Zidan, zëvendësuesi i Ranierit te Monakoja?

Zinedine-ZidaneKlaudio Ranieri do të largohet nga Monakoja dhe Zinedin Zidane do të zërë vendin e tij në stolin e klubit. Ky është lajmi bombastik që përcjell prestigjiozja franceze “L’Equipe”. Sipas saj, Klaudio Ranieri me shumë mundësi nuk do të jetë më trajner i klubit të Principatës sezonin e ardhshëm. Rezultatet e deritanishme janë poshtë pritshmërive të presidentit rus Dimitri Rybolovlev, por mbi të gjitha mënyra e trajnimit që zbaton tekniku italian është ajo që nuk u pëlqen aspak drejtuesve, por edhe vetë futbollistëve të Monakos. Të gjithë zërat të çojnë te fakti se zëvendësuesi i Ranierit te skuadra franceze do të jetë as më pak e as më shumë, por vetë ish-futbollisti i famshëm Zinedin Zidan. Ish-kampioni i botës me Francën në 1998, aktualisht mban postin e zëvendësit të Karlo Ançelotit në pankinën e Realit e Madridit dhe e ka ushtruar këtë pozicion edhe gjatë viteve që merenguesit drejtoheshin nga Hoze Murinjo. Zizu, falë edhe një karriere të mrekullueshme, është kthyer në simbolin e futbollit francez dhe sipas drejtuesve të Monakos, do të ishte zëvendësuesi i përkryer i ish-trajnerit të Interit, për ta kthyer klubin e Principatës në skuadrën numër 1 në Francë.

Martino dhe dështimi Barcelonës/  Tekniku argjentinas është shprehur se ekipi katalanas nuk po kalon një moment të mirë

 Por çfarë do të ndodhë me Barcelonën, që gjendet në krizë për momentin dhe rrezikon të mbetet pa asnjë trofe

 Probleme për Barcelonën. Eliminimi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve pas 7 vitesh që ekipi kualifikohej të paktën deri në gjysmëfinalet e kompeticionit rëndon shumë në shtëpinë e Barcelonës. Trajneri Tata Martino e cilësoi një dështim të vërtetë largimin e skuadrës së tij nga Atletiko e Madridit në këtë fazë të turneut më prestigjioz për klube. 4 ndeshjet e mëparshme midis këtyre dy skuadrave këtë sezon kishin përfunduar në barazim dhe trajneri argjentinas për t’u ulur disi dozën e dështimit të ekipit të tij theksoi se edhe sfida e fituar 1-0 nga “Los Cholconeros” ishte e ngjashme me 4 të parat. “Të pesta takimet rrodhën pothuajse në të njëjtën mënyrë. Edhe pse këtë herë kishte një fitues diferencat mes dy skuadrave ishin të vogla, për të mos thënë se nuk ekzistonin aspak. Ndryshimi i vetëm në këtë sfidë ishte se ata luajtën me më shumë intensitet në minutat e para dhe shënuan”. I pyetur për stilin e lojës dhe për mundësitë që Barcelona të kopjojë disa aspekte pozitive të Atletikos, Martino u përgjigj kështu: “Nuk ka asnjë mundësi që Barcelona të mësojë gjëra pozitive nga Atletikoja, pasi janë dy skuadra diametralisht të ndryshme. Mënyra sesi ne i përgatisim ndeshjet është e ndryshme nga ata. Ne nuk mund të luajmë kurrë në të njëjtën mënyrë me ta, pasi nëse duam të kemi sukses, duhet të bëjmë atë që ka bërë kjo skuadër në 15 vitet e fundit”. Lionel Mesi në “Vincente Calderon” zhvilloi në nga paraqitjet e tij më të dobëta, por Tata nuk deshi të përqendrohej te individët e veçantë, por te loja që e zhvilloi e gjithë skuadra. “Unë analizoj lojën e ekipit dhe jo të individit. Nëse çdo futbollist funksionon më mirë në nivel kolektiv, aq më shumë e ndihmon skuadrën”. Eliminimi nuk la një shije të mirë as te mesfushori i blaugranave Andres Iniesta, i cili u kap me trajnerin e tij teksa theksoi se u surprizua jashtë mase kur pa tabelën elektronike që shfaqte numrin e tij për të lënë tapetin e gjelbër të “Vincente Calderon”. Megjithatë, mesfushori spanjoll shtoi se kjo ishte zgjedhja e teknikut dhe nuk duhet polemizuar me të.

