Florenc Drizari
“Trafiku i drogës”/ Ngritja e komisionit parlamentar, Basha: Fitore e betejës opozitare për transparencë
Një ditë pas miratimit të ndryshimeve në komisionin e posaçëm për reformën administrativo-territoriale në Kuvendin e Shqipërisë nga mazhoranca qeverisëse, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi se opozita do t’u drejtohet qytetarëve për të mos mundësuar një reformë të njëanshme që, sipas tij, po bëhet për qëllime elektorale për zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor. Të enjten e kaluar, në seancë plenare mazhoranca miratoi ndryshimet në komision, duke i hequr opozitës të drejtën e barabartë të votës, ndërkohë që ditën e hënë është vendosur të fillojë edhe puna me më shumë se gjysmën e anëtarëve të shumicës së majtë. Ky vendim nuk pëlqimin e opozitës në Kuvend dhe ,sipas deklaratës që kryetari i PD-së, Lulzim Basha, bëri një ditë më parë, tha se dyshja Rama-Meta vendosi t’i injoronte thirrjet e së djathtës për të punuar me konsensus për reformën administrative-territoriale, duke proceduar me komisionin e njëanshëm.
Kreu i Partisë Demokratike theksoi se praktika 23-vjeçare në Shqipëri ka treguar se për miratimin e këtyre reformave është i domosdoshëm konsensusi politik me opozitën dhe shtoi se duke refuzuar këtë konsensus, krerët e mazhorancës kanë refuzuar bashkëjetesën demokratike.
“Refuzuan konsensusin me ne në Kuvend, por nuk mund të shmangin përballjen me një popull të tërë për ketë reformë, e cila nuk do të mund të jetë kurrë, sado t’i gënjejë mendja, një rivizatim i hartës elektorale në funksion të manipulimit të zgjedhjeve vendore dhe më pas atyre politike. Por duhet dhe do të jetë reformë e fuqizimit dhe decentralizimit të pushtetit vendor në radhë të parë dhe pastaj edhe territorial. Do të jetë reformë e publikut sovran shqiptar dhe jo pseudoreformë e një shumice tavoline që nuk ka dalë nga vota e lirë”, – theksoi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
KOMISIONI HETIMOR
Një ditë pas ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për çështjen përfshirjes së mundshme të strukturave të FA-së në trafikun e drogës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vlerësoi hapat e arritur në drejtim të zbardhjes së ngjarjes dhe nisjen e hetimit. Kreu i opozitës theksoi se të gjitha pyetjet, kërkesat dhe qëndrimet e bëra publike lidhur me informacionet shqetësuese dhe indicet që flasin për një skandal të paprecedentë të kapjes të shtetit nga krimi i organizuar, kanë pasur në këtë fazë një qëllim, transparencën. Basha tha se ky ishte motivi që opozita thirri dy herë ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, kërkesa këto që nuk u pranuan nga shumica e majtë në komision.
“Tani e kanë të qartë të gjithë shqiptarët se informacioni është shumë serioz, një informacion i shërbimeve të specializuara që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për këtë punë, informacion i mbështetur nga dëshmitë e qytetarëve të thjeshtë. E kanë të qartë të gjithë shqiptarët se ky informacion nuk mund të konsiderohej sekret sa kohë që krimi sfidon shtetin dhe shoqërinë pa i hyrë gjemb në këmbë. Sekret deshën ta bënin me qëndrimet e tyre dyshja Rama-Meta. Por askush në Shqipëri përveç tyre nuk qeshi me përpjekjet që ata bënë për ta trajtuar këtë skandal si një lojë me mushkonja dhe aeroplanë prej letre. Përkundrazi, njerëzit u shqetësuan më shumë, partnerët tanë ndërkombëtarë u shqetësuan më shumë, derisa sa e vërteta po fillon të hapë rrugën e saj”, – deklaroi Basha. Në deklaratën e tij, kreu i PD-së tha se lë të fillojë menjëherë hetimin parlamentar për të vijuar me masa të tjera. “Si opozitë deklarojmë para publikut përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për të kontribuar dhe për t’i shkuar deri në fund këtij skandali që ka tronditur mbarë opinionin publik dhe partnerët tanë gjithashtu”, – theksoi ai.
Basha për heqjen e kompetencave të Presidentit për ILDKP-në
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ritheksoi qëndrimin se opozita është kundër nismës së mazhorancës për heqjen e kompetencës ndaj kreut të shtetit për të propozuar kandidaturat për kreun e ILDKP-së. Në seancën e fundit plenare mazhoranca miratoi e vetme ndryshimet në draft që parashikojnë që kandidaturat t’i propozojë Kuvendi, ndërkohë që Basha e quajti këtë një kapje të shtetit nga krerët e mazhorancës. “Etja e shfrenuar për të rrëmbyer pushtete që nuk i takojnë e ka bërë dyshen Rama-Meta të dalë nga binarët e logjikës dhe të mos ngurrojë para asnjë paturpësie të paargumentueshme dhe para asnjë shkeljeje ligjore e kushtetuese. Me aktin e djeshëm dyshja Rama-Meta ka rrënuar rolin e ILDKP-së në luftën kundër korrupsionit dhe e ka kthyer atë në një vegël qorre të politikës së saj të mbrojtjes së korrupsionit qeveritar dhe goditjes selektive të kundërshtarëve”, – deklaroi Basha.
“Droga”, dalin dëshmi të reja nga banorët në Lushnjë: Një muaj më parë u ul një avion
Çështje e “drogës” në strukturat e ushtrisë vijon të sjellë reagime të ndryshme në media. Një ditë më parë, pas publikimit të një dokumenti të SHISH-it, ku jepen detaje se një avion i vogël sportiv i bardhë është ulur në aeroportin e Gjadrit dhe që dyshohet për një transport të mundshëm droge, vijnë edhe reagime nga banorët. Një banor i fshatit Bedat të Lushnjes deklaron se rreth një muaj më parë ka parë të ulet një avion në rrugën “Bedat Adriatik”, rreth orës 09:00 të mëngjesit. Genti Kuqi bën të ditur për “News 24” se avioni ka qëndruar rreth 30 minuta dhe më pas është ngritur sërish duke u larguar drejt bregdetit.
“Po vija nga Bedati për peshkim. Këtu ishte një makinë fuoristradë që na bllokoi rrugën, derisa avioni u ngrit. Avioni ishte i vogël, i bardhë. Rruga u bllokua, u ngrit avioni na hapën rrugën. Unë e dija se ishte policia ose një defekt. Thashë se avioni ra. U hap rruga, makina iku në drejtim të avionit kur u ngrit avioni, iku në bregdet. Avioni u ul për 25-30 minuta. Banorë të tjerë e dinë. Dëshminë time do ta jap pse mos e jap. Është e vërtetë. Nuk e kam parë vetëm unë por shumë banorë të kësaj zone. Këtu ishin bllokuar më shumë se 20 persona”, – deklaroi zoti Kuqi.
Banori shprehet i gatshëm të japë dëshminë e tij edhe në prokurori, në rast se do t’i kërkohet. Sipas tij, këtë fakt e dinë dhe shumë banorë të tjerë të zonës, por kanë frikë të shprehen.
“Banorë të tjerë e dinë. Dëshminë time do ta jap, pse të mos e jap. Është e vërtetë. Nuk e kam parë vetëm unë por shumë banorë të kësaj zone. Këtu ishin bllokuar më shumë se 20 persona atë ditë”, – shprehet Kuqi.




