Florenc Drizari
“Duke u regjistruar ju jepni pëlqimin/miratimin tuaj për përdorimin e të dhënave personale, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, aktet nënligjore të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe legjislacionin shqiptar në fuqi”
Partia Demokratike pak ditë më parë mbylli procesin e rifreskimit të bazës së të dhënave të anëtarësisë së saj në rrethet e vendit, ndërkohë që në mesjavë ky proces filloi edhe për Tiranën. Sipas përfaqësuesve të lartë të PD-së, kjo forcë politike edhe pse është në opozitë, ka kaluar pritshmëritë e saj për sa u përket anëtarësimeve të reja. Vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka cilësuar procesin e anëtarësimeve si lajmin më të mirë që ka marrë nga radhët e së djathtës që prej marrjes së drejtimit të PD-së në verën e vitit të kaluar. Edhe pse ende në PD nuk flitet për shifër të saktë anëtarësimesh dhe kjo për faktin se, procesi sapo ka filluar për kryeqytetin, një nga zonat më të mëdha të vendit, sipas Bashës, janë mijëra e mijëra të rinj që i janë bashkuar Partisë Demokratike edhe në opozitë.
Lidhur me kryeqytetin, risia e anëtarësimeve qëndron në faktin se aplikimet mund të bëhen edhe nëpërmjet internetit, online. Sipas përfaqësuesve nga Partia Demokratike, kjo mundësi u la vetëm për Tiranën, për faktin se kryeqyteti konsiderohet si një nga zonat me përdorimin më të madh të internetit. Në faqen online të Partisë Demokratike është publikuar një formular i cili mund të plotësohet me të dhënat personale të cilitdo. Në këtë faqe citohet edhe ligji për ruajtjen e të dhënave personale, një garanci kjo për aplikuesit qe duan të bëhen pjesë e strukturave të Partisë Demokratike. “Duke u regjistruar ju jepni pëlqimin/miratimin tuaj për përdorimin e të dhënave personale, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, aktet nënligjore të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe legjislacionin shqiptar në fuqi”, – shkruhet në formularin e PD-së.
Për sa u përket anëtarësimeve të reja në PD si dhe procesit të analizës që do ta shoqërojë këtë forcë politike deri në zgjedhjet për strukturat e saj drejtuese, Partia Demokratike mandatoi 38 koordinatorë në qytete dhe zona të ndryshme të vendit, të cilët do të merreshin me këtë proces. Shumica e koordinatorëve në rrethe kanë mbajtur poste të larta si deputetë në legjislaturën e shkuar, ish-zëvendësministra, drejtorë drejtorish etj. Disa nga koordinatorët në rrethe, por edhe deputetë të Partisë Demokratike, e kanë cilësuar këtë zgjedhje nga drejtuesit e PD-së si një mënyrë për të afruar sa më shumë figura pranë së djathtës, por edhe për faktin se pjesa dërmuese e tyre njohin më nga afër problemet që mund të ketë në degët e së djathtës.
Pas fazës së vlerësimit të bazës së anëtarësisë, PD pritet të mbyllë këtë proces për kryeqytetin dhe në muajt maj-qershor, kjo forcë politike pritet të zhvillojë zgjedhjet për strukturat e saj përfaqësuese dhe drejtuese, përjashto këtu kreu i PD-së, i cili u mandatua në korrik të 2013-ës.
Basha: Vërshimi i rinisë në PD, lajmi më i mirë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, hapi pak ditë më parë zyrtarisht fushatën e anëtarësimeve të reja për kryeqytetin. Në këtë aktivitet, Basha theksoi se lajmi më i mirë që nga koha që ka marrë drejtimin e Partisë Demokratike, ka qenë numri i lartë i anëtarësimeve nga të rinjtë shqiptare, edhe pse PD ndodhet aktualisht në opozitë. “Lajmi më i bukur, që kam pasur privilegjin dhe nderin të jap si kryetari i ri i Partisë Demokratike në këta muaj, ka qenë lajmi i konfirmimit masiv në Partinë Demokratike të anëtarësisë të saj, të mijëra e mijëra të rinjve e të rejave të anëtarësuar ndër vite në Partinë Demokratike; ka qenë lajmi i ardhjes së qindra e mijërave, vërshimit në kuptimin më të plotë të fjalës i mijëra e mijëra të rinjve për herë të parë në Partinë Demokratike. Mendjehapur, krahëhapur dhe zemërplot po vjen rinia në Partinë Demokratike. Mendjehapur dhe zemërplot po i presim. Në ballin e kësaj shtëpie të lirisë, në zemrat tona, në mirënjohjen tonë janë gdhendur këto fjalë: mirë se vjen rini e mrekullueshme shqiptare në shtëpinë e lirisë!”, – ka thënë Basha.
Këshilli Bashkiak në Lushnjë merr zyrat e PD-së, Kadilli: Hakmarrje politike
Këshilli Bashkiak në Lushnjë ka vendosur të tjetërsojë zyrat e PD-së, ndërkohë që për këtë çështje kanë ardhur edhe reagime nga dega e PD-së në Fier si dhe nga ish-deputeti i selisë blu, Fatbardh Kadilli, aktualisht koordinator i grupeve të punës në këtë qytet. Në një koment në profilin e tij në “Facebook”, Kadilli shkruan se me vendim të Këshillit Bashkiak, zyrat e Partisë Demokratike janë marrë nga pushteti vendor.
“Keshilli Bashkiak Lushnje vendosi t’i marrë zyrat aktuale Partisë Demokratike në këtë qytet. Një vendim që nuk fsheh dot motivin politik. Shprehje e hakmarrjes politike, e diskriminimit të opozitës dhe, ç’është më e rëndë, shprehje e qartë e urrejtjes për kundërshtarin. Pas 23 viteve në demokraci e majta ende nuk është shkëputur nga mendësia e përjashtimit të tjetrit, e trajtimit të kundërshtarit si armik që nuk duhet as të ekzistoje”, – ka shkruar Kadilli.
Ndërkohë, ky akt është dënuar edhe nga dega e PD-së në Fier, ku thuhet se akti i paprecedentë i një pjese të Keshillit Bashkiak Lushnjë të cilët të urdhëruar nga krerët e selisë qendrore të PS-së, vendosën të largonin nga ambientet ku ushtron veprimtarinë politike dega e Partisë Demokratike Lushnjë. “Ky veprim që nuk ka asnje lidhje me politikberjen,ne kundershtim flagrant me ligjin dhe te drejten e ushtrimit te veprimtarise se partive politike të sanksionura këto edhe ne kushtetuten e Shqiperise na kthejne ne vitin 1945 kur komunistet e rinj vendosen te mbysin zerin opozitar duke instaluar sistemin një partiak.PD Dega Fier mbeshtet pa asnje rezerve Degen e PD Lushnje,dhe i kerkon kryeministrit Rama dhe personave të tjerë pergjegjës te cilet janë pjese e ketij akti primitiv dhe te papergjegjshem te terhiqen ne menyre te menjehershme nga ky vendim ose do të përballen me pasoja të paimagjinueshme”, – thuhet në reagim.




