Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi në studion e Report Tv se vota e Shqipërisë kundër SHBA për Jeruzalemin krijon probleme jo të vogla në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në emisionin ‘Repolitix’ të gazetarit Denis Minga, Mediu tha se kryeministri Edi Rama duhet të kishte marrë mendimin e Presidentit Ilir Meta për këtë vendim. Më tej, ai kujtoi ndikimin e madh të Rusisë në Ballkan, duke thënë se për këtë Shqipëria do të jetë më e qartë me partnerët e saj.
“Duhej mendimi i Presidentit Meta. Sot Meta i ka çuar një letër Trump, ku ka theksuar se është një qëndrim i njëanshëm. Këto krijojnë probleme jo të vogla në marrëdhëniet mes dy vendeve. Nuk besoja se Shqipëria do të merrte një hap të tillë. Maksimalisht duhet të kishte një qëndrim abstenues. Pesha e Rusisë në Ballkan është jashtëzakonisht e madhe, për më tepër marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë krijojnë pikëpyetje të tjera. Ndaj dhe Shqipëria duhet të tregojë kush janë partnerët”, tha Mediu.





