Lojtari realizoi një karrierë të mrekullueshme edhe në Evropë, ku qe e pjesë e galaktikëve të Realit të Madridit, duke u kthyer edhe atje në një legjendë të historisë së klubit.
Ferenc Pushkash ishte bomber i Hungarisë së madhe. Një shembull për të gjithë brezat pasardhës. Me fanellën hungareze, Ferenc Pushkash shënoi 84 gola në 85 ndeshje. Futbollisti që ka shënuar më shumë gola me fanellën e kombëtares, ka lindur në fushat e Danubit. Ai është Ferenc Pushkash, sulmuesi që me fanellën e përfaqësuese së Hungarisë shënoi 84 gola në 85 ndeshje. Bomberi lindi në Budapest, në lagjen e Kispestit, me 2 prill të 1927-ës. Ai u rrit në rrugë, ashtu si djemtë e rrugës “Pal”. Në të tilla kushte, Pushkashi filloi edhe “romanin” e tij. Talenti më madh i Hungarisë u zbulua që në moshën 17-vjeçare, gjatë luftës së Budapestit (në janar 1945, gjermanët u futën në qytezën e vogël të Budas). Pak muaj pas “çlirimit” Pushkash u konfirmua edhe në kombëtare, madje arriti që të realizonte gol që në ndeshjen e parë, atë ku Hungaria shkatërroi Austrinë 5-2.
Karriera si futbollist
Ai luajti për 16 vjet në Divizionin më të lartë të Hungarisë, me skuadrën e Kispestit (më pas u quajt Honved, për nder të një ushtari që mori pjesë në garnizonin e këmbësorëve që luftuan në kufi me Italinë gjatë Luftës së Parë Botërore). Me këtë skuadër Ferenc Pushkashi në 354 ndeshje shënoi plot 357 gola. Së bashku me popullin e tij, Pushkash kaloi kohë shumë të vështira. Pas Traktatit të Paqes të Parisit (1947) Hungaria u trondit, kur kardinali Mindsenti u arrestua dhe më pas u dënua me burgim të përjetshëm. Që nga ai moment për hungarezët filloi edhe periudha më e errët, stalinizmi, që prej atij momenti tregoi se kishte shtënë në dorë edhe vendin e vogël lindor.
Ari olimpik
Si shumë futbollistë të tjerë, Pushkashi kishte mundësi që të njihte botën, të njihej me jetën “e vërtetë”. Më 11 maj të 1947-ës, Pushkash “zbuloi” Italinë. Në “Comunale” të Torinos, skuadra e Pocos (komisari teknik i axurrëve) mundi Hungarinë 3-2 me një gol të minutës së fundit të Loik. Edhe në këtë takim bomberi hungarez nuk mungoi dhe realizoi një gol. Më pas, Pushkash, në moshën 23-vjeçare, u martua me Ersebetin (luante hendboll me skuadrën e lagjes së Ferencit). Pas këtij hapi që ndërmori, bomberi njohu lavdinë me 2 gusht 1952. Në Helsinki, si kapiten i Hungarisë, mori Medaljen e Artë në Olimpiadë. Hungaria atë edicion mposhti Jugosllavinë me rezultatin e pastër 2-0 dhe njërin prej këtyre dy golave e kishte shënuar pikërisht Pushkashi (realizoi një gol spektakolar, pasi kishte kaluar edhe portierin Beara). Në Olimpiadë hungarezët kishin eliminuar edhe Italinë, duke i shënuar 3 gola, ndërkohë që në gjysmëfinale ata mundën 6-0 kampionët në fuqi, Suedinë. Në këtë takim Pushkashi realizoi golin e parë pas 20 sekondash.
