlerave demokratike dhe për ringjalljen e fantazmës së komunizmit. Populli shqiptar, që vuajti për një gjysmë shekulli nën skllavërinë komuniste, në një burg të madh prej 28.749 kilometrash katrorë, të rrethuar me klone e tela me gjemba dhe të izoluar hermetikisht nga bota e qytetëruar; pra, ky popull, i cili në fillimin e viteve ’90, ashtu si dhe popujt e tjerë të vendeve ish-komuniste të Evropës, e shembi atë regjim gjakatar së bashku me simbolet e diktaturës, ndihet tejet i indinjuar dhe i shqetësuar, nga orvatjet e një tufe donkishotësh të kuq, për ta kthyer prapa rrotën e historisë dhe për ta mbërthyer me simbolet komuniste, me yllin e kuq dhe me draprin e çekanin. Por, natyrisht, më të ndjeshëm ndaj këtyre veprimeve të papërgjegjshme dhe jashtëkohore, janë ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë, të cilët i vuajtën mbi kurrizin e tyre tmerret e komunizmit. Dhe këta njerëz, që përbëjnë një pjesë mjaft të gjerë të shoqërisë shqiptare, ende sot mbeten të paintegruar dhe të diskriminuar. Kjo, për shkak se në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste, aparati shtetëror mbeti pothuajse i paprekur. Ish-funksionarët komunistë dhe agjentët e Sigurimit, ndërruan vetëm uniformat dhe emërtimet, duke u kamufluar nëpër partitë e krijuara “me urdhër nga lart” dhe të kontrolluara prej tyre. Që nga viti 1991, janë ata që vazhdojnë të drejtojnë shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Ata grabitën pasuritë kombëtare të vëna me djersën dhe gjakun e një populli të tërë, si dhe me punën prej skllevërish shtetërorë të ish të burgosurve politikë. Ish komunistët e inkriminuar, kanë marrë sot krejtësisht në duart e tyre pushtetin politik, ekonomik, juridik dhe mediatik, duke u shndërruar kësisoj në “pashallarë të kuq”. Në një kohë kur shtresat e gjera të popullsisë vuajnë nga papunësia dhe varfëria kronike, ata bëjnë një jetë përrallore, të cilën idhulli i tyre, Hoxha, nuk do t’ua kishte lejuar kurrsesi. Pra, ata janë tepër hipokritë dhe kontradiktorë me veten e tyre, sepse nga njëra anë i kanë shkelur parimet komuniste të barazisë e të drejtësisë, dhe nga ana tjetër shprehin një nostalgji dhe dashuri të rreme për komunizmin dhe për “udhëheqësin legjendar”, Enver Hoxhën.

