Sonila Mesareja
Specialisti i firmës që iu anulua tenderi shpjegon procedurat, Prokuroria deklaron se ka prova për shpërdorim detyre
Gjyqi kundër kreut të Bashkisë së Kamzës ka nisur me dëshmitë e para, ku njëri pas tjetrit dëshmitarët kanë folur për procedurat e tenderit apo përfundimin e punimeve për rrugën që akuzohet Xhelal Mziu dhe dy vartësit e tij. Dje e kanë pasur radhën për të dëshmuar 3 nga dëshmitarët e thirrur nga akuza, ndërsa në seancën e radhës janë njoftuar 6 dëshmitarë të tjerë. I pari që doli para togave të zeza, ishte Lluka Xhengo, specialisti i kompanisë ndërtuese që iu anulua tenderi i fituar. Ai shpjegoi para togave të zeza procedurën e ndjekur nga kompania deri në kallëzimin ndaj kryetarit Mziu. Ky i fundit dhe avokatët pretenduan se firma fituese u skualifikua, pasi nuk kishte plotësuar dokumentacionin e parashikuar nga ligji. Prokurorja tha se dëshmia e Xhengos tregoi të gjithë procedurën e paligjshme të ndjekur nga i pandehuri Mziu dhe vartësit e tij. Më pas, radhën për të dëshmuar e patën dy banorë të rrugës “Zgjimi”, për ndërtimin e së cilës është marrë i pandehur Mziu për veprën penale “Shpërdorim detyre“. Ata treguan se rruga u ndërtua një muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit, duke treguar për akuzën se shtrimi i rrugës është kryer nga një kompani tjetër dhe jo nga ajo që u shpall fituese e tenderit. Prokuroria pretendoi para Gjykatës se provon akuzat e saj për abuzimet e kryera nga i pandehuri, ndërsa avokatët reaguan duke u shprehur se nuk ka prova. Seanca u shty për në datën 9 maj për t’u pyetur 6 dëshmitarët e tjerë të akuzës.
Akuza
Akuza ka sjellë në Gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës tre zyrtarë të lartë të Bashkisë së Kamzës, përkatësisht, kryebashkiakun Xhelal Mziu, Atli Hoti, drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Bujar Loshi, drejtor i Drejtorisë së Taksave në këtë Bashki. “Dy kompanitë “A… sh.p.k” dhe “Gj… sh.p.k” në pesë vite rresht (2008-2013) kanë ankimuar fillimisht detyrimin e përcaktuar nga ana e Bashkisë Kamëz, pasi e kanë konsideruar të padrejtë. Ankimimi i tyre nuk është marrë parasysh asnjëherë dhe për këtë, dy kompanitë çdo vit i janë drejtuar Gjykatës. Për 5 vite rresht është investuar Gjykata e Shkallës së Pare dhe e Apelit për të njëjtin argument. Në të gjitha rastet, gjykatat u kanë dhënë të drejtë shoqërive private. Por, nga ana e Bashkisë nuk janë marrë në konsideratë vendimet e Gjykatës, për më tepër Bashkia ka urdhëruar me akt administrativ bllokimin e llogarive bankare të shoqërive, të cilat janë detyruar të zhvillojnë të tjera procese gjyqësore për zhbllokimin e tyre”, – thuhet në akuzën e Prokurorisë. Ky procedim penal u referohet katër kallëzimeve penale të paraqitura nga dy nga shoqëritë “A” dhe dy të paraqitura nga shoqëria “Gj”. Në këto kallëzime parashtrohet fakti penal i kryerjes së veprimeve në kundërshtim me ligjin nga punonjësit e Bashkisë Kamëz. “Në dy kallëzimet e paraqitura nga përfaqësues të shoqërisë “A……. sh.p.k” parashtrohet fakti se ndaj kësaj shoqërie Bashkia Kamëz ka vendosur ndër vite, në kundërshtim me ligjin taksën “Për zënien e hapësirës për aktivitet tregtar” si