Italia dhe më pas Anglia
Pushkashi mbante numrin 10. Hungaria e tij luante në sulm me modulin në formë M-je, pra me një qendërsulmues paksa të tërhequr. Në Olimpiadë luajti Palotasi ndërkohë më tej u aktivizua Hidegkuti, ndërsa nga krahët dilnin përpara Kocis dhe Pushkash. Në atë kohë kundërshtarët vuanin teksa Hungaria “pushtonte” botën. Më 17 maj të 1953-shit Pushkashi përuroi stadiumin olimpik me një dygolësh që hodhi në tapet Italinë (u mund 0-3 nga hungarezët). Më tej, në 25 nëntor të 1953-shit, ai habiti tërë Anglinë. Hungarezët fituan në ishull ndaj “shpikësve” të futbollit 6-3. Atë ndeshje që u mbajt në “Wembley”, Pushkashi shënoi golin e tretë: pasi mori sferën në hyrje të zonës shmangu edhe Rajtin dhe më pas lëshoi një goditje të dhunshme që u ndalu vetëm nga rrjeta. Pas atij takimi vetë Rajt pranoi që ndërhyri për të dëmtuar Ferencin: “Unë u futa me takë”. Më pas hungarezët nuk u ndalën aty, pasi u dhanë mundësinë anglezëve për një takim revanshi që përfundoi keq për perëndimorët. Në Hungari vendasit nuk u ndalën dhe e poshtëruan Anglinë me rezultatin e thellë 7-1.
Aftësitë dhe karakteristikat
Pushkashi ishte një sulmues i shkathët, ai kishte një gjuajtje të saktë dhe shumë të fuqishme. Numri dhjetë hungarez ishte një lojtar që habiste për saktësinë dhe për mënyrën se si gjente gjithmonë kohën e duhur për të goditur sferën. Në zonën e vogël të rreptësisë ai ishte “vdekjeprurës”. Gjithmonë paraqitej në fushë i nevrikosur. Kishte një karakter të fortë dhe kur futej në fushë asnjëherë nuk nxirrte duart nga xhepat. Edhe pse nga viti në vit shëndoshej, Pushkashi në tapetin e blertë përsëriste shpeshherë ikjet e tij me shpejtësi.
Disfata me Gjermaninë Perëndimore, e para pas 6 vitesh “tirani”
Hungaria shkoi në Botërorin e 1954-ës si favoritja e madhe. Në dy garat e para hungarezët mundën të shënonin plot 17 gola. “Viktima” e tyre e parë ishte Koreja që pësoi plot 9 gola, ndërkohë që Gjermania Perëndimore, edhe pse mori tetë gola, nuk mund të konsiderohet si “viktimë”. Themi kështu, pasi formacioni teutonik kishte llogaritur gjithçka. Në fund të Botërorit, do të kuptohej qartë se gjermanët luajtën vetë rolin e “viktimës” së radhës. Me zgjuarsi, komisari teknik i Gjermanisë Perëndimore, Sep Herberger, rreshtoi atë ditë rezervat. Njëri prej tyre, Librish, kishte marrë një udhëzim të qartë nga tekniku: duhet të nxirrte jashtë loje Pushkashin. Dhe kështu ndodhi. Gjermania Perëndimore humbi 8-3, ndërkohë që Hungaria humbi Pushkashin (u dëmtua) për disa ndeshje. Numri 10 i hungarezëve pa nga stoli teksa shokët e tij luftuan një betejë të vërtetë, ata mundën 4-2 Brazilin e Hulinjos e Didit. Më pas Pushkashi vuajti edhe në ndeshjen gjysmëfinale, ku Hungaria mundi Uruguain e Skiafinos vetëm pas kohës shtesë, 4-2. Më tej, erdhi edhe finalja e madhe. Si për ironi të fatit, hungarezëve iu desh që të “riluanin” edhe një herë ndaj Gjermaninë Perëndimore që kësaj here kishte ardhur e përgatitur. Këtë radhë, formacioni teutonik dinte se si të përballonte hungarezët. Në këtë takim Pushkashi, edhe pse nuk ishte në formën e vet më të mirë, arriti që të realizonte me të majtën. Por kjo sakrificë nuk u shërbeu për asgjë hungarezëve (luajtën për një kohë të gjatë me 10 vetë), pasi u mundën 3-2. Në atë takim Pushkashit iu anulua edhe një gol në minutën e 86-të. Për Hungarinë ajo ishte humbja e parë e marrë pas 6 vitesh.
