Florenc Drizari
Shpërndahen 100 tituj pronësie, Rama: Ky është legalizim falas
Kryeministri Edi Rama shpërndau dje disa tituj pronësie në qytetin e Fierit, duke deklaruar se në këtë zonë është konstatuar një tjetër përparësi për banorët, pasi më shumë se gjysma e ndërtimeve pa leje janë bërë në tokën e tyre private. Sipas tij, ky fakt është një tjetër avantazh për banorët të cilët nuk do të kenë asnjë lloj detyrimi për të shlyer. “Këtu, në Fier, ka një karakteristikë që më bëri shumë përshtypje. Janë 26 mijë familje që presin të legalizojnë shtëpitë e tyre dhe nga këto, gjysma, 13 mijë, janë ndërtime në tokën e tyre. Kjo është një e dhënë shumë e vlefshme dhe shumë e mirë, sepse e bën shumë të lehtë procesin. Praktikisht, ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre nuk kanë asnjë lloj detyrimi për të shlyer. Nëse deri dje, ju e dini mirë, keni qenë të detyruar të paguani, të paguani, të paguani për çdo gjë, që nga bërja e një harte e deri tek marrja në dorëzim e dosjes nga zyra e ALUIZNI-t, sot nuk do të paguani asgjë.”,-u shpreh më tej Rama.
Kryeministri Edi Rama shpërndau edhe 100 tituj pronësie për banorët e zonave informale në Fier. Rama sqaroi se me daljen e ligjit të ri në rastet kur toka është e familjes nuk ka asnjë detyrim për të shlyer. Sipas tij, kjo procedurë, mbi bazën e parimit që legalizimi në të gjitha rastet do të bëhet falas.
“Ky është legalizim falas. Është legalizim që nuk lidhet me ke apo s’ke para, paguan apo nuk paguan, por që i jep secilit titullin e pronësisë mbi shtëpinë e tij. Ky është një proces i cili na jep mundësinë që t’i japim një shtytje shumë të fortë ekonomisë së familjeve që sot jetojnë në shtëpi të palegalizuara, por nëpërmjet tyre t’i japim një shtytje shumë të fortë edhe ekonomisë kombëtare. Gjithë këto kapitale të derdhura për t’u bërë shtëpi, nga kapitale të vdekura që janë sot, që nuk ekzistojnë asgjëkund në letra, të kthehen në kapitale të qarkullueshme përmes titullit të pronësisë, certifikatës së pronësisë, hipotekës dhe bankës. Dhe nga ky qarkullim i ri kapitali fiton edhe ekonomia kombëtare. Familja ka një instrument të ri për t’u punësuar, për t’u vetëpunësuar për të nxjerrë të ardhura. Dhe këto të ardhura që nxjerr, sigurisht që janë një e mirë e madhe edhe për shtetin, sepse ka më pak papunësi dhe ka edhe më shumë të ardhura nga taksat”,-tha Rama. Duke folur për procesin e legalizimit falas, Kryeministri tha se nuk do të shkojnë më familjet apo kryefamiljarët tek ALUNIZNI, po do të shkojë ALUNIZNI në çdo familje, dhe do të ndihmojë për të plotësuar të gjithë dokumentacionin pa pagesë, e më pas ata, do të marrin titullin e pronësisë në duar.
Kryeministri theksoi se ashtu si në shumë qytete të tjera është abuzuar me legalizimet edhe në Fier, pasi nuk janë legalizuar banesat pa leje në zonat informale, të ndërtuara për të strehuar familjet, por janë legalizuar objekte të ndërtuara kryesisht për qëllime fitimi.
“Edhe në Fier, si në të gjithë zonat e tjera, nuk e kanë pasur mendjen të legalizojnë shtëpitë e njerëzve me halle, por kanë legalizuar vetëm ato ndërtime që janë bërë për të fituar lekë, dyqane e magazina. Këtu në Fier kanë legalizuar një sërë godinash që bllokojnë projektin e lumit të Gjanicës”, tha Rama.
Në këtë takim, Kryeministri shoqërohej Ministrja Eglantina Gjermeni, nga kryesuesi i qarkut Fier, Gramoz Ruçi, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame.
Lame: 50 % e legalizimeve janë bërë në objekte shërbimi
Drejtori i Përgjithëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, gjatë aktivitetit të zhvilluar dje në Fier ku u shpërndanë tituj pronësie, kritikoi legalizimet e bëra nga qeverisja e mëparshme. Duke folur për specifikat e legalizimeve në qarkun e Fierit, të konstatuara pas një shqyrtimi nga ALUIZNI, Lame tha se mbi 50 % e legalizimeve të bëra në Fier, në vitin e fundit, janë objekte shërbimi, në një kohë kur në totalin e tyre objektet e shërbimit përbëjnë më pak se 10 % të objekteve të vetëdeklaruara
Emërimet në administratë/ PD pyet Ramën: Pse ka ndryshuar emrin drejtori i ujësjellësit?
Partia Demokratike vijon akuzat ndaj Kryeministrit Edi Rama për ato që ajo i quan emërimet e dyshimta dhe kriminale në postet e rëndësishme publike. Zëdhënësja Vorpsi kërkoi transparencë për kriteret e ndjekura për Drejtorin e Ujësjellësit të Patosit. Sot, ne po i drejtojmë disa pyetje Kryeministrit, në lidhje me meritokracinë, shanset e barabarta dhe asaj që kjo qeveri e ka si filozofi; ti gjejmë njeriut, punën. z.Rama cili është kriteri i ndjekur në emërimin e Drejtorit të Ujësjellësit të Patosit? z.Rama, pse drejtori i Ujësjellësit të Patosit, ka ndryshuar emrin? A e ka ndryshuar emrin, sepse ka pasur probleme me drejtësinë greke? z.Rama, sa vite burg për trafik droge ka bërë në Greqi, drejtori juaj i ujësjellësit në Patos? Cili është kumbari politik i drejtorit të ujësjellësit, që ka ndërhyrë tek ju për këtë emërim? Ne jemi në pritje të përgjigjes, për të kuptuar realitetin e punësimeve të Edi Ramës. Për të kuptuar etikën e qeverisjes, meritokracinë dhe rilindjen e ujësjellësit”-deklaroi një ditë më parë zëdhënësja Vorpsi. Më herët Partia Demokratike ka denoncuar rastet e emërimeve të disa drejtorëve në qarqe të ndryshme të vendit, duke bërë përgjegjës krerët e mazhorancës qeverisëse Rama – Meta.




