Florenc Drizari
Fino: T’i shtyjmë afatet tani me dy vjet sesa të vijmë pas një viti e t’i ndryshojmë sërish
Xhafaj: Të gjitha këto janë arnime që bëhen apo zgjidhje momenti
Komisioni i Ligjeve miratoi me votat e mazhorancës shtyrjen e afateve me një vit të punës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP). Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim për faktin në të njëjtin orar u zhvillua mbledhja e grupit parlamentar e Partisë Demokratike, ndërkohë që gjatë diskutimeve në parim të draftit të qeverisë, përfaqësuesit e djathtë ishin kundër ndryshimeve të propozuara. Gjatë diskutimeve në Komision, deputeti i Partisë Socialiste mbështeti qëndrimet e opozitës, duke kërkuar afate të qarta se kur përfundon në Shqipëri procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave. Deputetit Fino propozoi që puna e kësaj agjencie të shtyhej edhe me një vit tjetër nëse kjo ishte e nevojshme, vetëm që problemi i pronave të hynte në rrugën e zgjidhjes. Propozimi i tij nuk u votua në Komision për faktin se relatori Blendi Klosi kërkoi që afatet me një vit kohë mund të shkurtoheshin për të pasur një panoramë më të qartë se çfarë problematikash ndesh kjo agjenci dhe se sa duhet të jetë fatura financiare e qeverisë për pronat në mënyrë që të vijohet më tej me zbatimin e politikave, ndërkohë që edhe kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj hodhi në votim vetëm variantin e Këshillit të Ministrave.
Fino
“Me vjen keq që s’jam dakord me zv.ministrin që brenda një viti mund të gjejnë faturën, qoftë inventarizimin, qoftë shkeljet ligjore. Unë mbështes kolegun tim Bylykbashi në pyetjet që ka bërë sepse i kam bërë vetë para një viti kur kam qenë në opozitë. Më mirë të themi që afatin e shtyjmë deri në 31.12.2015, apo më 30.4.2016, dy vjet të tjera, por mbas dy vjetëve të tjera do t’i kemi të tria këto elementë, edhe inventarizimin, edhe faturën, edhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Strasburg. Më mirë të kërkojmë një shtyrje përfundimtare si komision, sepse gjithmonë është shtyrë afati, sesa të shtyjmë afatet tani se pas 6-7 muajve do ta shtyjmë afatin sërish”, – theksoi Fino. Pas kësaj deklarate Fino kërkoi se kur do të përfundojë procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave në Shqipëri, ndërsa në përgjigjen e tyre përfaqësuesit e qeverisë, thanë se nuk ka afate se kur do të përfundojë ky proces. Shqyrtimi i këtij drafti i shoqërua me debate të forta edhe mes deputetëve të mazhorancës, paçka se deputetët e djathtë munguan në pjesën më të madhe të diskutimeve të këtij drafti.
Xhafaj
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, edhe pse votoi pro shtyrjes së afateve me një vit kohë të ligjit për “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar”, në tërësi ai tha se propozimi nuk zgjidh problemin e pronave në Shqipëri. Në fund të diskutimeve Xhafaj mbajti një qëndrim personal, duke thënë se ndryshimet e sjella nga qeveria janë thjesht arnime të momentit e jo reforma të thella.
“Po të më pyesësh mua personalisht ky (ndryshim) nuk e zgjidh çështjen e pronave në Shqipëri. As kjo, as çështja e legalizimeve që do të vijnë, nëse nuk i hyhet tërësisht sot legjislacionit për pronat, i cili është sot një legjislacion i bastarduar. Të gjitha këto janë arnime që bëhen, apo zgjidhje momenti. Nuk janë zgjidhje themelore. Unë prisja këtu që të kishin ardhur disa zgjidhje dhe ndryshime që janë thelbësore për procesin në radhë të parë dhe për AKKP-në në radhë të dytë. I gjithë legjislacioni në fushën e pronës duhet të rishikohet tërësisht nga qeveria”, – deklaroi kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj. Sipas tij, nëse qeveria thotë se do një kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë, kjo është gjë pozitive, paçka se “kjo shtyrje nuk e zgjidh problemin në vetvete. Do të duhet të kishte ca instrumente të tjerë për t’u ndryshuar”.
