Ish-Kryeministri Sali Berisha u shpreh mbrëmjen e sotme se kryetari i PD-së, Lulzim Basha, një nga gjërat më pozitive që ka është se nuk tentoi të më imitojë, duke shtuar se imitimet janë jo të frutshme.
Berisha tha se opozita duhet të analizojë mirë protestën, ajo ka mesazhin e saj të fuqishëm. “Kjo opozitë duhet të kombinojë të gjitha format, gjer në diversitetin e formave të mosbindjes civile, manuali parashikon 52 forma”, tha Berisha. Sipas tij, rrugët dhe sheshet e Shqipërisë duhet të ziejnë nga protestat.
Në vijim, referuar një analize të botuar në një bloger të njohur Berisha tha se 3 mesazhe jepte analisti: hedhja në erë e reformës në drejtësi, kanabizimi dhe intimidimi i gazetarëve. Në këtë kuadër, Berisha tha se kjo është PR-ja më e tmerrshme për Tiranën zyrtare në botë.
Lidhur me mbështetjen që ka sot Rama nga ndërkombëtarët, Berisha tha se nëse ai do të kishte mbështetje, do ishin hapur negociatat dy vjet më parë.
“Ka shumë gjëra që ndërkombëtarët ti thonë publikisht dhe ka gjëra që nuk ti thonë publikisht. A do e nxjerrim Shqipërinë nga kjo spirale e tmerrshme? Largimi i Edi Ramës. Kur qeveria tejkalon çdo vijë të kuqe, kur Kryeministri mbron Sajmir Tahirin, për të gjithë botën do të thotë se je vetë i implikuar.
Po ua them se na kanë thënë se hapja e negociatave kushtëzohet me çështjen Tahiri. Rama bllokoi drejtësinë, nëse do e kishte lënë pa imunitet do i lante duart. Këtu Rama morri direkt përgjegjësi”, tha Berisha.




