Gëzim Saliu
Takimet me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm turk, bashkëpunim për turizmin, infrastrukturën dhe bujqësinë. Diskutimet për TAP dhe NATO-n. Erdogan së shpejti në Shqipëri
Shqipëria dhe Turqia do të institucionalizojnë marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet një Këshilli të Nivelit të Lartë, si instrument për të strukturuar bashkëpunimin në fusha të rëndësishme si, politika e jashtme, bashkëpunimi ndërkombëtar, drejtësia, çështjet e sigurisë, mbrojtja, ekonomia, energjia, mbrojtja e mjedisit, kultura, arsimi dhe shkenca. Ky ishte hapi i parë konkret që u ndërmor dje në takimin që ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi me homologun turk, Ahmed Davutoglu, në Ankara në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Krahas sektorëve tradicionalë, si: infrastruktura dhe energjia, palët shkëmbyen mendime mbi zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, turizmit, kulturës dhe arsimit. “Falënderova qeverinë turke, në emër të qeverisë shqiptare, për përpjekjet e dëshmuara në funksion të jetësimit të projektit TAP, si një projekt i një rëndësie strategjike, i cili do të mundësojë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe të gazit në Evropë dhe, mbi të gjitha, do t’i japë një kuptim më të madh paqes e stabilitetit rajonal, duke lidhur Kaspikun me Adriatikun”, – u shpreh ministri Bushati, duke pohuar interesin e qeverisë për shtimin e investimeve turke në vendin si dhe siguruar njëkohësisht se Shqipëria ofron një klimë të sigurt për nxitjen e investimeve turke, nëpërmjet një kuadri ligjor të kompletuar që garanton mbarëvajtjen e tyre. Nga ana e tij, ministri Davutoglu ofroi mbështetjen e Republikës së Turqisë në të gjitha fushat e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë. Po ashtu, të dy ministrat vlerësuan bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe të gjitha projektet e përbashkëta ku, sot për sot, ushtria shqiptare është krahas ushtrisë turke. Ata nënvizuan se të dyja vendet ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështje me ndjeshmëri rajonale, sikundër është përfshirja e Kosovës në të gjitha proceset e bashkëpunimit rajonal, nën dritën dhe frymën e marrëveshjes së Brukselit, të arritur me ndërmjetësimin e BE-së. Gjatë takimit u shpreh pikëpamja e qeverisë shqiptare që presidenca e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që do të mbahet nga Shqipëria duke filluar nga qershori i këtij viti, do të punojë për konsolidimin e gjithë përfshirjes dhe pjesëmarrjes së të gjitha vendeve të rajonit në një tryezë.
Takimi me Erdoganin
Në vijim të vizitës që zhvilloi në Turqi, ministri i Punëve të Jashtme, u prit po ashtu edhe nga Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan. Gjatë takimit bashkëbiseduesit shprehën vlerësime për punën e kryer drejt thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Erdogan dhe Bushati ranë dakord për zbatimin e projekteve konkrete në fushat e infrastrukturës, bujqësisë dhe turizmit, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në punësimin dhe përmirësimin e situatës ekonomike. Ministri Bushati informoi Kryeministrin turk për zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe parashtroi pikëpamjet e qeverisë për nxitjen e projekteve strategjike në rajon, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar. Nga ana e tij Erdogan shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të Turqisë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, nëpërmjet projekteve konkrete, në kuadër të angazhimeve të Turqisë në rajon. Gjithashtu në takim, ai pohoi dëshirën për të vizituar Shqipërinë në një moment shumë të afërt.
Partneriteti me Turqinë
Në takimin që Kryeministri Rama zhvilloi në Ankara në muajin gusht, u shpreh se Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë me të cilën qeveria e tij do të nisë një bashkëpunim intensiv të panjohur më parë. Po ashtu, takimi i dytë mes palëve erdhi në përurimin e aeroportit të Prishtinës së bashku me Kryeministrin Thaçi, ku krahas angazhimeve për bashkëpunim të thelluar mes tri vendeve, debat në media e publik hasën deklarata e Kryeministrit turk si edhe ato të dy krerëve të qeverive të Shqipërisë e Kosovës. Thëniet e Erdoganit se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, ato të Ramës e Thaçit të cilët iu drejtuan Kryeministrit turk me termin “vëlla” apo edhe ulja këmbëkryq në një odë të Prizrenit u komentuan gjerë nga opinioni publik.
Takimi/ Rama: Sequi, diplomat i rafinuar dhe një mik i sinqertë i Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, në kuadër të mbylljes së detyrës nga ky i fundit në Shqipëri. “Sot mbylli detyrën në Shqipëri ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, një diplomat i rafinuar dhe një mik i sinqertë i Shqipërisë”, – shkruante Rama në rrjetin social “Facebook”. Duke i uruar “udhë të mbarë Ettore Sequi”, Rama shprehet se “nga nesër do të shërbejë si drejtori i kabinetit të ministres së Jashtme të Italisë, Federica Mogherini”. Po ashtu ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti dje ambasadorin Sequi, me rastin e lënies së detyrës së tij në Shqipëri. Duke i uruar suksese në detyrën e re, ministrja shprehu keqardhjen për mbylljen e misionit të Sequit në vend duke vlerësuar kontributin e ambasadorit të BE-së dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në lidhje me procesin e integrimit. “Z. Sequi ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe ka ndihmuar Shqipërinë, nisur edhe nga fakti që vjen nga një vend mik si Italia. Me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, ai ka qenë gjithmonë në krah të shqiptare, lidhur me axhendën e integrimit”, – u shpreh Gjosha. Nga ana e tij, Sequi theksoi se puna në vend ka qenë një nder i madh për të duke nënvizuar se Shqipëria po ecën me ritme mjaft të mira në rrugëtimin e saj në BE. Ai inkurajoi Ministren për të vijuar punën e saj, si pjesë e qeverisë e cila është angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet e saj. Ambasadori i BE-së theksoi gjithashtu se edhe në pozicionin e ri do të vijojë të punojë për Shqipërinë.