Zv.ministri i Drejtësisë, Peçi: S’ka afate për zgjidhjen e çështjes së pronave
Zv.ministri i Drejtësisë, Idlir Peçi, gjatë raportimit në seancën e djeshme të Komisionit të Ligjeve lidhur me projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar”, kërkoi shtyrjen e afateve të AKKP-së me një vit kohë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Peçi theksoi se çështja e kthimit dhe e kompensimit të pronave nuk zgjidhet brenda vitit 2015, por në këtë vit tha ai, do të nisë procesi i plotë me të gjitha konstatimet e nevojshme të kryera nga kjo agjenci. Më pas tha ai, qeveria do të vijë me ndryshime të tjera ligjore për të vazhduar reformën në këtë fushë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të PS-së Bashkim Fino dje në Komisionin e Ligjeve, Peçi tha: “Për pyetjen konkrete po jap edhe një përgjigje konkrete. Për kthimin dhe kompensimin e pronave nuk do mbaroj në qershor të 2015-ës, sepse nuk është ky qëllimi i shtyrjes së afatit. Ajo që thoni ju se përse nuk e sjellim këtu projektligjin, do vij sërish me gabime dhe do jetë i nxituar, prandaj e duam një vit. Kohë. Procesi nuk mbaron në 2015-ën, në këtë vit mendojmë të fillojë një proces i mirë”, – deklaroi zv.ministri i Drejtësisë.
DEBATE NË KOMISIONIN E LIGJEVE MES FINOS E XHAFËS
Fino: Sa të bien ligjin e ri, sa të vihet në efiçencë, e sa të shqyrtohen dosjet, jam që ky mandat që duam t’i japim, të jemi të përgjegjshëm dhe ta shtyjmë dy vjet.
Xhafaj: Kjo i bie që t’ia shtyjmë ligjin qeverisë dhe të vijnë prapë.
Fino: Është propozim nga ana ime, s’ka problem. Unë propozoj si deputet. Qeveria bën një propozim, unë bëj një propozim dhe mund të gjej mbështetje nga kolegët e mi deputetë dhe në mazhorancën time në Parlament dhe votohet brenda rregullores.
Xhafaj: Dakord, por të rrimë tek pyetjet zoti Fino.
Braho-Finos: Mos i vër në pozita ata tani.
Fino: Nuk i vë fare në pozita ata unë, madje i ndihmoj.
Klosi: Ne duhet t’i japim edhe një kohë më të shkurtër agjencisë që të vijnë me një përgjigje përfundimtare.
Xhafaj: Zoti Fino ishte shumë konkret.
Fino: Jo mo s’kisha pyetje, kisha koment se s’dua të votoj prapë pas një viti. Atë që kam bërë me PD-në për tetë vjet. E kam propozim dhe shënoje atje (Xhafës).
Xhafaj: Dakord, kur të vijnë propozimet.
Fino: Do bëj dhe propozime. Po çfarë janë këto tani, pse bëni diskutime, pse bëni propozime, sikur jemi të rinj ne nëpër komisione.
Xhafaj: S’mund të mbajmë dy herë qëndrime.
Fino: Dakord mo, dakord.
Ristani: Qëllimi i Komisionit është që të marrë një vendim. Për të ardhur tek kjo vendimmarrje na duhet një reformë që ju thatë.
Fino: Duan të bëjnë reformë, dakord. Po për kthimin dhe kompensimin sa kohë duan?
Qato: Reforma në këtë institucion është shumë e rëndësishme, ndaj ne kemi propozuar një paragraf, shtyrjen e afatit me një vit për Agjencinë e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave për t’i dhënë mundësinë kësaj agjencie por edhe qeverisë për të marrë një reformë që në fund të vitit do të vijnë me propozime.
Fino: Kam pyetje.
Xhafaj: Prap?
Fino: Po, po. Zoti Kryetar, jini më i kujdesshëm kur deputetët bëjnë pyetje. Unë bëra një pyetje dhe nuk mora përgjigje. Pyetjen e kam shumë konkrete: mbaron në 30.4.2015 kthimi dhe kompensimi i pronave? Po, jo, se s’dua të gënjej veten, ose do të votoj kundër.
Peçi: Nuk është se pajtohem me zotin Klosi.
Fino: Ç’rëndësi ka, ti mund të pajtohesh edhe me zotin Bylykbashi e jo me mua. S’kam gjë me Klosin, unë dua përgjigje se kam plot atje në Pogradec që duan përgjigje.
Xhafaj: Të jemi korrektë me pyetjet dhe përgjigjet.
Fino, Xhafës: Tani more vlerat e kryetarit, bravo!
Peçi: Për pyetjen konkrete po jap edhe një përgjigje konkrete. Për kthimin dhe kompensimin e pronave nuk do mbaroj në qershor të 2015-së, sepse nuk është ky qëllimi i shtyrjes së afatit. Ajo që thoni ju se përse nuk e sjellim këtu projektligjin, do vij sërish me gabime dhe do jetë i nxituar, prandaj e duam një vit. Kohë. Procesi nuk mbaron në 2015-ën, në këtë vit mendojmë të fillojë një proces i mirë.