 

 

Iniesta: E merituam humbjen

Andres Iniesta ka deklaruar se ekipi i tij e meritoi humbjen nga Atletiko Madridi. Katalanasit pësuan disfatë me rezultat 1-0 në “Vicente Calderon” për t’u eliminuar nga Liga e Kampioneve dhe sipas Iniestës, kjo ishte shumë e merituar për katalanasit. “Atletiko e meritoi që të shkonte tutje, sepse ata shfrytëzuan rastet e tyre. Në 20 minutat e para, ata bënë presion dhe arritën epërsinë. Ne tentuam të shënonim deri në fund të ndeshjes. Liga e Kampioneve është një kompeticion i rëndësishëm dhe është mëkat që nuk arritëm gjysmëfinalen. Nuk ka shumë ndeshje në kampionat dhe për të fituar titullin duhet t’i fitojmë të gjitha sfidat”, – ka deklaruar Iniesta.

 

 

El Sharaui rikthehet në skuadër

Fitorja kundër Xhenoas shtron të tjerë objektiva në të ardhmen e kuqezinjve, që ndjekin gjithnjë e më tepër vendin e pestë që vlen hyrjen në Europa League. Lajme të mira për Klarens Sedorfin, Stefan el Sharaui ka marrë pjesë bashkë me grupin në një pjesë të seancës duke filluar punën me topin. Janë hapa të rëndësishëm drejt rikuperimit që i japin optimizëm dhe moral sulmuesit të ri, që u shfaq në humor duke shkëmbyer batuta mbi të gjitha me mikun e tij Mario Baloteli. Nuk ndodhi e njëjta gjë me Petanjën dhe Esienin që zhvilluan ushtrime specifike të veçuara, ndërsa vijon programin e rikuperimit edhe Muntari. Kundër Katanias të dielën në mbrëmje, Sedorf do të rigjejë Abaten në mbrojtje, aty ku pritet të rikthehet në qendër Bonera edhe pse dyshja Rami-Mekses po luan mirë duke iu përgjigjur plotësisht kërkesave të trajnerit holandez.

Siti – Liverpul, një biletë kushton 6 mijë euro

Çmenduri ndodhin sa herë që behet fjalë për futbollin në Angli. Tifozët e Liverpulit, të cilët duan me çdo kusht që të mos e humbasin ndeshjen më të rëndësishme të sezonit në Premier League, gjatë 24 viteve të fundit, do të paguajnë deri në 5000 paund, afërsisht 6000 euro, për një vend në tribunën e “Anfield Road”. Dueli me Mançester Sitin këtë të diel do të vendosë shumë për fatin e kampiones së ardhshme të Premier League-s dhe tifozët e “The Reds” kanë vendosur ta shfrytëzojnë këtë fakt. Ata po i nxjerrin biletat e tyre në shitje online. Një biletë normale që kushton 52 paund, online i ka shkuar çmimi në 2.452 paund. Abonimi vjetor i një tifozi të Liverpulit kushton vetëm 710 paund, ndërsa bileta më e lirë për të ndjekur ndeshjen pas porte ka shkuar në 795 paund, 85 paund më shumë se aboneja. Klubi u kërkoi tifozëve që të jenë të kujdesshëm dhe të blejnë bileta vetëm në rrugë zyrtare, sepse do të pengohet çdokush që do tentojë të hyjë me abone të marrë me qira vetëm për këtë ndeshje.

Share it :