Përfaqësuesi në NATO/ Nishani refuzon kandidaturën e Zaimit, s’përmbush standardet: Përdorim i gradave kundër ligjit

 

Gjenerali në pension ka përdorur uniformën ushtarake të gjeneralit në 5-vjetorin e NATO-s

 

Bujar NishaniKandidatura e Arjan Zaimit si shef i Zyrës së Përfaqësimit të Shqipërisë në NATO nuk pranohet nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Kreu i shtetit, sipas burimeve pranë Presidencës, ka refuzuar të dekretojë kandidaturën e propozuar nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, pasi nuk përmbush standardet e kërkuara nga Nishani për postin në NATO. Po ashtu, në motivacionin e tij për kundërshtimin e Zaimit, Presidenti ka patur parasysh edhe përdorimin e gradave në kundërshtim me ligjin. Gjenerali në pension ka përdorur uniformën ushtarake të gjeneralit, në të paktën dy ceremoni publike, ku e fundit ishte ajo për 5-vjetorin e pranimit të Shqipërisë në NATO. Pavarësisht se me dekret të Presidentit, Zaimi ka dalë në lirim para disa viteve, ai mban aktualisht postin e Këshilltarit Ushtarak të ministres së Mbrojtjes. Ky rast i fundit duket i ngjashëm me akuzat e qeverisë dhe ministres së Mbrojtjes për ish-kreun e misionit ushtarak në NATO, admiral Kristaq Gerveni, ku u kërkua shkarkimi dhe kthimi i menjëhershëm në atdhe.

 

Rasti i Gervenit

 

Pak kohë më parë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i kërkoi Presidentit Bujar Nishani, përmes një shkrese zyrtare, lirimin nga detyra të kundëradmiral Kristaq Gervenit. Kërkesa ishte me argumentin ka qenë shkelja e ligjit nga ana e kundëradmiralit, i cili në një takim të 170 shefave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere, të zhvilluar në Bruksel, ka mbajtur uniformën e gradës “Admiral”, ku grada “Kundëradmiral”, thuhej në letër, sipas rregullores, është ideuar me një vizë të trashë dhe një të hollë me sfond në ngjyrë të verdhë. Në kundërshtim me qëndrimin e presidentit, i cili refuzoi zëvendësimin e Gervenit, ministrja Kodheli deklaroi se dekretit të kreut të shtetit i kishte përfunduar afati, ndaj dhe zëvendësimi i Admiralit ishte në respektim të procedurave ligjore. Pavarësisht pretendimeve të kreut të shtetit për shkelje të kompetencave me këtë vendim, ministrja Kodheli kishte pohuar se nuk bëhej fjalë për shkelje të kompetencave por sipas saj Gervenit i kishte përfunduar mandati. Ndërkohë Gjykata Administrative pezulloi rreth dy javë më parë urdhrin e ministres Kodheli për shkarkimin e kundëradmiralit Kristaq Gerveni. Ky vendim do qëndrojë në fuqi derisa të përfundojë gjykimi në themel i çështjes, ku atasheu ushtarak në NATO kërkoi nga gjyqësori të shfuqizojë dhe ta konsiderojë të pavlefshëm aktin administrativ të ministres së Mbrojtjes. Marrëdhëniet mes kreut të shtetit dhe mazhorancës kanë kohë që janë të acaruara, ku përplasjet e para nisën që kur qeveria Rama që në mbledhjen e saj të parë në shtator, fill pas betimit te Presidenti, vendosi të hiqte foton e tij nga zyrat e Shtetit. Po ashtu rrëzimi i dy kandidaturave për Gjykatën e Lartë si edhe kritikat ndaj tij nga ministri i Brendshëm lidhur me çështjen e SHISH janë pjesë e këtij konflikti të hapur që vazhdon prej muajsh.

 

 

Në tregun e brendshëm/ Qeveria merr sot borxh tre miliardë lekë, shlyerja për 10 vite

 

Qeveria merr borxhin e radhës tek qytetarët e saj. Ministria e Financave bëri të ditur se sot do të zhvillohet ankandi i obligacioneve 10-vjeçare në Bankën e Shqipërisë, ku në total, qeveria do kërkojë të marrë në tregun e brendshëm 3 miliardë lekë, me synimin për t’u përqendruar në borxhin afatgjatë. Në këtë rast, borxhi do të merret me një afat të gjatë, prej 10 vitesh, ku qeveria po emeton obligacione me afat 10 vjeçar, që ofrohet në dy variante, me interes fiks dhe të ndryshueshëm. Shuma e përgjithshme për interesat fikse është 2 miliardë lekë, ku interesi i ofruar nga Ministria e Financave do të jetë 9.15% dhe do të paguhet çdo gjashtë muaj, përkatësisht në datën 25 tetor dhe 25 prill. Ndërkohë, ankandi 10 vjeçar me kupon të ndryshueshëm kërkon një shumë të përgjithshme prej 1 miliard lekësh. Kuponi do të paguhet çdo 6 muaj, përkatësisht në datën 25 tetor dhe 25 prill. Qeveria gjithmonë e më shumë po kërkon borxh në tregun e brendshëm, por ajo po përqendrohet tek borxhi me afat të gjatë, për të ulur rrezikun e ripagimit të tij. Fakt ky i vënë në dukje së fundmi dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport për Shqipërinë.

 

 

Mosdeklarimi i pasurisë/ ILDKP gjobit zv.ministrin e Mbrojtjes Hila dhe deputetin e PS-së Rakip Suli

 

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave gjobit me 50.000 lekë zv.ministrin e Mbrojtjes, Dritan Hila dhe deputetin socialist Rakip Suli për mosdeklarim të pasurisë. Pas shqyrtimit të akteve të deklarimit të interesave private të subjektit deklarues Dritan Hila, Inspektorati i Përgjithshëm konstatoi: “Në zbatim të nenit 5/1, pika 2 e ligjit nr. 9049 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, duhej të kishte paraqitur deklaratën e interesave private “Para Fillimit në Detyrë”, brenda 30 ditëve nga data emërimit në detyrë. Nga aktet e administruara rezulton që Z. Hila është emëruar në detyrën e zv.ministrit më datë 4.10.2013”. Po ashtu Inspektori i Përgjithshëm, pas shqyrtimit të akteve të deklarimit të interesave private të subjektit deklarues Rakip Suli, konstatoi që në zbatim të nenit 7, pika 3 e ligjit nr.9049, ai duhej të paraqiste deklaratën e interesave private periodike/vjetore, brenda datës 31 mars 2014. Në këtë kontekst, ILDKP thekson se në kundërshtim me kërkesat ligjore, subjektet deklaruese, zv.ministri Dritan Hila dhe deputeti socialist Rakip Suli, nuk kanë dorëzuar në këtë institucion dhe pranë strukturës përgjegjëse në institucionin e tyre deklaratat e interesave private. “Në funksion të ndjekjes së një politike ndëshkuese ndaj të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë, Inspektori i Përgjithshëm vendosi aplikimin e masës administrative me gjobë në shumën prej 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë për z. Dritan Hila dhe z. Rakip Suli, si dhe në zbatim të dispozitave ligjore vuri në dijeni institucionet eprore”, – bëri të ditur ILDKPI.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news