Shqipëria është i vetmi vend i Evropës Lindore, ish-komuniste, ku nuk figuron asnjë i dënuar për krimet e kryera gjatë atij regjimi diktatorial. Edhe disa ish-funksionarë të lartë, të cilët u akuzuan për gjenocid, morën pafajësinë nga gjykatat e përbëra nga njerëzit e tyre. Dhe fill pas kësaj, atyre iu dha një dëmshpërblim i menjëhershëm në para, shumë më i madh sesa ky që iu ofrohet ish të dënuarve politikë nga regjimi komunist, me Ligjin nr. 9831, i ndarë në tetë këste. Pra, siç shihet qartë, Drejtësia socialiste ka përdorur dy standarde: një favorizues për ish persekutorët komunistë dhe një tjetër diskriminues për të persekutuarit politikë, duke shkelur parimin e “barazisë përpara ligjit”. Shteti i sotëm neokomunist, e pengon me çdo mënyrë rimëkëmbjen ekonomike dhe morale të ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga regjimi komunist. Ai nuk e dëshiron integrimin real të tyre, siç ka ndodhur me ish të dënuarit politikë të vendeve të tjera ish-komuniste, që tanimë nuk kanë probleme të tilla jetike si këto të ish të dënuarve dhe të të përndjekurve politikë të Shqipërisë, disa prej të cilëve, nga mjerimi, kanë arritur deri në vetëflijim.
Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist, ku nuk janë hapur dosjet dhe nuk është bërë lustracioni, gjë që u lejon të inkriminuarve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, që të marrin pjesë aktive në jetën politike e shoqërore, në qeveri e në parlament, në organet e Drejtësisë dhe nëpër mediat e shkruara dhe televizive. Shqipëria neokomuniste, dy herë i ka refuzuar Rezolutat e Këshillit të Evropës, për Dënimin e Krimeve të Komunizmit, për Hapjen e Dosjeve dhe për Lustracionin. Ajo nuk përfill as kushtet e vëna nga Këshilli i Evropës, për anëtarësimin e Shqipërisë në Evropë, midis të cilave janë edhe integrimi dhe dëmshpërblimi i ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë si edhe kthimi i pronave pronarëve të vërtetë. Po synohet të mashtrohen monitoruesit evropianë, me botimin nëpër gazeta të listave false të dëmshpërblimit dhe duke bërë disa ndryshime në ligjin për pronat. Por, qeveria Rama-Meta duhet ta dijë se pa integrimin e këtyre shtresave, nuk do të ketë integrim të Shqipërisë në Evropë. Gjithashtu, në Evropë nuk mund të shkohet pa u vetëpastruar e pa u shëruar nga kolera komuniste. Nuk mund të hyjmë atje me fantazmën e Enver Hoxhës, që është e ngjashme me atë të Hitlerit, dhe as duke nderuar me grushtin përpjetë, si bolshevikët e shekullit të njëzetë. E vërteta është se qeveritarët dhe ish-komunistët e kthyer në “pashallarë”, nuk e duan anëtarësimin e Shqipërisë në Evropë, nga që tremben se mos u hiqen privilegjet dhe pasuritë e vëna me mënyra e mjete mafioze. Ndërkohë, ata kanë filluar një fushatë të shfrenuar për shtrembërimin e historisë dhe për një “rilindje” komuniste, e cila ka shkaktuar një pakënaqësi dhe shqetësim të përgjithshëm. Veç kësaj, aleanca social-komuniste po vazhdon luftën e klasave në forma e raste të ndryshme. Nuk punësohen djemtë e vajzat e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, të cilët i përmbushin të gjitha kriteret, me studime të larta të kryera brenda e jashtë shtetit e me mastera. Ndërsa ata që janë të punësuar në administratë, pushohen nga puna pa asnjë motiv bindës. Po ashtu largohen edhe persona “të padëshiruar”, të cilët nuk janë me bindje komuniste. Po sulmohen pa asnjë shkak e bazë ligjore, institucionet e pavarura si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ i Shtetit, etj., vetëm sepse atje ka ndonjë person me prejardhje antikomuniste apo ish të përndjekur politik nga regjimi komunist. Kasta komuniste në fuqi, kërkon uzurpimin e të gjitha institucioneve, duke zbatuar parullën e vjetër bolshevike “Gjithë pushtetin sovjetëve!”