Do t’u kërkoja të gjithë familjarëve që mes dhimbjes së tyre, t’i drejtohen zyrës së Kryeministrit për të marrë një zgjidhje sepse Kryeministri ynë i ka të gjitha mjetet në dorë për të zhbllokuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe të lejojë shërbimin funeral të ofrojë shërbimet për të ndjerët e familjet e tyre
Duke filluar nga dita e hënë shërbimi funeral i Bashkisë nuk do të jetë më i mundur të ofrohet, pasi nuk ka më asnjë hapësirë të lirë. Shqetësimi është ngritur nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, i cili u ka kërkuar qytetarëve që t’i drejtohen zyrës së Kryeministrit. “Shërbimi funeral i Bashkisë së qytetit për familjet që humbin të dashurit e tyre nuk do të jetë më i mundur të ofrohet. Do t’u kërkoja të gjithë familjarëve që mes dhimbjes së tyre, t’i drejtohen zyrës së Kryeministrit për të marrë një zgjidhje, sepse Kryeministri ynë i ka të gjitha mjetet në dorë për të zhbllokuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe të lejojë shërbimin funeral të ofrojë shërbimet për të ndjerët e familjet e tyre”, – u shpreh Bozdo nga varrezat e Sharrës.
Bllokimi
E gjithë kjo situatë ka ardhur pas bllokimit që prefekti i Tiranës i ka bërë buxhetit të Bashkisë, duke mos firmosur vendimin e Këshillit Bashkiak. “Unë nuk jam këtu vetëm si nënkryetar i Bashkisë, por edhe si familjar që përballem çdo ditë me kërkesat nga të njohurit, miqtë që humbin njerëzit e tyre, për të gjetur një mundësi për t’i varrosur në mënyrë dinjitoze dhe shpresoj që Kryeministri të heqë “veshët” politikë dhe të vendosë dëgjimin e qytetarit, i cili kërkon që mundësisht në këtë vend, pikërisht ku jemi ne, por edhe për këtë çështje kaq të ndjeshme, të mos kemi luftë politike, por të kemi një bashkëpunim. Shpresoj që ky mesazh të prekë sadopak zemrën e tij, sepse nuk ka ngelur gjë tjetër veçse t’i kërkojmë atij që të vërë dorën në zemër dhe t’i japë zgjidhje këtij problemi kaq të madh”, – theksoi nënkryetari i Bashkisë.
Situata
Lidhur me situatën nëse Bashkia ka një plan rezervë, Bozdo u shpreh: “Ne u kemi thënë se hapësirat janë të gjitha të zëna, jemi duke ofruar tashmë shërbimin vetëm për varret ekzistuese, pra për familjarët që kanë varre ekzistuese”. Drejtori i Shërbimit Funeral, Besim Kuka, u shpreh: “Absolutisht nuk kemi ku të kryejmë varrime të tjera, nga ky moment e më pas nuk kemi ç’bëjmë. Të dy sektorët, edhe Sharra, edhe Tufina, kanë 6-7 varrime sot (dje). Për dy sektorët, gjithmonë janë varr mbi varr”. Më tej, nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, përmendi se si familjar është i irrituar për “bllokimin dhe këtë konflikt të panevojshëm politik dhe këtë mënyrë se si trajtohet Bashkia e Tiranës, vetëm sepse qëllon që kryetari i Bashkisë është edhe kryetari i opozitës”.
Varrezat
Rreth 1 muaj më parë, Bashkia e Tiranës i kërkoi Ministrisë së Brendshme që të miratonte dosjen e shpronësimeve, në mënyrë që të shtoheshin hapësirat për varre të reja. Pas disa reagimeve të Bashkisë, Ministria e Brendshme vendosi që ta çonte vendimin në qeveri, duke u hapur rrugë shpronësimeve për interes publik. Miratimi i këtij vendimi i jepte të drejtën Bashkisë që të niste procesin për shtimin e hapësirave, por çdo gjë u bllokua kur prefekti nuk firmosi buxhetin.
Bllokimi i buxhetit, Dalipi: Do ta ridiskutojmë
Këshilli Bashkiak do të propozojë ridiskutim të buxhetit 2014. Në një deklaratë për mediat kreu i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, Aldrin Dalipi, tha se në mbledhjen e radhës të Këshillit, më 30 prill, këshilltarët e mazhorancës do të propozojnë të paraqitet serish në rendin e ditës diskutimi i buxhetit 2014 për Tiranën. Duke qenë se ky buxhet u miratua me konsensus në mbledhjen e 26 shkurtit 2014, Dalipi thotë se përpjekja për të bllokuar këtë buxhet, duke krijuar një situatë konflikti, është thjesht politike.
Basha takon Imzot Donato Oliverion
Kryebashkiaku, njëherësh kryetar i PD-së, Lulzim Basha, priti në një takim Peshkopin e arbëreshëve të Italisë, Imzot Donato Oliverio, Peshkop i Eparkisë së Ungrës, i arbëreshëve të Italisë. Basha ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të klerikëve arbëreshë të cilët përveç veprimtarisë së tyre fetare, japin ndihmesë të ndjeshme edhe në ruajtjen e gjuhës shqipe (arbëreshe), të trashëgimisë kulturore dhe të gjitha traditave arbërore. Kryetari i Bashkisë ka shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin në këtë mision fisnik dhe shumë të çmuar, për ruajtjen dhe trashëgiminë e vlerave të kulturës dhe traditës së arbëreshëve të Italisë. Imzot Donato Oliverio, duke falënderuar Kryebashkiakun për pritjen e veçantë, ka vlerësuar tolerancën fetare të shqiptarëve, si model për të gjithë botën dhe që do të ndikonte për paqen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërfetar. Peshkopi i arbëreshëve të Italisë u angazhua personalisht dhe me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, për të përhapur sa më shumë dhe në çdo vend të botës vlerat që mbartin shqiptarët, tolerancën fetare, fjalën e dhënë, besën, mikpritje, vëllazërinë.