Nga hero në “fashist”
Në vjeshtën e ‘56-ës, kur shpërtheu edhe Revolucioni Hungarez, u përhap lajmi se Pushkashi kishte vdekur gjatë rezistencës hungareze përballë tankeve sovjetike. Kështu, për pak orë ai ishte një hero, një simbol i lirisë. Por të gjithë u gabuan, pasi në atë kohë Pushkashi ishte në një turne në Vjenë, larg të shtënave. Atje ai priti dhe gruan (Ersebetin) dhe vajzën (Anikën). Pas atyre ngjarjeve ai nuk u kthye në Budapest. Golin e fundit për Hungarinë e kishte shënuar kur ishte 29 vjeç, më 14 tetor 1956, në takimin Austri-Hungari (hungarezët fituan 2-0). Kështu, Pushkashi “zbuloi” edhe shpirtin nomad të hungarezëve që erdhën nga Uralet prej më shumë se një mijëvjeçari më parë të udhëhequr nga princi Arpad. Pushkashi shëtiti tërë botën. Në fillim ai zgjodhi Italinë. Në shtetin fqinj ai qëndroi për një vit e gjysmë (jetoi në Bordigera). Sipas historianëve, ai kërkonte që të jetonte aty, pasi adhuronte kuzhinën bregdetare (pas pak muajsh shtoi 15 kilogramë). Skuadra si Interi, Milani dhe Juventusi do të bënin çmendurira për të, por Reali u tregua më i shpejtë dhe më konkret. Në qershorin e 1958-ës, Pushkash firmosi një kontratë të pasur me klubin nga Madridi. Ky kalim ishte edhe një “shuplakë” për politikën lindore: Pushkashi la kështu Hungarinë (që ishte nën thundrën e regjimit sovjetik) për të jetuar në Spanjën e Frankos.
“Profesori” i zgjuar
Në Spanjë, Pushkashi nuk pati shumë problem të përshtatej. Ai menjëherë fitoi respektin e shokëve të ekipit tek Reali i Madridit. Alfredo di Stefano (në 282 ndeshje ka shënuar 216 gola për Realin) e thërriste hungarezin “Profesori”. Argjentinasi e kishte kuptuar menjëherë karakterin e Pushkashit. Numri 10 i Hungarisë ishte një futbollist shumë dinak: që në sezonin e parë (1958/59) ai pati mundësinë që t’i prishte planet “Shigjetës së Artë” (kështu e njihnin Di Stefanon tifozët e Realit), pasi mund t’i merrte “Pichichi”-n (trofeu që i shkon golashënuesit më të mirë në La Liga). Në takimin e fundit (gjatë sezonit të parë që luajti me Realin) Ferenc Pushkashi hyri në fushë së bashku me Alfredo di Stefanon si golashënuesit më të mirë të kampionatit. Secili prej tyre kishte realizuar nga 21 të tillë, por Pushkashi në atë ndeshje bëri diçka të paimagjinueshme: pasi mori sferën, në një aksion, arriti që t’i ikte gjysmës së mbrojtjes kundërshtare dhe pasi doli përpara portierit e la edhe atë në vend, duke dalë kështu para portës. Në atë moment, të gjithë u habitën kur panë se hungarezi, në vend që të shënonte golin i cili do t’i jepte titullin si golashënues më i mirë i kampionatit, i kaloi topin me takë Di Stefanos. Aty argjentinasi pranoi “dhuratën” dhe shoqëroi sferën në rrjetë. Shënoi golin që i dha “Pichichi”-n e famshëm.
