Protesta e opozitës / Basha: Më 20 shkurt shkundim qeverinë, marshim kundër mashtrimit

Gëzim Saliu

Kryedemokrati në Kavajë: PD, më e hapur se kurrë ndaj kontribuuesve dhe gjakut të ri

 “Dyshja Rama-Meta po kërkojnë t’i ikin parimit të paluajtshëm të konsensusit për reformën administrative, që është njëkohësisht reformë e decentralizimit dhe reformë elektorale”

 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bëri thirrje dje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të bashkohen me protestën e opozitës më 20 shkurt si shenjë e kundërshtimit ndaj mashtrimeve elektorale të mazhorancës qeverisëse. Nga qyteti i Kavajës, ku zhvilloi një takim me anëtarët e PD-së, kryedemokrati theksoi se protesta paqësore e opozitës është një thirrje për të gjithë brezat që të ngrihen kundër paligjshmërisë, arbitraritetit, mashtrimit dhe papërgjegjshmërisë së treguar nga qeveria e majtë. “Marshimi i përkujtimit dhe protestës është thirrur nga Partia Demokratike, nga opozita dhe do të drejtohet prej nesh. Do të jetë një marshim proteste paqësor, por do të jetë një manifestim i fuqishëm i shpirtit të lirë dhe demokratik të qytetarëve shqiptarë, 23 vjet pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës që ishte vetë emri dhe mbiemri i diktaturës, shtypjes, izolimit, mjerimit dhe mashtrimit të shqiptarëve për gjysmë shekulli. Nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e di se çfarë përfaqëson 20 shkurti në historinë e demokracisë sonë të re. Askush nuk e kishte imagjinuar sa larg do të shkonte kundërvënia e tij kundër ligjit, Kushtetutës, institucioneve të pavarura, opozitës, qytetarëve, jetës dhe pronës së tyre. Dhe kemi arsye të plota të presim surpriza të tjera të rënda nga ky Kryeministër, në qoftë se nuk ngrihemi në këmbë për ta ndaluar, për t’i treguar forcën vendimtare të opozitës dhe popullit të lirë, forcën vendimtare të popullit të lirë që nuk pranon të lëshojë asnjë milimetër nga arritjet e tij demokratike, që nuk pranon asnjë sekondë të qeveriset pa ligjin demokratik, qytetarëve të lirë që do të çohen dhe për ta detyruar atë dhe qeverinë e tij të kthehen në binarët e ligjit ose të ikin”, – tha Basha. Në këtë kontekst, kreu i PD-së theksoi se marshimi protestë i 20 shkurtit kërkon: “Të shkundim qeverinë, të bëjmë detyrën si qytetarë të civilizuar për të ndalur të keqen, për të evituar humnerën, me fuqinë e bashkimit, me zërin e lirë, të njerëzve të lirë dhe me Partinë Demokratike në krye”.

Partia Demokratike

Në fjalën e tij para anëtarëve të PD-së së qytetit të Kavajës, lideri i opozitës tha se asnjë parti në Shqipëri nuk ka konkurruar e nuk konkurron dot me forcën që ai drejton për sa i përket impaktit në përparimin dhe integrimin evropianoperëndimor të vendit. Sipas Bashës, bashkimi dhe ribashkimi i të gjitha kontributeve historike të PD-së, përtëritja, hapja dhe rinimi i vazhdueshëm i gjakut të ri me vizione të reja do të sjellë fillimin e ri për demokracinë e re shqiptare. “Krahëhapur po vjen rinia e Shqipërisë në PD. Krahëhapur i presim e duhet t’i presim ne demokratët. Krahëhapur – kjo është fjala që duhet ta shohim të gdhendur në dyert e hapura të partisë sonë për brezin e ri dhe për çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë për vendin, duke qenë pjesë e Partisë Demokratike. Partia Demokratike po përjeton një ngjarje frymëzuese; bashkimin dhe ribashkimin e radhëve të saj, me hapjen e saj, me afrimin e fuqishëm të brezit të ri drejt saj”, – deklaroi ai. Në këtë kontekst, kryetari i demokratëve pohoi se sa më shumë rritet arroganca dhe arbitraritetit i qeverisë, aq më shumë bashkohet PD. Sipas Bashës, qeveria goditi ligjin konsensual “Për nëpunësin civil” dhe kërkon t’i ikë konsensusit për reformën territoriale. “Dje dhe pardje, arroganca e tij kronike dha goditjet e radhës në atë që është e duhet të jetë panteoni i konsensusit si vlerë. Nuk e kemi të pasur këtë panteon, por Rama-Meta, në vend që të lënë gjurmën e tyre duke e pasuruar, i janë futur ta shkallmojnë edhe atë që kemi. Po shkallmojnë ligjin konsensual për nëpunësin civil. Po kërkojnë t’i ikin parimit të paluajtshëm të konsensusit për reformën administrative, që është njëkohësisht reformë e decentralizimit dhe reformë elektorale”, – theksoi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