dhe “Taksën e ndërtesës”. Edhe pse Gjykata ka vendosur disa herë me vendim të formës së prerë paligjshmërinë e këtyre taksave (e para si e vendosur totalisht në kundërshtim me ligjin dhe e dyta pjesërisht), nga autoritetet e Bashkisë Kamëz nuk është marrë asnjë masë për mosvendosjen e këtyre taksave në vitet në vazhdim, por ka ndodhur e kundërta, duke bërë rivlerësime tatimore. Gjithashtu, kësaj shoqërie nuk i janë kthyer detyrimet e paguara, të cilat Gjykata i ka deklaruar si të vendosura në kundërshtim me ligjin”, – thuhet në dosjen e akuzës. Dje është proceduar vetëm me dëshmitarët që flasin mbi akuzën që ka të bëjë me rrugën, ndërsa për taksat nuk kanë filluar ende dëshmitë. “Konstatohet se Bashkia e Kamzës ka marrë njoftim rregullisht për proceset dhe vendimet gjyqësore të zhvilluara me paditës shoqërinë “A”. Në njoftimet e ardhura nga Gjykata gjendet kartelat shoqëruese të plotësuara nga kryetari i Bashkisë me shënimet përkatëse të tilla si: “Drejtoria Juridike dhe Drejtoria e Taksave… të mbrohet me çdo kusht”, përfaqësues të Bashkisë kanë qenë prezent në proceset gjyqësore, ndaj vendimeve gjyqësore është ushtruar ankim i cili është firmosur nga titullari i institucionit, por ajo që është më e rëndësishme për disa vendime gjyqësore janë lëshuar urdhrat e ekzekutimit nga Gjykata dhe janë ngarkuar zyrat përkatëse të Përmbarimit për ekzekutimin e këtyre vendimeve. Por, pavarësisht ligjit dhe vendimeve gjyqësore, Bashkia Kamëz ka vazhduar të vendosë taksa ndaj shoqërisë në kundërshtim me ligjin pavarësisht dijenisë së saj, për paligjshmërinë e këtyre taksave. Nga përllogaritjet rezulton se shuma e taksave të vendosura padrejtësisht në vitet 2008-2011 për shoqërinë “A” është rreth 12.000.000 lekë të reja. Gjithashtu, Bashkia Kamëz ka vendosur këto taksa të paligjshme edhe në vitin 2012 dhe 2013”, – përfundon akuza e Prokurorisë.
Tiranë/ Vodhi para në një automjet, dënohet 8 muaj burg
Gjykata e Tiranës dënoi me 8 muaj burg për vjedhje Etem Mejdallin, pasi akuzohet se hapi një automjet të parkuar dhe vodhi shumën prej 100 mijë lekësh. Sipas Gjykatës, më datë 15 nëntor të vitit të kaluar, shtetasi Arben Leka ka bërë kallëzim në Prokurori, duke shpjeguar se punon pranë zyrave të “Casino Imperial” si rojë “Sicurity”, e cila ndodhet tek 9-katëshet. Në orët e pasdites të po kësaj date ka ndodhur vjedhja e një sasie lekësh, rreth 100.000 lekë brenda automjetit të pronarit Ani Bruli. Gjatë këqyrjes së kamerave të sigurisë është konstatuar se pranë automjetit është afruar i pandehuri Etem Mejdalli, ka hapur derën e pasagjerit dhe ka marrë sasinë e lekëve prej 100.000 lekësh dhe është larguar. Gjithashtu, rreth mesditës, shtetasi Arben Leka, gjatë shërbimit të rojës ka konstatuar se është afruar përsëri i pandehuri Etem Mejdalli tek vendi i vjedhjes dhe menjëherë roja ka dalë, i ka thirrur duke i kërkuar sqarim në lidhje me vjedhjen e lekëve, ndërkohë që i pandehuri ka refuzuar se e ka kryer ai vjedhjen. Në këtë kohë, roja ka njoftuar patrullën e policisë, e cila ka bërë shoqërimin e të pandehurit në komisariat. I pandehuri pranoi vjedhjen para policisë, si dhe në gjykatë, duke treguar pendesë për veprimin e kryer.




