Problem lëvizja e qytetarëve/ Vazhdojnë protestat e furgonëve, bllokohet lëvizja në kryeqytet, 24 orë pa autobusë

Protestuesit: Do të bllokojmë rrugët, nëse nuk anulohet vendimi i qeverisë

 Tirana pa autobusë, Bashkia: Qeveria nuk po dëgjon zërin e qytetarëve

 

urbanShoferët e furgonëve janë gati të bllokojnë rrugët, nëse qeveria nuk anulon vendimin për të ndalur transportit ndërqytetës. Në ditën e 8-të të protestës shoferët kanë ndalur në segmente rrugësh ose në qendër të qyteteve, duke kërcënuar se do të marrin masa ekstreme. “Nuk kemi mënyrë tjetër për të jetuar, unë s’mund të shkoj në Tiranë me pasagjer dhe të kthehem bosh, ndryshe jam i falimentuar”, – u shpreh një prej shoferëve nga Korça. Ndërkohë që janë zhvilluar protestat, qindra qytetarë janë gjendur të bllokuar në stacionet ku presin çdo ditë furgonin. Në Tiranë dhe në shumë qytete të tjera, pasagjerët e zakonshëm janë detyruar të marrin taksi 4+1. Sipas qytetarëve, për të shkuar në Vlorë me furgon duhen 2 orë e 10 minuta, ndërsa me autobus duhen të udhëtojnë plot 4 orë. Në protestat e djeshme janë bashkuar edhe shoferët nga Lushnja, Kukësi, Pogradeci dhe shumë qytete të tjera, të cilët ngelen pa punë, nëse qeveria bllokon lëvizjen e transportit ndërqytetës me furgonë.

 

Protestë për biletat

Dhjetëra të rinj dhe shoqëria civile kanë zhvilluar ditën e djeshme, pranë Ministrisë së Transporteve, një protestë kundër rritjes së çmimit të biletave për urbanët. “Ne kërkojmë që për shumë kategori në nevojë ky transport të bëhet falas. Të papunët, pjesët e familjeve në nevojë, studentët duhet ta përfitojnë këtë shërbim falas. Ne kërkojmë cilësi të shërbimit. Ky që kemi, nuk është transport publik cilësor, nuk është i shpejtë, njerëzit shtypen, vidhen dhe përplasen në urbanet tona”, – u shprehën protestuesit. ”Të mos rritet çmimi i biletës. Dakord, sot veteranët dhe invalidët e përfitojnë këtë shërbim, por jo, kaq nuk mjafton, duhen edhe kategori të tjera: të papunët, pjesëtarët e familjeve në nevojë, studentë, dëgjojmë pronarët që thonë dalim me humbje. E pse duhet t’i besojmë kaq thjesht ne ata? Duam transparencë për koston”, – tha Jani Marku, përfaqësues i shoqërisë civile.

 

Bashkia

Po dje, ka reaguar dhe Bashkia e Tiranës, e cila e ka konsideruar qeverinë si institucionin që nuk dëgjon qytetarët. “Qeveria vazhdon të heshtë dhe të mos marrë përgjegjësitë që i takojnë përballë qytetarëve dhe Shoqatës së Transportit Urban. Deri më sot (dje), ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e qeverisë për problematikën e transportit urban dhe, siç e dini, nesër është paralajmëruar një grevë tjetër e Shoqatës së Transportit. Qeveria ka zgjedhur të mbyllë veshët dhe të mos dëgjojë problematikën e bërë prezente prej muajsh tashmë; qeveria ka zgjedhur gjithashtu të mos dëgjojë qytetarët të cilët ditë për ditë kërkojnë që çmimi i biletës të mos rritet; qeveria nuk dëgjon as Shoqatën e Transportit Publik e cila kërkon zgjidhje për rritjen e kostove të shërbimit të tyre, të shkaktuara nga rritja e çmimit të karburantit. Qeveria nuk ka dëgjuar dhe vazhdon të mos dëgjojë as Bashkinë e Tiranës që prej dy muajsh i ka propozuar mënyrën më të mirë për të zgjidhur këtë çështje. Heshtja nuk mund të mbulojë përgjegjësinë që qeveria ka ndaj qytetarëve, prandaj edhe njëherë, Bashkia e Tiranës i kërkon qeverisë të ndërmarrë vendimin e duhur i cili është një dhe vetëm një, subvencionim i operatorëve të transportit publik dhe jo rritje të çmimit të biletës e cila do të rëndonte mbi xhepat e qytetarëve”, – tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.

 

 

Më pak përfitim

Greqia rikthen pensionet për 22 mijë minoritarë në Shqipëri

Qeveria helene ka vendosur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme rikthimin e pjesshëm të pensioneve për minoritetin grek, në kuadër të masave për lehtësimin e shtresës së varfër. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punës e Greqisë (MPG). Sipas dikasterit grek, tashmë do të kenë mundësi të përfitojnë pension të reduktuar të paktën 22 mijë minoritarë nga Shqipëria dhe nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. “Ligji do të jetë më i hapur dhe tashmë do të kërkohet që të interesuarit të paraqesin dokumentacion që tregon banimin e tyre 10 vitet e fundit në shtetin helen nga 20 vite që ishte me ligjin që hyri në fuqi në fund të vitit 2012”, – thuhet në komunikatën e MPG. i njëjti burim tha se ky vendim ka ardhur pas propozimit të Drejtorit të Organizmit të Sigurimeve Bujqësore OGA, i cili propozoi që rikthimi i plotë i pensioneve të bëhet brenda tre viteve të ardhshme, duke filluar për 2014 me 214 euro, për 2015 me 288 euro dhe për 2016 me 360 euro që ishte më pare. Ndërkohë, një tjetër ligj në favor të emigrantëve shqiptarë pritet të miratohet në fund të këtij muaj. Sipas MPG-së, tashmë të gjithë të papunët, përfshirë edhe emigrantë shqiptarë, do të kenë mundësi për të pasur Sigurim Shëndetësor, duke paguar 50 ditë pune (ensima) nga 100 që ishte deri tani.

Telnis Skuqi

Share it :