Në Vatikan/ Rama takon Papa Françeskun, ftesë për vizitë në Shqipëri: I mrekulluar nga thjeshtësia e Njeriut  

Gëzim Saliu

 

Takimi me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Rama: Njohja e Kosovës, domosdoshmëri

 

rama dhe papaKryeministri Edi Rama u prit dje në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Në këtë takim që zgjati thuajse një orë, kreu i qeverisë shprehu vlerësimin e lartë për rolin e Papa Françeskut në drejtimin e Selisë së Shenjtë dhe përkushtimin e tij të veçantë në promovimin e vlerave të solidaritetit, përfshirjes, mundësive të barabarta dhe drejtësisë shoqërore. Në këtë kontekst, Kryeministri e ftoi Papa Françeskun të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën Ati i Shenjtë e mirëpriti. “Audienca me Papa Franceskun, një orë e mrekullueshme përballë thjeshtësisë së Njeriut”, – shkruante Rama mbresat e tij pas takimit me Papën në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

 

Takimi

 

Pas audiencës me Papa Françeskun, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin. Në këtë takim u diskutua për frymën e tolerancës fetare që mbizotëron në Shqipëri, si dhe rolin që Selia e Shenjtë luan në promovimin e dialogut ndërfetar dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, pas shembjes së regjimit komunist. Nga ana e tij, Kryeministri Rama shprehu domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit, në përputhje me realitetet e reja në rajon. Ndërkohë, në faqen zyrtare të Vatikanit, “news.va” thuhej: “Këtë mëngjes në Pallatin Apostolik të Vatikanit Ati i Shenjtë Francis prit në audiencë Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, i cili më pas u takua me Sekretarin e Shtetit Kardinali Pietro Parolin, i shoqëruar nga Kryepiskopi Dominique Mamberti, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Gjatë diskutimeve të përzemërta, palët u shprehën mbi marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë, ku në fokus të temave me interes të përbashkët ishin marrëdhëniet midis komuniteteve, duke përfshirë dialogun ndërfetar dhe kontributin e Kishës në të mirën e përbashkët të shoqërisë shqiptare. Më pas vëmendja u kthye në çështjet kryesore rajonale dhe progresin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”. Gjatë vizitës së tij në Vatikan, Kryeministri Rama shoqërohej nga bashkëshortja Linda, ministri i Jashtëm Bushati, ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe ministrja e Arsimit Nikolla.

 

 Në Shkodër/ Haxhinasto: Penalitete për kompanitë që s’përmbushin standardet, mbyllim by pass-in

 

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, theksoi dje se qeveria është e angazhuar për të rritur sigurinë në rrugët e vendit sipas standardeve të parashikuara. Këto masa, sipas tij, janë të domosdoshme për uljen e numrit të aksidenteve në rrugët e vendit si edhe për të bërë të mundur që vendi të jetë gati për sezonin turistik. “Çdo kompani e kontraktuar si dhe autoritetet rrugore që nuk i përgjigjen kërkesave të Ministrisë, do të përballen me penalitete përkatëse”, – deklaroi ministri. Lidhur me unazën lindore të Shkodrës dhe by pass-in, Haxhinasto garantoi se dy projektet e lëna përgjysmë do të përmbyllen sa më shpejt. Ai vlerësoi edhe marrëveshjen me qeverinë gjermane për mbrojtjen mjedisore të liqenit të Shkodrës me vlerë 20 milionë euro, që, sipas tij, përmirëson përfundimisht rrjetin e furnizimit me ujë dhe sistemit të kanalizimeve në gjithë zonën e Shkodrës.

 

 

 

 

 

Share it :