Vrasja / Viktima dhe autori qëlluan njëri-tjetrin, krimi për borxhin

Anxhela Tato

Policia, autori Agron Goxhaj me precedentë penal për plagosje, kishte raport shoqëror me viktimën

Të afërmit e Aurel Zenkës: Ishte djalë i mirë dhe nuk kishte probleme, jemi të tronditur

 

 

Aurel-Zenka-240x320Aurel Zenka dhe Agron Goxhaj kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit pas konfliktit për lekët që autori ia kishte huazuar viktimës. Të pranishëm në krim mësohet se kanë qenë edhe dy shok të autorit Agron Goxhaj, të cilët i kanë ardhur në ndihmë, kur kanë parë jashtë dy djemtë duke u konfrontuar fizikisht. Nga dëshmitë dhe të dhënat e policisë autori dhe viktima kanë qenë të armatosur dhe kanë hapur të dy zjarr. Ndërsa viktima ka marrë një plumb në kokë dhe katër plumba në qafë, autori ka mbetur i plagosur dhe është larguar me vrap, i ndihmuar nga shokët e tij. Ndërkohë që ende nuk specifikohet se sa herë është goditur me armë viktima, policia flet për gjashtë të shtëna, ndërsa banorët tregojnë se është qëlluar 8 herë. Nga të dhënat e para të ekspertizës mjeko-ligjore thuhet se Aurel Zenka ka humbur jetën nga plaga tejshpuese në kokë. Viktima është qëlluar në kokë dhe në qafë dhe nga hemorragjia ka gjetur vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes. Dëshmitarë të zonës rrëfejnë  se dy djemtë ishin në një lokal, kur kanë nisur të zihen me njëri-tjetrin. Debati ka vijuar në rrugë në afërsi të një tuneli, kur janë dëgjuar të shtëna dhe britma. Banorët e zonës kanë tentuar që t’i vijnë në ndihmë Aurel Zenkës, por ka qenë e kotë, pasi 38-vjeçari kishte humbur jetën. Ndërkohë që shokë të viktimës janë ende të tronditur për krimin. Ata shprehen se viktima nuk ka pasur konflikte apo probleme. Shokët e përshkruajnë Aurelin si një djalë mjaft të mirë, i cili lekët i ka fituar me djersën e ballit dhe mundin e punës. “Jemi shumë të tronditur nga ky krim. Nuk e dimë se për çfarë arsye ka ndodhur. Reli nuk ka pasur probleme me askënd dhe as konflikte. Ai ishte djalë shumë i mirë dhe çdo gjë e ka fituar me djersën e ballit. Nuk dimë çfarë të themi dhe nuk dimë asgjë”, – shprehen shokët e viktimës.

Hetimet

Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet e policisë është sherri për borxhin. Sipas të dhënave të policisë ka dyshime se autori i ka pasur lekë borxh viktimës dhe për ketë shkak janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Viktima dhe autori kanë debatuar gjatë paradites dhe pasdite janë ulur në kafe për tu sqaruar. Por sherri ka vazhduar duke degraduar në dhunë fizike. Nga burimet bëhet me dije se në momentin që të dy kanë dalë jashtë lokalit janë drejtuar për tek tuneli afër shkollës “1 Maji”. Debati ka përfunduar në konfrontim fizik, dhe ky është momenti kur kanë ndërhyrë edhe dy shok të autorit, i cili i ka drejtuar armën 38-vjeçarit Zenka. Në këtë moment viktima i trembur ka nxjerrë armën dhe e ka shkrepur atë duke plagosur autorin. Ka pasur shkëmbim zjarri mes të dyja palëve dhe në tokë ka rënë viktima. Burime sqarojnë se viktima është qëlluar mbi pesë herë nga autori. Ai ka marrë një plumb në kokë dhe disa plumba në qafë. Ndërsa janë shoqëruar rreth 15 veta në komisariat për tu marrë në pyetje, përfshirë këtë dëshmitarë të ngjarjes dhe të afërm e miq të viktimës. Burime bëjnë me dije se autori rezulton të jetë person i skeduar për plagosje, por nuk sqarohet se për cilën ngjarje bëhet fjalë. Përsa i përket viktimës, ai ishte pronar i një lokali në zonën e ish-Bllokut dhe mik me autorin. Burime sqarojnë se të dy kanë qenë miq, por janë konfliktuar për shkak të borxhit. Ndërsa banorë të lagjes shprehen se të dy djemtë rrinin shpesh nëpër lokalet e zonës “Ali Demi”. Ata uleshin për të parë ndeshje dhe dukeshin shumë të qetë.  Ndërkohë që uniformat blu po vijojnë kërkimet për kapjen e autorit të krimit, i cili është zhdukur menjëherë pas vrasjes.

 

Lezhë

Manipuluan zgjedhjet lokale, arrestohen 2 komisionerë

Arrestohen dy komisionerët që falsifikuan rezultatin e votimit në zgjedhjet lokale të 8 majit të vitit 2001, në komunën Dajç të Lezhës, Gentian Kovaçi dhe Lulzim Paloka. Dy të arrestuarit ishin në kërkim sipas policisë së Lezhës, pasi gjykata i ka dënuar nga 8 muaj burg. Kovaçi dhe Paloka u akuzuan bashkë me 6 komisionerët e tjerë Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, dhe Gent Marku. Në qendrën e votimit, ku ata ishin komisionerë në zgjedhjet e 8 majit, kishin votuar dhe futur fletë votimi në emër të 66 banorëve votues, të cilët ishin emigrantë dhe nuk ndodheshin në Shqipëri në atë periudhë.  Në komunën e Dajçit si kandidat për kryetar komune ishin Rrok Rroku përfaqësues i koalicionit politik “Aleancës për të Ardhmen” dhe Gjergj Doçi i koalicionit politik “Aleanca për Qytetarin”. Në përfundim të zgjedhjeve me vendimin me Nr.471, datë 13.05.2011 të Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve Nr.37, Qarku Lezhë, “Për miratimin e Tabelës përmbledhëse të Rezultatit për Zgjedhjen e Kryetarit të Komunës Dajç” është vendosur shpallja si fitues i Z.Gjergj Gjin Doçi të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.

 

Lushnje

Dëshmoi për avionë me drogë, mbahet 30 minuta në polici Genti Kuqi

Shoqërohet në polici Genti Kuqi, personi që dëshmoi për mikrofonin e “Neës24” se ka parë direkt sesi në Bedat u ul një avion i vogël. Genti Kuqi është shoqëruar sot nga forcat e policisë së komisariatit Lushnje për të dhënë detaje rreth asaj që ka parë një muaj më parë në Bedat të Lushnjës, Kuqi. Policia e Shtetit reagoi rreth mesditës mbi shoqërimin e shtetasit Genti Kuqi. Sipas Policisë, Kuqi u mbaj rreth 30 minuta në komisariat ku dha dëshmi për avionin. “Genti Kuqi dha dëshminë në komisariat për avionin. U mbajt për rreth 30 minuta dhe u dërgua me makinë policie në shtëpinë e tij”. Genti Kuqi, banor i fshatit Bedat të Lushnjes deklaroi më 25 Prill se rreth një muaj më parë ka parë të ulet një avion në rrugën “Bedat Adriatik”, rreth orës 09:00 të mëngjesit. Genti Kuqi bën të ditur se avioni ka qëndruar rreth 30 minuta dhe më pas është ngritur sërish duke u larguar drejt bregdetit.

 

Greqi

Gjenden 6 çanta me drogë, u transportua nga 3 mushka

Sekuestrohen në kufi me Greqinë 6 çanta të braktisura me drogë, përkatësisht 200 kilogramë. Policia ka bërë me dije se çantat me drogë ishin braktisur në 23 prill, në Katajet, pranë Konispolit dhe transportohej nga 3 mushka. Burime nga policia bëjnë me dije se droga ishte lënë enkas në vendin e pikasur, për tu bërë e mundur dhe identifikimi i poseduesve, apo atyre që do ti merrnin.

Share it :