Trofetë tek Reali
Në Madrid, Pushkashi kaloi rininë e dytë. Ai së bashku me Di Stefanon, Santamarian, Amancion dhe Genton fitoi shumë trofe: Tri Kupa Kampionesh (‘59, ‘60 dhe në 1966-ën), një Kupë Interkontinentale, gjashtë tituj në La Liga (nga ‘61 deri në ‘65 dhe në ‘67), dhe një Kupë Spanje (‘62).
Finalja me Eintrahtin dhe Reali galaktik
E paharrueshme do të jetë finalja e Kupës së Kampioneve (sot Liga e Kampioneve) që u mbajt në 1960 në “Hampden Park” të Glasgout. Në atë takim, Pushkashi, përballë 135 mijë shikuesve, i shënoi katër gola Eintrahtit të Frankfurtit, ndërkohë që si për t’u kujtuar të gjithëve se luante edhe ai pranë 33-vjeçarit nga Hungaria, Alfredo di Stefano sigloi edhe tre të tjerë, duke u dhënë kështu një fitore të thellë spanjollëve, 7-3. Ai takim nuk mund të thuhet se mbylli karrierën, por mbylli epokën e futbollit të pasluftës. Ai Real ishte galaktik. Mbërritja e Pushkashit i shtoi shumë cilësitë e klubit “mbretëror” që zhvilloi një lojë të bukur dhe shumë argëtuese. Reali në atë kohë ishte skuadër e pathyeshme. Kishte lojtarë që mbanin shumë topin. Futbollistët ndryshonin shpeshherë vendet me njëri-tjetrin dhe nuk u lejonin kundërshtarëve që t’u gjenin pikat e dobëta. Por, mbi të gjitha, ajo skuadër kishte një sulm të përkryer. Si Di Stefano ashtu edhe Pushkashi ktheheshin për të marrë sferën që në mesfushë.
“Topçiu”
Tek Reali, Pushkashi, që njihej nga spanjollët si “El Cannoncito” (Topçiu), mbylli karrierën e mahnitshme në moshën 40-vjeçare. Pasi vari këpucët në gozhdë, ai nuk u nda nga katërkëndëshi i blertë. Si trajner, ai stërviti disa skuadra në Kanada, Arabi, Paraguai dhe Australi. Në pankinë ai dha më të mirën në Greqi: me Panathinaikosin, Pushkashi arriti deri në finalen e Kupës së Kampioneve të edicionit 1970/71. Atë takim e fitoi Ajaksi i Krojfit. Më pas, Pushkashi në 1993-shin u rikthye në Hungari, ku për gjashtë muaj u bë edhe komisar teknik. 13 vite më vonë, në moshën 79-vjeçare, ai u sëmur rëndë në mushkëri, dhe në natën midis 16 dhe 17 nëntorit të 2006-ës vdiq në Budapest, në një azil ku jetonte prej kohësh. Stadiumi i Budapestit, “Népstadion”, në nder të futbollistit të madh mori emrin “Ferenc Pushkash” në vitin 2002.
Titujt e fituar
Kompeticione kombëtare
* Kampionate në Hungari: 6
Honved: 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956
* Kampionate në Spanjë: 6
Real Madrid: 1960-1961, 1961-1962, 1962-1963, 1963-1964, 1964-1965, 1966-1967
*Kupa të Spanjës: 1
Real Madrid: 1962
Kompeticione ndërkombëtare
* Kupa Kampionesh: 3
Real Madrid: 1958-1959, 1959-1960, 1965-1966
* Kupa Interkontinentale: 1
Real Madrid: 1960
Kombëtare
* Medalje Ari në Olimpiadë: 1
Hungaria: 1952
* Kupa Ndërkombëtare: 1
Hungaria: 1953
Trofe individualë
* Golashënues i Kampionatit Spanjoll: 4
1960, 1961, 1963, 1964
Trajner
*Kampionati grek : 2
Panathinaikos: 1970, 1972
* Kampionati Australian: 1
South Melbourne: 1991
*Kupa të Australisë: 1
South Melbourne: 1990