. Janë vendosur në funksione shtetërore dhe janë pajisur me mandatin e deputetit, elementë të njohur si rrugaçë e me precedentë penalë, të cilët përdorin dhunën fizike ndaj kundërshtarëve politikë, për t’iu ndaluar të drejtën e fjalës. Rast tipik ishte ai i ditëve të fundit, që ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë, kur tre deputetë, huliganë të majtë, ushtruan dhunë fizike mbi një deputet demokrat, vetëm sepse ai kishte kurajon për të thënë të vërtetën. Dhunë psikologjike ushtrohet edhe ndaj disa mediave dhe gazetarëve të pavarur, të cilët guxojnë të thonë të vërteta që bien ndesh me interesat e mafies së kuqe.
Prej një viti që ka ardhur në fuqi, qeveria e koalicionit të majtë, e kryesuar nga shumë i përfoluri Edi Rama, është rritur në përmasa të frikshme krimi i organizuar dhe është shtuar pasiguria e jetës. Trafiku i armëve, i njerëzve dhe sidomos i lëndëve narkotike, ka arritur kulme të panjohura më parë, deri edhe me avionë. Kjo është vërejtur edhe nga fqinjët tanë, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre të ligjshëm. Me këtë gjendje të krijuar, pushtetarët e kuq e kanë larguar Shqipërinë nga Evropa.
Kjo qeveri, e nisi punën e vet me shpërthime tritoli, duke hedhur në erë mundin, djersën dhe paratë e atyre që kishin ndërtuar banesa me leje të rregullta, por që nuk janë simpatizantë të partive socialiste e komuniste. Shkatërrimi me tritol, i pallateve të ndërtuara me leje e pa leje, është kthyer në një “hobi” prej skizofreni, për kryeministrin Rama. Gjatë këtij viti, shqiptarët kanë parë vetëm shkatërrime. Nuk është ndërtuar asnjë shkollë, asnjë ujësjellës, asnjë kilometër rrugë automobilistike. Qeveria Rama-Meta ka pezulluar ose abroguar disa ligje dhe Vendime të Këshillit të Ministrave, që u përkasin shtresave në nevojë, siç janë invalidët, paraplegjikët, të papunët, jetimët, ish-të përndjekurit, etj., duke iu hequr bukën e gojës fëmijëve të tyre. Me qëndrimet dhe veprimet e tij të papërgjegjshme, Edi Rama ka shkaktuar revoltën e disa kategorive shoqërore, si të tregtarëve, të shoferëve, të jetimëve, të ish të përndjekurve politikë, të artistëve, etj.. Dhuna shtetërore dhe padrejtësitë shoqërore, kanë krijuar një kaos dhe një gjendje tejet të rënduar ekonomike e sociale, duke i shtyrë shumë persona deri në vetëvrasje dhe duke e rritur numrin e fëmijëve jetimë. Historia ka treguar se populli ynë duron shumë, por kur shpërthen, nuk din se çfarë bën dhe është e vështirë të ndalet. Kjo është provuar në vitet 1991-1992 dhe 1997-1998.
Me politikën e vet neostaliniste, qeveria Rama-Meta po e destabilizon vendin dhe po i bën varrin vetes, duke shkaktuar pakënaqësinë dhe revoltën e përgjithshme, e cila nuk do të vonojë që të shpërthejë fuqishëm. Dhe në një rast të tillë, njerëzit e thjeshtë të popullit, të varfrit, nuk kanë çfarë të humbasin. Të humbur do të jenë ish-komunistët dhe pushtetarët e pasuruar tej mase, pronarët e bizneseve, të vilave e të veturave superluksoze. Prandaj, ne i bëjmë thirrje qeverisë Rama-Meta, që ta ndalë revanshin neokomunist dhe ta ndërrojë kursin e vet; ose të largohet sa nuk është tepër vonë, sepse pasojat mund të jenë të paparashikueshme.
Dhe në çdo rast, ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga regjimi komunist do të jenë kurdoherë përkrah popullit, ashtu si në fillimin e viteve ’90, në mbrojtje të vlerave demokratike.

 

SHOQATA KOMBËTARE E TRASHËGIMTARËVE TË TË PUSHKATUARVE POLITIKË TË SHQIPËRISË

K R Y E T A R I

GJOÇ  GJOÇI

 

 SHOQATA KOMBËTARE E ISH-TË BURGOSURVE POLITIKË TË SHQIPËRISË

K R Y E T A R I

TANUSH  KASO

 

 SHOQATA KOMBËTARE E DËBIM-INTERNIMEVE POLITIKE TË SHQIPËRISË

K R Y E T A R I

ABDURRAHMAN ÇEKIÇI

                      

Share it :