 

 Ndryshimi në ligj

PD: Rama shkeli Kushtetutën me “Nëpunësin”, po shkatërron administratën

“Projektligji i qeverisë cenon të drejtat e fituara me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”

Partia Demokratike akuzoi dje qeverinë se po shkatërron administratën publike dhe konsensusin mes palëve për ligjin e “Nëpunësit civil”. Përmes deputetit Oerd Bylykbashi, PD akuzoi Kryeministrin se ka miratuar në fshehtësi e pa asnjë konsultim një projektligj, i cili kërkon të anulojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Kryeministri nuk heq dorë nga qëllimi i tij antikushtetues për të zhbërë me çdo kusht administratën publike dhe për ta mbushur atë me militantë socialistë. Qeveria e tij sapo ka miratuar në fshehtësi e pa asnjë konsultim një projektligj, i cili kërkon të anulojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky projektligj është antikonsensus, sepse jo vetëm është gatuar pa asnjë konsultim publik dhe pa opozitën, por ai po ndryshon tashmë edhe vetë ligjin që u bë me konsensus një vit më parë. Me këtë akt, duke prishur një konsensus historik në të shkuarën, Kryeministri po i vë minat përsëri konsensusit politik për të ardhmen. Ky projektligj është antireformë. Ai shkon kundër kërkesës së Komisionit Evropian që reforma e miratuar në maj 2013 të zbatohet me shpejtësi”, – tha Bylykbashi. Sipas tij, projektligji i qeverisë është antireformë jo vetëm sepse kërkon të shtyjë përsëri hyrjen në fuqi të ligjit, por theksoi ai, edhe se prish standardet e ligjit të hartuar me ekspertizë dhe asistencë të BE-së dhe të miratuar me konsensus më 30 maj 2013. “Qëllimi i vetëm është që të kenë dorë të lirë në militantizmin e saj. Ky projektligj është antikushtetues dhe antiligj. Ai cenon të drejtat e fituara tashmë edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të drejtat e mijëra nëpunësve të larguar dhe të mijëra të tjerëve që presin me ankth të largohen”, – u shpreh deputeti i PD-së. Më tej, Bylykbashi theksoi se qeveria po mban peng hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se akuzon opozitën për mos konsensus për t’u justifikuar. “Kjo është dhe dhunim i Kushtetutës që detyron botimin. Tashmë, ra alibia se mungonin aktet nënligjore ndaj dhe duhej shtyrë ligji. Ndryshimet e reja do ta shtyjnë akoma më tej miratimin e këtyre akteve nënligjore. Ndërkohë asnjë akt nënligjor nuk është miratuar deri më tani, ndonëse premtuan se do t’i miratonin deri në janar. Opozita nuk bëhet pjesë e konsultimeve farsë, për t’i vënë vulën e njomë çorbës që ka gatuar Kryeministri”, – përfundoi deklaratën e tij ligjvënësi demokrat Oerd Bylykbashi.

 

box

Itinerari i protestës

 

Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj ka nisur përgatitjet për protestën e 20 shkurtit. Dy ditë më parë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, bëri të ditur detaje nga itinerari që do të ndjekë protesta e opozitës, ku theksoi se më 20 shkurt marshimi do të shtrihet para Kuvendit dhe Kryeministrisë. Marshimi-protestë do të nisë tek vendi ku ka qenë monumenti i Enver Hoxhës që u rrëzua më 1991 dhe do të vijojë para Kuvendit e më pas përpara Kryeministrisë. Po ashtu, ditën e djeshme në Kavajë, kryedemokrati pohoi se marshimi është thirrur nga Partia Demokratike, nga opozita dhe do të drejtohet prej saj. “Do të jetë një marshim proteste paqësor”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :