Kombëtarja e Shqipërisë ka ruajtur pozicionin e një muaji më parë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, çka lidhet me faktin se kanë munguar aktivitetet në rang kombëtaresh në muajin e fundit. Kuqezinjtë mbeten në vendin e 70-të me 486 pikë, ku rrëshqitën një muaj më parë. Në fillim të muajit qershor, në prag të Botërorit të Brazilit, do të zhvillohen shumë ndeshje miqësore, rezultatet e të cilave do të reflektohen edhe në renditjen e FIFA-s. Sa u përket Top-10 skuadrave më të mira në botë, lista vijon të kryesohet nga Spanja, e cila ka grumbulluar 1460 pikë, më pas vijnë Gjermania dhe Portugalia, ndërsa ndryshimi i vetëm është ngjitja me 2 vende e Brazilit, vendi organizator i Kupës së Botës. Kolumbia, Uruguai dhe Argjentina kanë humbur nga një vend, ndërsa pjesa tjetër e tabelës ka mbetur e pandryshuar. Në 10-shen e parë ka vend edhe për Zvicrën e Shaqirit me shokë dhe për Greqinë.




