Besimtarët e krishterë kremtuan në fundjavë festën e Pashkëve, ditën e ringjalljes së Krishtit. Mesnatën e së shtunës qindra e mijëra mesimtar në të gjithë vendin, u mblodhën duke festuar festën e ringjalljes që ketë vit mblodhi bashkë katolikët dhe ortodoksët në një datë. Bisimtarëve të krishterë iu bashkuan edhe vizitat e politikanëve në kisha të ndryshme të vendit, duke lëshuar mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u uroi Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolikë dhe ortodoksë shqiptarë kudo që ndodhen. Në mesazhin drejtuar besimtarëve, Kreu i shtetit thekson se kjo është dita kur ringjallet shpresa, ndihet më i plotë gëzimi dhe harmonia mes njëri- tjetrit.
“Me rastin e festës së Pashkëve, në vlerën shpresëdhënëse të së cilës besojnë të gjithë të krishterët dhe jo vetëm, ju uroj të gjithëve të jetoni në familje dhe në shoqëri paqen dhe mirësinë që rrezaton kjo e kremte!”,-deklaroi Nishani.
Ndryshe nga përfaqësuesit e tjetë të politikës shqiptare, Kryeministri, Edi Rama kremtimin e Pashkës e ndoqi nga Katedralja e Korçës, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe zv.kryeminsitri Niko Peleshi. Gjithashtu Rama ka shkuar në Kishën e Mitropolisë ku pas ritit të zakonshëm, ka takuar edhe mitropolitin, Imzot Johani. Prej aty, zëvendëskryeministri Niko Peleshi uroi besimtarët për Pashkët, duke thënë se mesazhi i ringjalljes është aktual dhe se Shqipëria nevojë të rilindë.
Gjatë vizitës së tij në Katedralen Ortodokse në Tiranë, kreu i Kuvendit Ilir Meta i cili shoqërohej nga zonja e tij dhe njëherazi deputete e Kuvendit, Monika Kryemadhi, përcolli mesazhe urimi për të gjithë besimtarët e krishterë.
Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, uroi besimtaret e krishterë nga Katedalja Ortodokse në Tiranë. “Në këtë ditë kremtimi të ringjalljes hyjnore, dua t’ju uroj të gjithë besimtarve të krishterë, vllezërve dhe motrave tona, anembanë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare, Gëzuar Pashkët! mirësi dhe mbarësi, sjelltë zoti për ju dhe familjet tuaja”, -tha Basha. Ai theksoi gjithashtu se “Dua të falenderoj nga zemra të gjithë famullitarët, priftërinjtë dhe pastorët, për përkushtimin dhe dashurinë me të cilën u shërbejnë besimtarve, u shërbejnë kishave dhe Zotit dhe përfitoj nga ky rast, të bëj thirrje “për më shumë përgjegjëshmëri, më shumë dhembshuri më shumë solidaritet për të gjithë ne, në mënyrë që të punojmë për një të ardhme me të mire, që është dhe mesazhi i shpresës dhe i besimit”
Bujar Nishani
“Festa e Pashkëve, duke na forcuar edhe më shumë besimin dhe dëshirën për mirësi, na shtyn të gjithëve, besimtarë ortodoksë apo jo, të rigjallërojmë shpresën dhe forcën për të qenë ashtu si na e kërkon vetë dita e shënuar e Pashkëve. Dita e Ringjalljes na ndihmoftë të gjithëve për të besuar edhe më shumë tek e mira, për të qenë të prirur ndaj bashkëjetesës së harmonishme!
Sivjet ne kemi sfidën e madhe për t’iu afruar edhe më shumë familjes europiane. Kjo sfidë varet më së shumti nga mirëkuptimi që do të jemi të zotë të realizojmë midis nesh dhe nga dëshira për të pasur një vështrim më të kthjelltë mbi të nesërmen. Të besosh tek e mira, te shpresa, te paqja dhe te jeta më e mirë, është oguri më i natyrshëm në këtë festë. Dhe ne meritojnë edhe shpresën, edhe jetën më të mirë. Gëzuar Festën e Pashkëve!” – theksohet në mesazhin e urimit të Presidenti Nishani.
