Florenc Drizari
Konferenca e Kryetarëve miraton ngrijen e komisionit për “drogën”/ Zgjerohet objekti i hetimit për “Ushtrinë”, Paloka: Jemi pro komisionit, Rama kërkon mbulimin e çështjes
Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka, deklaroi se opozita është pro ngritjes së komisionit hetimor lidhur me dyshimet e ngritura për implikimin e mundshëm të strukturave të FA-së në trafiqet e drogës. Në një deklaratë për mediat, Paloka propozoi edhe zgjerimin e objektit të hetimit të këtij komisioni. Deputeti i PD-së tha se komisioni që kërkon të ngrejë Rama, është një komision që synon jo hetimin, por mbulimin e çështjes. “Me komisionin Rama nuk kërkohet të hetohet trafiku i drogës, por ai kërkon të hetojë opozitën dhe kush e ka nxjerrë informacionin për këtë çështje”,- tha Paloka. Sipas deputetit të opozitës, kohët e fundit Shqipëria është vënë në shënjestër të institucioneve ndërkombëtare por edhe të shteteve fqinjë të cilët akuzojnë hapur se vendi ynë është kthyer në autostradën e trafikut të drogës. Paloka tha se në vendet fqinje nuk po kapet më vetëm kanabis nga Shqipëria, por edhe drogë e fortë si heroinë apo kokainë. “Për këto arsye, në këto kushte, ne do të kërkojmë sot në Konferencën e Kryetarëve jo një hetim si ai që kërkon Rama, që siç e thashë më lart synon mbulimin e çështjes, por ne do të kërkojmë zgjerimin e objektit të hetimit. Po ju lexoj konkretisht propozimin tonë”,-deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Konferenca e Kryetarëve
Ndërkohë, lidhur me miratimin e komisionit parlamentar për çështjen e drogës dhe implikimit të mundshëm të FA-së, u mblodh një ditë më parë edhe Konferenca e Kryetarëve, e cila futi në axhendën e punimeve të seancën se ardhshme planare këtë çështje.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë kësaj mbledhje bëri me dije se 37-të deputetë të mazhorancës kanë paraqitur një kërkesë për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, me objekt zbardhjen e plotë të fakteve dhe provave, mbi akuzat se Forcat e Armatosura dhe bazat ushtarake të saj, janë të implikuar në veprimtari kriminale të transportit të lëndëve narkotike.
Fillimisht, Edi Paloka, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së u shpreh se kjo reformë është e njëanshme dhe dëmton interesat, jo vetëm të politikës shqiptare, por edhe të vendit. “Ne si opozitë kërkojmë që zhvillimi i kësaj reforme administrative-territoriale, të mos bëhet pa pjesëmarrjen e opozitës”, deklaroi Paloka.
Në vijim të mbledhjes, Fatmir Mediu kërkoi gjetjen e konsensusit sepse sipas tij, ajo që cënon këtë bashkëpunim, është padyshim mosbesimi i krijuar midis mazhorancës dhe opozitës për ndërmarrje të përbashkëta.
“ Duhet të gjejmë gjuhën për të miratuar në mënyrë konsensuale çështje të rëndësishme. Mendoj që mos të marrim hapa që thellojnë hendekun, por të negociojmë dhe të gjejmë zgjidhjen, ku një përfaqësues i mazhorancës dhe një përfaqësues i opozitës të ulen dhe të diskutojnë elementët teknikë ose politikë për të arritur këtë konsensus”, përfundoi fjalën e tij Mediu.
Më tej, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi sqaroi se propozimi i mazhorancës ka qenë një detyrim – përcaktim dhe është pritur përtej afateve fundore të moszbatueshmërisë së vendimit që ka marrë parlamenti.
“Ne kërkojmë që kjo reformë të mos bëhet në mënyrë të njëanshme, por të bëhet me pjesëmarrjen, kontributin dhe votat e opozitës. Si rezultat i mosprezencës së opozitës, kërkojmë të zhbllokohet puna. Në çdo rast, në çdo kohë, në qoftë se opozita ndryshon qëndrimin e saj, absolutisht ky ndryshim bëhet nul dhe rikthehet vendimi siç ishte. Pra me barazi në përbërje, me barazi në vendimmarrje në të gjitha ndryshimet. Meqenëse afati i këtij vendimi në parlament për komision ka përfunduar, propozojmë që të shtohet afati”- tha Ruci. Një tejtër çështje e debatuar në Konferencën Kryetarëve ishte edhe ndryshimi i përbërjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale. Për këtë çështje nuk pati konsensus mes pozitës dhe opozitës dhe këto ndryshime pritet të votohen në seancën plenarë të së enjtes.
Propozimet e opozitës për komisionin hetimor:
Në pikë 1 të kërkesës ne kërkojmë këtë ndryshim; ngritjen e komisionit hetimor me kërkesë të një grupi deputetësh për verifikimin e fakteve dhe rrethanave të bëra publike për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së Forcave të Armatosura nga narkotrafikantët.
Pika dy; objekti i veprimtarisë së komisionit hetimor është verifikimi i të dhënave për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së Forcave të Armatosura nga narkotrafikantët. Roli i funksionarëve publik dhe masat e marra nga organet e pushtetit ekzekutiv përballë këtyre fakteve në vijim të informacioneve zyrtare të përcjella nga strukturat përgjegjëse. Si dhe pika 3, që ka të bëjë me administrimin dhe me ngritjen e komisionit.
Mblidhet Konferenca e Kyetarëve, s’ka konsensus PS-PD për reformën territoriale
Konferenca e Kryetarëve miratoi dje kërkesën e kreut të grupit të PS-së për ndryshimin e përbërjes së komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale. Ndryshimet e PS-së prekin reduktimin e anëtarëve të opozitës në komision, duke i hequr asaj barazinë e votës. Në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, ishin të pranishëm kyetarit të Kuvendit Ilir Meta, kryetarët e grupeve parlamentare, kryetarët e komisioneve të përhershme, si dhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi. Në rend të ditës u diskutua për projektvendimin e paraqitur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, lidhur me ndryshimin e vendimit nr.1, 2014 të Kuvendit, për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën administrative-territoriale në Republikën e Shqipërisë. Meta u shpreh se vendimi i Kuvendit është miratuar më datë 23 janar të vitit 2014-të, i cili nuk ka funksionuar për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës. Komisioni përfundon afatin më datë 23 prill dhe grupi parlamentar i PS ka marrë iniciativën dhe kërkon që ky projektvendim i depozituar të futet në rendin e ditës për tu miratuar në seancën plenare të datës 24 prill.