Lulzim Basha
“Të gjithë besimtarëve katolikë u uroj nga zemra “Gëzuar Pashkët!”. Jam shumë i lumtur që në këtë Pashkë, besimtarët katolikë morën një dhuratë kaq të bukur, shqiptarët morën një dhuratë kaq të bukur me xhestin kuptimplotë të Papës Francesku i cili hodhi mbi supe flamurin arbëror të Gjergj Kastriot Skënderbeut, flamurin shqiptar, duke vlerësuar kontributet e jashtëzakonshme të të krishterëve shqiptarë, të Klerit shqiptar të martirizuar ndër shekuj e në veçanti gjatë periudhës së ndalimit kriminal të besimit fetar në Shqipëri, të regjimit komunist, duke nderuar kontributin e shenjtëve të Kishës Katolike, të Nënë Terezës por gjithashtu kontributin e heshtur të dhjetëra e qindra famullitarëve, priftërinjve, klerikëve që u shërbejnë besimtarëve të krishterë, i shërbejnë Kishës, i shërbejnë shoqërisë, u shërbejnë të paprivilegjuarve.
Falënderimet e mia shkojnë për të gjithë ata që me përkushtim e përgjegjësi bëjnë të mundur që në ditë si kjo e ringjalljes së shpresës, t’u ringjallin sa më shumë shpresën dhe besimin njerëzve në nevojë dhe gjithë shoqërisë se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja. Gëzuar Pashkët!”
Papa Françesk: Të mundim urinë, fund luftrave
Papa Françesk kritikoi në mesazhin e tij për Pashkët dhunën në zonat e konfliktit në Siri dhe në Ukrainë dhe kërkoi paqe dhe dashuri për tjetrin. “Ne të lutemi ty, Jezu i lavdishëm, bëj që të pushojnë të gjitha luftërat, çdo armiqësi e madhe ose e vogël, e vjetër ose e re”, tha ai sot (20.04.2014) para rreth 150.000 besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit të zbukuruar në mënyrë festive. Veç kësaj Papa u shpreh kundër dhunës dhe shpërdorimit në botë, përpara se të shqiptonte në llozhën e Katedrales së Shën Pjetrit bekimin tradicional “Urbi et Orbi”.
Nën diellin që shkëlqente në Romë, Papa bëri thirrje disa herë që t’i jepet fund dhunës. “Për të gjithë popujt e botës, ne të lutemi ty, o Zot: ti, që e mposhte vdekjen, na dhuro jetën tënde, na dhuro paqen tënde.” Kreu i Kishës Katolike dënoi situatën në disa zona konflikti si Iraku, Nigeria, Sudani i Jugut, Republika e Afrikës Qendrore dhe Venezuela.
Ukrainës ai i uron një të ardhme “në frymën e unitetit dhe të dialogut”. Në Siri, palët duhet të marrin “guximin, që të negociojnë për paqen, e cila pritet prej shumë kohësh.”
Më parë Papa pati kremtuar me besimtarët Meshën tradicionale të Pashkëve për Ringjalljen e Krishtit. Pas kësaj, ai udhëtoi me makinë disa herë në Sheshin e Shën Pjetrit, përshëndeti pelegrinët dhe u shtrëngoi duart. Bekimin “Urbi et Orbi” – Qytetit dhe Rruzullit- e ndoqën miliona vetë në të gjithë botën përmes televizionit dhe internetit. Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit Papa hoqi dorë nga përshëndetjet e zakonshme për Pashkët në disa dyzina gjuhësh. Në vend të kësaj, ai u uroi njerëzve në italisht “një drekë të mirë” dhe Pashkë të Gëzuara.
Urojnë krerët e krishterë
Imzot Rrok Mirdita dhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos uruan sot besimtarët e tyre për festën e Pashkëve.
“Festojmë sot fitoren e Zotit. I themi çdo burri dhe çdo gruaje në Shqipëri mos kini frikë. Krishti i ringjallur i mbushtë me shpresë jetët e gjithë secilit”, tha Imzot Rrok Mirdita në mesazhin e tij
Duke uruar gëzuar Janullatos u shpreh: “Lindja e Krishtit është e mbushur me dritë të shkëlqyer, rrezaton valë drite në të gjitha drejtimet e botës. Këtë dritë ftohemi ta marrim në thellësinë e qënies sonë. Të shohim mendjen, fytyrën e zemrat tona, që shpesh pushtohen nga melankolia dhe zemërimi. Vëllezër e motra, Krishti u ngjall. Gëzuar!”.




